PLANET DHE ISHARETET

Së shpejti do nis të shkruaj edhe për Koha ditore të Prishtinës.

Vetëm të shkoj javën tjetër atje. Kaq mjafton për ta konsideruar të kryer se intuita ma ka thënë…

Ëndrrën e kahmotshme për emigrimin me tekste në trojet shqiptare ua kam thënë djemve të ri: Salajdin Salihut, Fatmir Sulejmanit e Xhabir Ahmetit, ose vetëm e kam menduar (a ju ndodh edhe juve mos mund ta bëni dallimin mes të thënës dhe dëshirës për ta thënë? gjë që më rezulton me cirkus situata).

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

U shkrova disa portaleve me peshë në Mëmëdhe, nuk i hynë zametit as të refuzojnë. Joprofesionale dhe joetike kur nuk të japin qoftë dhe përgjigje negative…pastaj kuptuam se portalet e atjeshme mund të pranonin maqedonsa që shkruajnë shqip, ama pa pagesë (!), a pasi ne moti s’jemi praktikantë gazetarie, kjo ra në ujë. Jovalorizimi i kolumnistëve aq është normalizuar në mediat në Maqedoni dhe vendet fqinje sa redaktorët ta thonë hiç pa u ngushtu’ (ky parakusht krijon konkurrencë jolojale dhe e prish tregun e letrave). A sa qejf kisha të paraqiteshim Matanë me shkrime, pasi sado që Interneti ka relativizuar kufijtë është tjetër gjë kur publicist nga Maqedonia shkruan rregullisht në ndonjë medium të themi Shqipërie e ky mos të jetë Kim Mehmeti se një lule s’e sjell pranverën…

…vargu Za ideale ginu budale i grupit Riblja Çorba është moto që ia vlen të jetohet, kur e do momenti.

Në Brezi 9, revistë mujore kulturore e ‘90-ve, shkruanim me vite. Aty zuri fill miqësia me Salajdinin, Fatmirin që ishte redaktor, Bardhyl Zaimin, poetin Murtezan Arifi, dashnia me piktorin Nehat Beqiri që ishte dizajner i revistës kishte nisur më parë, njohtimi nga larg me Flaka Surroin përmes shkrimeve të saj për filmin. Eh, gidi zaman. Revistë të tillë shqipe, përmbajtësore dhe estetike, nuk kishte në Maqedoni as më herët as më vonë.

Ishim grup në klubin Doors ku deheshim me libra, muzikë dhe ëndërronim syhapur për një qytet dhe shoqëri tjetërfare. Shumë gjëra ndryshuan ndërkohë, shumica për të keq. Ndryshuam edhe ne vetë, më shumë për të mirë a për të keq, kush e di. Klubi nuk ekziston më në Tetovën e cila prej demokracisë e këndej, qëkur filluan ta qeverisnin prefektët shqiptarë shkon në regres, kurse kapakun ia ka vënë prefektja e tashme.

…djemtë e ri kolumnistë nuk e dinë se do aplikoj në emër të përbashkët në Ministri të kulturës për libra me përzgjedhje tekstesh tona postuar në Portalb gjatë viteve. Dizajnin do e bëjë e talentuara Aida Sinani, do i dizajnojë edhe posterat që të vendosen vitrinave të librarive, aq sa i kemi, e të lokaleve ku do shiten librat. Nuk do i dhurojmë se e prishim tregun e letrave. Do bëjmë promovim në klubin që tash zëvendëson Doorsin e dikurshëm, pronarja Vjollcë Berisha do jetë promotore.

Gjithçka e menduar, vetëm të pranohet nga Komisioni.

Intuita ma ka thënë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button