9 komuna 2 biblioteka në rajonin e Pollogut, albanologia Rizvani: Politika se çanë kokën për libra!

Mijëra banorët e nëntë komunave të rajonit të Pollogut për të marrë një libër hua duhet të udhëtojnë me kilometra, kjo për shkak se nga gjithsej 9 komuna, vetëm dy prej tyre kanë biblioteka kurse leximore ka vetëm në Gostivar. Kjo rëndon dyfish punën e bibliotekës së Tetovës dhe Gostivarit, përveç mungesës së leximores, drejtoresha e bibliotekës së Tetovës për Portalb.mk theksoi se punojnë në kushte të mjerueshme, ndërkaq si pasojë e mungesës së bibliotekave në komunat përreth, shpesh herë nuk ka libra për të gjithë. Albanologia Xhemazije Rizvani shtoi politikanët në vend “nuk e çajnë kokën për këtë”, shkruan Portalb.mk.

Rajoni i Pollogut është një nga tetë rajonet e Maqedonisë së Veriut, gjeografikisht ndodhet në veriperëndim të vendit dhe sa i përket popullsisë, shumica e banorëve të këtij rajoni i takojnë etnisë shqiptare.

Në një intervistë për Portalb.mk, drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës “Koço Racin” foli për problemet me të cilat hasen si institucion, ajo tha se punojnë në kushte të mjerueshme dhe se një bibliotekë aq e vogël, sipas saj, nuk i shkon një qyteti me shumë shkolla të mesme dhe dy universitete.

“Tetova me dy universitete, me shumë shkolla të mesme e fillore funksionon me një bibliotekë të vogël dhe me bibliotekat shkollore te cilat janë pak të furnizuara.

Njomza Imeri Ismaili, drejtoreshë e Bibliotekës "Koço Racin" në Tetovë.
Njomza Imeri Ismaili, drejtoreshë e Bibliotekës “Koço Racin” në Tetovë.

Edhe pse është bibliotekë nacionale, kushtet, veçanërisht hapësira e vogël ku veprojmë janë shumë te varfëra dhe primitive mos të them të mjerueshme, që nuk i ngjan një qyteti si Tetova. Ne po përballemi me sfida të ndryshme, sepse shumë pak po punohet në interes të bibliotekave se po të ishte dhënë pak më shumë rëndësi, biblioteka e re do të kishte përfunduar që moti” tha Njomza Imeri Ismaili, drejtoreshë e Bibliotekës së Tetovës “Koço Racin”.

Ndërkaq për pjesën e mungesës së bibliotekave në komunat përreth Tetovës, Imeri Ismaili tha se ndjen keqardhje për faktin se në shekullin 21 njerëzit duhet të udhëtojnë me kilometra për një libër, si pasojë e kësaj, jo gjithmonë ka libra për të gjithë, shpesh herë lexuesit duhet të presin radhë për të siguruar një libër të caktuar.

“Tani t’i kthehemi lexuesve. Për ne është kënaqësi të punojmë edhe me lexues të vendeve përreth Tetovës, po sa është mundimshme për ata që duhet të udhëtojnë për një libër në shek. e 21, kjo është diçka tjetër. Fatkeqësisht ne nuk e kemi atë luks që çdo kërkesë e lexuesve të plotësohet 100%, vetëm e vetëm për shkak të hapësirës, pra ndodhë që lexuesi duhet ta pres një libër derisa ta kthejë dikush tjetër, për arsye se ne nuk mundemi që të njëjtin libër ta kemi në shumë kopje, pra nuk na lejon hapësira.  Përveç lektyrave shkollore me të cilat furnizohemi me më shumë kopje, të tjerat që janë për lexim të lire jemi të kufizuar në numrin e tyre, pra mund të jenë dy, tre apo pak më shumë kopje” shtoi Njomza Imeri Ismaili.

Drejtoresha e Bibliotekës “Koço Racin” në Tetovë gjithashtu theksoi se mungesa e leximores ndjehet shumë, ajo tha “Më vjen shumë keq që të rinjve, por edhe të tjerëve nuk mundemi të ju themi: Urdhëro, ulu këtu dhe lexo”.

Biblioteka e Tetovës ruan 150 mijë tituj në hapsirë prej 200 metra katrorë!
Biblioteka e Tetovës

Sipas albanologes Xhemazije Rizvani, mungesa e bibliotekave publike në secilën komunë është e pabesueshme marrë parasysh shekullin në të cilin jemi. Ajo shtoi se politikanët dhe politika në vend nuk e çanë kokën për këtë punë.

Xhemazije Rizvani, albanologe.
Xhemazije Rizvani, albanologe.

“Bibliotekat publike janë zemra e çdo qyteti. Pa biblioteka, s’ka qytetërim. Sot bota flet për arterie të forta të kësaj zemre, biblioteka e leximore lagjesh, ndërkohë ne kemi mungesa të tilla të pabesueshme për shekullin në të cilin jemi . Politika s’çan kokën për këtë punë, as lexuesit të cilët janë mësuar gjetiu t’i kërkojnë librat, pa u shkuar në mend se fare lehtë mund të vijë libri te ato, mjafton të ngrisin zërin për t’i kërkuar.

Ne kemi dhe mungesë librarish. Për t’i siguruat librat na duhet të kërkojmë jashtë Maqedonisë, kjo është edhe një arsye plus përse i kemi të domosdoshme bibliotekat publike , bile të furnizuara mirë.

Pushtetarët  nuk na i sjellin librat , sepse kështu zgjasin jetën e tyre në politikë , njëjtë si një mbret që nuk i donte librat, i digjte ato. Sepse në tokën e të verbërve , njeriu me një sy është mbreti” tha albanologia Xhemazije Rizvani.

Ndryshe, drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës “Koço Racin” tha se vazhdimisht po bën apele deri te institucionet që sa më shpejtë të përfundoje biblioteka e re në Tetovë. Ajo tha se të rinjtë kanë nevoje për vende të tilla ku do ta kalojnë kohën e lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button