Gallovej: Do të kërkojmë përgjegjësi për ata që i lëndojnë gazetarët

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për dhënies fund të pandëshkueshmërisë dhe krimeve ndaj gazetarëve, ambasadorja e Britanisë së Madhe ne Shkup, Rejçel Gallovej, theksoi se edhe pse është e përmirësuar gjendja me mediat në vend, nuk ka përfundim gjyqësor të asnjë prej rasteve ku gjatë këtij viti janë sulmuar gazetarët, njofton Portalb.mk.

“Globalisht, gjendja me lirinë e mediave është në rënie që vetëm është përshpejtuar gjatë pandemisë me KOVID -19. Gazetarët dhe organizatat e mediave në të gjithë botën po përballen me ligje kufizuese dhe masa ligjore ndëshkuese”, thotë ambasadorja Gallovej.

Ajo shton se ka pasur gjithashtu një rënie të ndjeshme në sigurinë e mjediseve që u mundësojnë profesionistëve të mediave të kryejnë punën e tyre.

“Ata vuajnë nga dhuna fizike, ngacmimet verbale dhe vrasjet, shpesh pa ndëshkim. Një pasojë e këtij kërcënimi është vetëcensura, e cila është një pengesë e drejtpërdrejtë për gazetarinë cilësore”, thotë Gallovej.

Ajo thekson se është e kënaqur që në Maqedoninë e Veriut, sfera e medias është përmirësuar që nga viti 2017. Klima e medias në përgjithësi është e favorshme për promovimin e lirisë së shprehjes dhe lejon raportim kritik, por problemet vazhdojnë.

“Sulmet, veçanërisht kundër gazetareve femra, janë rritur. Që nga janari deri më sot, ka pasur 14 sulme ndaj gazetarëve – krahasuar me vetëm 4 gjithsej në 2019. Asnjëri nga këto deri më tani nuk ka arritur në një zgjidhje gjyqësore”, potencon Gallovej.

Ajo vlerëson se mediat e pavarura dhe cilësore po përpiqen të mbijetojnë komercialisht dhe varen nga donatorë ndërkombëtarë.

“Vetë-rregullimi i mediave dhe gazetaria etike profesionale janë thelbësore në luftën kundër dezinformimit dhe lajmeve të rreme, të cilat përhapen nga portalet online, shumica e tyre të mbështetura nga burime të jashtme. Këto probleme po pasqyrohen globalisht ndërsa sfidat nuk mund të injorohen”, thotë Gallovej.

Ashtu siç shton ajo, për këtë arsye, gjatë Konferencës së parë globale për lirinë e mediave të mbajtur në Londër në 2019, është formuar Koalicioni ministror i lirisë.

“Është një partneritet i vendeve që punojnë së bashku për të avokuar për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve dhe për të kërkuar llogari nga ata që dëmtojnë gazetarë për kryerjen e punës së tyre. Koalicioni përfshin Mbretërinë e Bashkuar dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë nënshkruar Premtimin global për lirinë e mediave, një zotim me shkrim për përmirësimin e lirisë së mediave brenda vendit dhe duke punuar së bashku në planin ndërkombëtar. Tani më i fortë për 37 vende, Koalicioni është i vendosur në mënyrë unike për të adresuar kërcënimet e reja dhe që janë në zhvillim e sipër ndaj lirisë së mediave në të gjithë botën”, thotë ambasadorja.

Ambasadorja porosit se Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë së bashku me Maqedoninë e Veriut gjatë këtyre kohërave të papara për të mbrojtur këtë shtyllë themelore të demokracisë dhe shoqërive të lira.

“Ne do të vazhdojmë të avokojmë për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve dhe të mbajmë përgjegjës ata që dëmtojnë gazetarët”, thotë ambasadorja Gallovej.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button