Tetovë, kryetarja Arifi flet për gjendjen e spitalit, mbylljen e tregjeve, të infektuarit sipas komunave dhe rastet aktive

Edhe pse ka pasur rritje të numrit të të infektuarve me Kovid-19 në Tetovë, spitali i qytetit është duke u përballuar pa problem me fluksin e pacientëve të rinj. Kështu tha sot kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në një intervistë për Portalb.mk. Ajo tha se deri në këto momente nuk planifikojnë mbylljen e tregjeve dhe objekteve tjera.  Numri i rasteve aktive deri më tani në Tetovë dhe pesë komunat përreth është 613, transmeton Portalb.mk.

Si qëndron numri i të infektuarve në Tetovë dhe pesë komunat përreth?

Nga fillimi i pandemisë deri sot në Tetovë dhe pesë komunat përreth, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me kovid-19 është 2282, të shëruar janë 1527 kurse 102 kanë ndërruar jetë. Me këtë, informojmë se numri i rasteve aktive në Tetovë dhe 5 komunat përreth është 613.

  • Komuna e Tetovës 1540
  • Komuna e Bogovinës 178
  • Komuna e Tearcës 180
  • Komuna e Bërvenicës 144
  • Komuna e Jegunovcës 138
  • dhe Komuna е Zhelinës 98.

A ka krevate spitalore për të gjithë që kanë nevojë?

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, potencoi rritjen e numrit të të hospitalizuarve në Spitalin Klinik të Tetovës për shkak të komplikimeve nga Kovid-19. Megjithatë, ajo tha se të gjithë pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, e kanë marrë atë, siç tha ajo, pa problem.

Klinika Infektive, korona virus KOVID019 COVID
Foto: Arbnora Memeti, Portalb.mk

“Në takimin e sotëm përveç shifrave zyrtare, ishte e rëndësishme për ne të kemi një informacion më të saktë për kapacitetet dhe punën e cila bëhet në spitalin e Tetovës, u informuam që kemi rritje të pacientëve të cilët tanimë kërkojnë ndihmë mjekësore, tani për tani të gjithë pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë trajtuar dhe vazhdojnë të trajtohen. Na u referua që i gjithë sistemi është në funksionim e sipër dhe i gjithë stafi është maksimalisht i angazhuar për të dhënë ndihmën mjekësore sipas protokolleve ekzistuese” tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Sot Shtabi i Krizës i Komunës së Tetovës ka bërë apel deri te të gjithë mjekët amë që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët e tyre të diagnostikuar me Kovid-19 në mënyrë që të njëjtit të trajtohen nga shtëpia.

“Kërkesa e shtabit deri te mjekët amë ishte që të jenë në mënyrë intensive me pacientët e tyre dhe për sa i përket hospitalizimit, pacientët të cilët janë me pasqyrë klinike të lehtë, të mundin terapinë e tyre të marrin në shtëpi duke u ndjekur nga mjekët ndërkaq në spital të trajtohen vetëm rastet të cilat kanë pasqyrë klinike më të rëndë” shtoi Teuta Arifi.

A planifikon Komuna e Tetovës masa shtesë për mbyllje?

Arifi theksoi se nuk planifikon të ndërmarre masa shtesë, ajo këtë e argumentoi me mënyrën e funksionimit duke respektuar protokollet aktuale në gjithë shtetin, sipas Arifit, është e rëndësishme shtimi i kontrolleve nga SPB-ja dhe inspektoratet përkatëse, por jo mbyllja.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Duke pasur parasysh faktin që trendët nuk dalin nga tendencat shtetërore, d.m.th. në shtet numrat janë ata të cilat janë dhe në të njëjtën kohë Tetova në bazë zë numrit të banorëve që ka nuk bën përjashtim në trendin e rritjes të rasteve pozitive. Dhe meqenëse orientimi i përgjithshëm është të funksionohet me këto protokolle, tani për tani edhe vlerësimi ynë është të vazhdohet me këto protokolle, me kontrolle të shtuara nga ana e inspektorateve dhe SPB-së për pjesët të cilat janë në kompetencë të tyre dhe ndjekja e situatës me vëmendje dhe kujdes duke pasur parasysh faktin që akoma nuk ka ndonjë vendim më të madh për mbyllje ekstreme, të paktën deri në ditën e sotme” tha Teuta Arifi, duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk.

Dënime nga Sektori për Punë të Brendshme

Gjatë javës së kaluar, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë janë shqiptuar gjithsej 640 dënime për mosmbajtje të maskës mbrojtëse nga ana e qytetarëve. Ndërkaq, me vendim për izolim nga Inspektorati Sanit Shtetërorë në Komunën e Tetovës dhe pesë komunat përreth janë 745 persona.

Ndërkaq vetëm gjatë 24 orëve të fundit, gjithsej 101 persona janë dënuar për mosmbajtje të maskës mbrojtëse si dhe janë përgatitur 108 vendime për izolim.

Aksident
Foto ilustrim

“Gjatë 24 orëve të kaluara, sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, në periudhën (01.11./02.11.) për mos mbajtjen e maskave mbrojtëse, për gjithsej 101 personave (TE-61 dhe GV-40) u janë lëshuar urdhëresa pagese për kundërvajtje, në përputhje me nenin 6 nga Dekreti përkatës i qeverisë. Gjatë kësaj periudhe, nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, në rajonin Tetovë-Gostivar, janë përgatitur vendime të reja për izolim ndaj 108 (TE-83 dhe  GV-25)  kurse janë kryer kontrolle ndaj 1358 personave (TE-1040 dhe GV-318) me vendime të tilla dhe nuk janë konstatuar mosrespektime të vendimeve, gjithashtu në zonën e Gostivarit në bashkëveprim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut janë kryer 55 kontrolle në objektet hotelierike, ku në një objekt është konstatuar mosrespektim i vendimit të qeverisë” kumtuan nga Sektori për Punë të Brendshme, Tetovë.

Ndryshe, nga Komuna e Tetovës apeluan për respektim të masave mbrojtëse nga virusi Kovid-19, Arifi tha se këto masa shpesh here shihen me sy kritik dhe skeptik nga një numër jo i vogël i qytetarëve, megjithatë, sipas saj, këto masa për momentin janë arma më e mire në luftën kundër virusit korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button