RMV, njerëzit infektohen për të dytën herë me Kovid-19, lakorja e infektimit nuk po korrigjohet

Në vend paraqiten raste të personave të cilët infektohen për herë të dytë me korona virus. Një pjesë prej tyre u infektuan për herë të parë gjatë valës pranverë / verë, patën simptoma të shumta dhe u shëruan (një pjesë në shtëpi, një pjesë në spital). Edhe pse u shëruan, u konfirmuan nga dy teste negative, por edhe nga gjendja e përgjithshme shëndetësore, tani ata kanë përsëri të njëjtat simptoma dhe testet tregojnë se janë pozitiv me korona virus, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Rasti i parë i tillë u raportua në gusht, kur një 46-vjeçar nga Shtipi, i cili njëherë u shërua nga Kovid-19, brenda një kohe të shkurtër u infektua përsëri. Herën e dytë gjendja e tij ishte edhe më e serioze dhe u transferua në spital.

Për shkak të fluksit të madh të pacientëve të diagnostikuar në tetor, rastet e tilla mbeten në hije, ndërsa deri më tani nuk ka përgjigje nëse po mbahen evidenca dhe analiza për ta. Qysh në pranverë, mjekët spanjollë alarmuan se disa nga pacientët që kishin përfunduan me sukses mjekimin me teste negative, më vonë dolën përsëri pozitivë. Mjekët vlerësuan se nuk ishte një infeksion sekondar, por një rast i “rikthimit / zgjimit të virusit” për shkak të një përgjigje të dobët imune. Shpjegimi ishte se “kur përgjigja imune ngadalësohet dhe dobësohet, virusi që mbetet në një rezervuar në trup, arrin të zgjohet dhe kthehet “.

Autoritetet e shëndetësore të vendit kanë edhe më shumë arsye për shqetësim,përderisa vala e re e infektimit, përveç rasteve të reja, targeton edhe një herë tashmë të shëruarit. Sidomos nëse një gjë e tillë ndodh në kohën që lakorja e infektimit po bëhet gjithnjë e më keq ose nuk mund të korrigjohet fare, ndërsa qëllimi është të ngadalësohet vala në mënyrë që sistemet shëndetësore të mos pësojnë kolaps.

Kapacitetet spitalore maqedonase aktualisht janë nën presion të madh. Deri dje, vetëm disa vende ishin të lira në spitalin modular i vendosur pranë Klinikës për Sëmundje Infektive, ndërsa siç njoftoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipce, tani pacientët e rinj do të pranohen në Klinikën e Neurologjisë dhe Klinikën e Dermatologjisë, ku ka qasje në furnizimin qendror të oksigjenit. Shtretër spitalorë shtesë ofrohen në Institutin për Sëmundjet e Mushkërive dhe në spitalin “8 Shtatori”, si dhe në repartet e brendshme të disa spitaleve.

“Repartet shtesë janë tashmë gati. Ka mjaft shtretër spitalorë dhe stafi është i gatshëm të punojë me pacientët me Kovid-19. Unë kërkoj që masat e reja të respektohen. Ndryshimi në Ligjin për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive u miratua. Masat tani në fuqi janë masa që po zbatohen në të gjithë Evropën – kapaciteti i kufizuar i mbushjes në transportin publik, mbajtja e detyrueshme e maskave jashtë, mbyllja e restoranteve në orën 23:00, dhe rekomandimi për të punuar nga shtëpia dhe onlajn është diçka që nëse respektohet, mund të zvogëlojë seriozisht transmetimin e virusit,”  deklaroi Filipçe.

A do të jenë të mjaftueshme kapacitetet shtesë për hospitalizimin e të gjithë atyre që do të kenë nevojë për mjekim spitalor, do të tregojnë të dhënat e reja shëndetësore. Pas 870 rasteve të pardjeshm, dje ishin 862 të diagnostikuar. Nëpër spitalet e vendit deri dje janë hospitalizuar rreth 670, kryesisht në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup – mbi 150, nga të cilët 110 në mbështetje të oksigjenit, ndërsa në ventilim mekanik asnjë pacient. Ka 50 persona në SPQ “8 Shtatori”, dy prej të cilëve janë në aparat respirator.

Vendet e rajonit konsiderojnë në spitalet mobile në terren dhe palestra sportive të përshtatura për të akomoduar raste më të lehta. Por anëtarët e BE-së prej dje kanë edhe opsione të tjera. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi 220 milion euro ndihmë për transport ndërkufitar për pacientët e sëmurë nga Kovid – 19, kjo për të parandaluar kolapsin në sistemin shëndetësor për anëtarët e BE-së, që janë më të prekur nga kjo krizë.

“Komisioni do të mobilizojë 220 milion euro për transferimin ndërkufitar të të infektuarve”, njoftoi presidentja e KE-së në një konference shtypi pas samitit virtual ku udhëheqësit e BE diskutuan dje situatën epidemiologjike.

Ajo theksoi se situata me Kovid-19 është shqetësuese dhe se është e nevojshme të veprohet shpejt.

“Përhapja e infeksionit do të përmbysë sistemet tona shëndetësore nëse nuk veprojmë shpejt,” tha von der Layen.

Për një luftë të suksesshme kundër pandemisë, ajo vuri në dukje katër elemente: shkëmbimin e praktikave më të mira, testimin masiv, aplikimin e monitorimit të kontakteve dhe vaksinimet.

KE-ja aktualisht po negocion me katër kompani farmaceutike për të siguruar vaksina kundër Kovid-19, pasi një marrëveshje është arritur tashmë me tre. Pasi të verifikohet, vaksina do të shpërndahet njëkohësisht në të gjitha shtetet anëtare, në proporcion me popullsinë e përgjithshme të BE-së.

Maqedonia e Veriut shpreson se njëkohësisht do të marrë një pjesë nga ato vaksinat, falë iniciativës së kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis, prezantuar para kryeministrit maqedonas në shtator të këtij viti.

“Kryeministri i Greqisë shprehu gatishmërinë që si anëtar i Bashkimit Evropian do të kërkojë vaksina të edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pasi zakonisht ato shkojnë për vendet anëtare, ndërsa më pas për kandidatët. Nëse mund të organizohet më shpejt për ne 15-20 ditë përpara është e mirëpritur, pse jo? Për mua paraqet shprehje të miqësisë,” tha Kryeministri Zaev muajin e kaluar, pas një vizite në Athinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button