fbpx

Do të parandalojmë dhe do të mbrojmë nga diskriminimi, POR …

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Dhe përfundimisht, për herë të dytë – e miratuam Ligjin për mbrojtje dhe parandalim nga diskriminimi. Në Raportin e vitit 2019, Komisioni Evropian na lavdëroi për miratimin e Ligjit të ri dhe e konsideroi atë hap të madh përpara në të drejtat themelore. Por, “phu, phu, nuk vlen”, doli se ligji ynë i bukur, i cili u prit aq mirë nga shumë – përfshirë sektorin jo-qeveritar dhe Komisionin Evropian, në fakt nuk ishte miratuar, sepse nuk e kishte marrë shumicën e duhur në Parlament. Mbase rasti i vetëm i tillë deri tani në vendin tonë, por le të mos hyjmë në detaje, është kjo një temë tjetër …

Jo, prisni, kjo nuk është hera e dytë. Ne kemi Ligj për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi që nga viti 2010, por … Edhe këtu vjen një tjetër “por” e jona. Pra, kemi miratuar ligjin e parë për mbrojtje dhe parandalim nga diskriminimit 10 vjet më parë. Ndërkohë e ndryshuam atë dy ose tre herë, por asgjë me rëndësi, Çfarë i ka munguar? Shumë, të paktën sipas Komisionit të Venedikut. Mbi të gjitha – pavarësia e pamjaftueshme e Komisionit për ta zbatuar atë, mos mbulimi i bazave të diskriminimit (në bazë të “identitetit gjinor” dhe “orientimit seksual”), mos përmendja e detyrës së shtetit për të promovuar barazinë, barra e tepërt e palës së dëmtuar për të provuar diskriminimin etj etj …

Dhe kështu, e përsërisim mësimin pas saktësisht 10 vjetësh. Sikur jemi sërish në fillim. Apo ndoshta – akoma jo. Ndoshta ndërkohë shoqëria jonë kishte nevojë të piqej. Apo i duhej vetëm pak më shumë presion – si nga brenda ashtu edhe nga jashtë? Ndoshta pak nga të dyja. Larg asaj që mund të themi se në dhjetë vitet e fundit është hapur ndonjë debat i vërtetë mbi diskriminimin, por të paktën kushtet për të janë krijuar. Megjithatë, ne duhet të vendosim disa gjëra në anën pozitive. Kjo sigurisht është mënyra se si OJQ-të kanë bërë avokatinë për mbrojtje nga diskriminimi – së bashku, me këmbëngulje dhe në mënyrë parimore. Duhet ta pranojmë që tashmë praktikë është krijuar gjyqësore mbi mos-diskriminimin, e cila mund të jetë një bazë e mirë për zbatimin e Ligjit të ri. Vendi ka ekspertë në këtë fushë të cilët jo vetëm i ndjekin ata, por edhe marrin pjesë në debate bashkëkohore evropiane dhe kërkime në këtë fushë. Po Komisioni? Edhe ai ndoshta bëri disa gjëra të mira, por do të mbahet mend vetëm për vendimin për diskriminim që ia dha me shumë zemërgjerësi ish-kryeministrit, tani në azil.

Përse është kjo temë evropiane? Është parim, i garantuar nga shumë dokumente ndërkombëtare universale. Sidoqoftë, mosdiskriminimi është një nga temat specifike për Bashkimin Evropian. Kuadri ligjor i BE-së për mosdiskriminimin është larg të qenit i përsosur. Është mozaik, kompleks. Në fakt, ne duhet të flasim për kornizë ligjore evropiane, sepse ajo e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian janë të ndërthurura, gjë që komplikon më tej zbatimin. Sidoqoftë, ajo që është me rëndësi është këmbëngulja për zbatimin e tij dhe tërësia e mekanizmave që duhet të sigurojnë që barazia e mosdiskriminimi të realizohen praktikisht.

Dhe këtu vijmë te “por” më i madh. Kemi ligj – tani ai duhet të jetë “me të gjitha nishanet”, por do të duhet të zbatohet, edhe atë në një mënyrë tjetër se më parë. Prova e parë për zbatimin e tij do të jetë zgjedhja e anëtarëve të Komisionit – të pavarur dhe autonom. Deputetët nuk kishin virtytin për të pranuar propozimin e organizatave joqeveritare që përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të bëhet sipas shembullit të përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit. Kjo tashmë ngre dyshime se ky organ do të gjendet gjithashtu në tavolinë gjatë “ndarjes së gjahut” ose do të bëhet ndonjë “kompromis i arsyeshëm”. Le të shpresojmë që dyshimet nuk do t’i dekurajojnë të pavarurit, të cilët kanë integritet, munden dhe duan të bëjnë këtë punë për të aplikuar në njoftimin publik që Kuvendi duhet të shpallë së shpejti. Pastaj topi do të jetë përsëri në Parlament. Deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm se llupa është shumë e mprehtë dhe se çdo lëvizje do të peshohet nga publiku i Maqedonisë (jo vetëm nga Komisioni Evropian).

LEXO: U publikua raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian kërkon zbardhjen e rasteve gjyqësore që kanë të bëjnë me korrupsion të lartë

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close