E SHENJTA DHE KRIZA E LIRISË (II)

Personaliteti i profetit Muhamed në kulturën dhe doktrinën fetare islame është i gjallë deskriptivisht në tekst, por jo edhe si figurë artistike e konkretizuar në letër a pëlhurë, jo si pikturë, një spektër ky që në botëkuptimin islam është i ndaluar. E gjithë kjo si preventivë kundër shndërrimit të tij në kult, në objekt adhurimi, si barrierë kundër hyjnizimit të tij, si mjet për të mbajtur atë në statusin që e ka: njeri me tipare të veçanta, i dërguar, individid që ka bërë mrekulli, por jo edhe gjysëm-zot apo zot. Kundërikonizmi (aniconism [Grabar, 1973:6]) buron nga ndalimi i idhujtarisë dhe nga besimi se krijimi i formave të gjalla është prerogativë e Zotit. Përderisa “ikonoklazmi”, epoka kur ikonat kristiane janë shkatërruar në Konstantinopojën bizantine të shek. VIII, fokusohet historikisht në ndikimet negative të riprezantimit të hyjnores, joikonizmi e zgjeron harkun e një fokusi të tillë dhe sugjeron mosprodhimin e imazheve figurative të qenieve të gjalla. (Soganci, 2004:2) Shikuar antropologjikisht, njerëzit shenjtërojnë edhe gjëra, objekte, vende, kafshë, shpendë dhe për to janë në gjendje ta japin jetën. “Ç’do pëllëmbë e vatanit është e shenjtë dhe për të jap jetën” – thuhet mes tjerash. “Nënë Tereza është e shenjtë”, dhe sulmi me gojë a me shkrim në figurën e saj shkakton reagime, deri në ekskomunikim e linçim. Ataturku është kultizuar në Turqinë moderne dhe sharja e tij sanksionohet me ligj.

Ne mund të kemi një të vërtetë absolute, por kjo nuk është detyrim edhe për të tjerët. Relativizmi kulturor thotë se çdo kulturë ka tërësinë e standardeve të veta etike dhe kulturore që duhet të respektohen, që vë theksin mbi diversitetin, shumëngjyrshmërinë, që thotë se nganjëherë edhe njerëzit e arsyeshëm mund të dallojnë lidhur me atë se ç’ka është vlerë apo moralisht e arsyeshme. Sipas kësaj pikëpamjeje, sfida qendrore është si të jetojmë së bashku me vlera të ndryshme dhe konfliktuale. Hindutë adhurojnë lopën, kjo është pjesë e botëkuptimit të tyre dhe çdo koment i jashtëm për pakuptimësinë e kësaj bindjeje teologjike është i njënashëm dhe arbitrar. Qabeja për besimtarët myslimanë ka një kuptim specifik, dhe të konsideruarit e saj si një kub apo ndërtesë e thjeshtë është gjithashtu arbitrare. Shkronjat e gjuhës greke për dikë janë të palexueshme, por kjo është mangësia e mosnjohësit jo e gjuhës greke. Pjesë e tendencës për njëmendësi është edhe largimi nga shkolla i vajzave që s’veshin minifund nën pretekstin se provokojnë, shpallja për armik të republikës frënge i individëve që s’duan të konsumojnë mish nga kantinat shkollore, apo e të rinjve që në sallonet e sportit nuk duan të bëjnë dush nudo para shokëve të vet.

Shkelja apo provokimi i shenjtërive të tjetrit është një akt kundërqytetërimor. Në këtë drejtim  Franca po luan një rol shumë destruktiv, gjë që u jep kurajo qarqeve të së djathtës ekstreme, ksenofobike dhe islamofobike që të atakojnë edhe më fuqishëm migrantët, gjegjësisht myslimanët europianë dhe islamin në përgjithësi. Dhe, siç shprehet Arnoud van Dour, ”lufta kundër ekstremizmit është vetëm një justifikim. Ajo që po ndodh nuk ka të bëjë me ekstremizmin, por me Islamin. Për Macronin, ky mund të jetë material zgjedhor, por në fakt është një agjendë evropiane që synon posaçërisht krijimin e një kuptimi ‘modern, ‘liberal’ ose një koncepti  ‘perëndimor’ të Islamit. Qëllimi i një koncepti të tillë të Islamit është asimilimi i plotë i muslimanëve dhe shkatërrimi i identitetit islam”.

Por edhe përgjigjja me dhunë ndaj provokimeve  është gjithashtu jocivilizuese. Edhe më e keqe është duartrokitja ndaj violencës. Myslimanët kanë nevojë t’i rregullojnë radhët e veta së pari e pastaj të garojnë me botën tjetër. Nëse ke raste si ai kur 13 afganë mbyten apo shkelen nga turma që shtyhet për pasaportë pakistaneze, dhe sheh gërmadha pasaportash si të ishin patate e policë me shkopinj druri, s’ke ç’ka merresh vazhdimisht me “fajtorin atje”. Sa deprimues është fakti që gjithë bota islame është e indeksuar në suksese terciare si ai i Khabibit, ku derdhet i gjithë pasioni fetar, në prononcime të politikanëve objektivë si Trudeau etj. Ku janë shpikjet, iniovacionet, patentat, universitetet, institutet islamike që sfidojnë botën dhe trendet e kohës? Jemi bërë një ummet pre e provokimeve, gjë që është shenjë e të qenit në gjendje stresi, e tendosjes ekstreme, e krizës evidente të botës islame dhe myslimanit, jo të islamit si fe. Një gjë duhet ta pranojmë: bota islame, aktorët tokësorë të islamit janë në krizë, kuptohet, jo mesazhi qiellor-hyjnore. Në cilën fushë botës myslimane po i çelin lulet? Deri kur myslimanët do t’i përgjigjen çdo provokimi me metoda violente? Vlerat nuk mbrohen në mënyrë të atillë, as Profeti. Siç u shpreh një hoxhë mik yni që jeton në Zvicër: “Nuk i del zot Muhamedit duke vrarë njerëz, me mjete të dhunshme dhe jolegjitime!”

Islami europian apo myslimanët e Europës do të vazhdojnë të përballen me probleme të kësaj natyre në një botë ku ‘përplasja’ është term ende në fuqi në agjendat e kryepolitikanëve botërore dhe ku provokimi dhe sensacioni janë paradigma mediale, ku nuk merren parasysh nocione si ai i Entamit (1993) “kornizimi” (framing) që nënkupton përzgjedhjen e disa aspekteve të realitetit të perceptuar dhe të bërit e tyre me peshë (salient) në një tekst komunikimi, në mënyrë që të promovohet identifikimi i një problemi, interpretimi shkakësor, vlerësimi moral dhe rekomandimi për kurim të të njëjtit. Sot mediat elementin e tretë thuajse e kanë fshirë nga parimet e tyre dhe ndodhin ngjarje të tmerrshme të shkaktuara nga media të pandërgjegjshme dhe individë të paformuar sa duhet fetarisht.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button