E ARDHMJA E DINËS SË VOGËL

E ndez televizorin Safija, nikoqirja, pasi e përshëndet fqinjën e vet Biben që ka ardhur për kafe. Se këtu patjetër të jetë i ndezur televizori kur ka mysafirë. “Do të pyetni pse. Nuk e di. Po ashtu është”.

Folësja lexon një shkrim për disa burra shqiptarë që “kanë dhënë kontribut për historinë e rajonit”. Ajo flet me një shtrëngim nga stresi që e shkaktojnë kamerat. Mundohet ta bëjë një buzëqeshje si ajo e Mona Lizës. Nuk i shkon. Duket se hyjnia e lashtësisë Dejmosi e shikon në sy dhe i lëshon tufa-tufa ngapak frikë, sa të mos e lërë rehat.

“Po si je moj Bibe”? e pyet Safija, si e kanë zakon gratë plaka të pyesin disa herë si je, ku je.

“Mirë, mirë…ia kthen Bibja pa e zgjatur shumë dhe shton: “Temë interesante, kjo e figurave historike. Sa mirë e gjete, zonja Safije. Këto gjera më interesojnë”…

Tetor është, po një vapë ka marrë. Gratë djersiten. Dhe, Bibja pyet pa i larguar sytë nga televizori dhe duke e dëgjuar Safijen me gjysmë veshi, si thonë:

“A bën ta hapim pak një dritare? Voglushi i shtëpisë, i vetmi fëmijë i familjes, Dina, del para televizorit.

“A ta them një vjershë”? thotë. E ëma e tij, Maki dhe gjyshja Safa, reagojnë:

“Ik Dini, ik! Ik se teta Bibe don ta shohë programin. Një ditë tjetër do ta thuash vjershën”. Fëmija largohet i habitur, por edhe i prekur, pse reaguan ato të dyja të cilave kurrë nuk mërziten me praptitë e tij.

“Kurrë s’paskam dëgjuar për këta njerëz”, thotë Bibja duke e zgjatur dorën kah tasi me kikirika, mbi tavolinën e mbushur me arrore. Dhe, e mbush gojën. Duke përtypur, thotë: “A pajtoheni ta dëgjojmë këtë emision se shumë po më interesoka kjo punë?… Këta burra s’i kemi dëgjuar në histori sa ishim në gjimnaz ose unë nuk ditkam gjë për ta…”. Pastaj shton: “A ka mundësi ta kthejmë prapa këtë emision, prej fillimi”?

“Po si s’ka”, ia kthen Maki. “Në Jutub është… Dina gjithmonë e mban në Jutub televizorin”… Maki e kthen emisionin prej fillimit. Folësja i rendit emrat e burrave: “Jani Kondo, një shqiptar nga Janina… Marko Boçari, një kapiten shqiptar nga Suli që ishte ndër prijësit e luftës për themelimin e Greqisë moderne. Jani Kondo, ose siç e quanin serbët Kondo Bimbash i cili bashkë me luftëtarët e tij, kryesisht çamë, dezertoi nga ushtria turke dhe hyri i pari në Kalemegdan dhe kështu praktikisht kalanë e Beogradit ua dorëzoi serbëve në kryengritjen serbe të vitit 1813 dhe kalaja u bë e kryengritësve. Një tjetër luftëtar çam, Gjergj Olimpiasi, me 300 vullnetarë të tij shqiptarë të Çamërisë luftoi për çlirimin e Serbisë, disa gjurmë flasin se edhe Karagjorgje Petroviqi e ka origjinën nga fisi i Kelmendëve nga Malësia e veriut shqiptar, nga këto anë e ka origjinën edhe Sllobodan Millosheviqi. Pastaj shikojeni edhe mbiemrin e V. Sheshelit, që vjen nga shqipja me kuptimin një rrafsh i vogël, një shesh i vogël…  Janë këtu edhe vezirët shqiptarë të Perandorisë Osmane: Kemankesh Kara Mustafa Pasha, Kara Dev Murat Pasha, Tarhunxhi Ahmet Pasha, Kyprili Mehmet Pasha, Murat Pasha,  Kyprili  Fazıl Ahmet Pasha, Arabaxhi Ali Pasha, Haxhı Halil Pasha, Haxhi Ivaz Mehmet Pasha, Nishanxhi Ali Pasha, Çaushbash Memish Pasha, Giritli Mustafa Naili Pasha, Vlonjati Mehmet Ferid Pasha, Zurnazen Mustafa Pasha, pastaj Mehmetali Pasha që e pavarësoi Egjiptin e shumë të tjerë… Mos të harrojmë se edhe sot e kësaj dite plot politikanë e njerëz të dijes në Greqi, Turqi, Siri dhe në vendet tjera fqinje janë me origjinë shqiptare… “.

“A po shihni, moj gra, gjithë ata burra të mëdhenj paskan dalë prej gjakut tonë?…” pyet Bibja dhe e merr edhe një grusht kikirika,  ndërsa Maki, duke sjellë kafetë, ende pa u ulur thotë:

“Po, njëmend, shumë janë… Por për kë kanë luftuar këta?” pyet… Pastaj shton: “Çfarë kanë bërë për neve? Çfarë na duhet neve Millosheviqi, ai vrasës i paparë i shqiptarëve, çfarë na duhet Karagjorgjeviqi, çfarë na duhen gjithë ata vezirë, kur asgjë s’kanë bërë për ne?! Për mua më shumë vlen një vjershë e Sulejman Naibit ose e Zef Serembes se sa të gjithë këta bashkë.

“Oj nuse, mos ashtu!” ndërhyn Safija, demek mos të preket Bibja.

Folësja vazhdon të përmendë edhe emra të tjerë, kurse gratë heshtin, pas ndërhyrjes së Makit. Secila noton nëpër kujtesën e vet, vetëm, në ëndrrat e tyre që, secila ishte zakonisht me një lumë të gjatë ku më së shumti shihen valë të turbullta, të zeza. Dhe, kur vijnë në vete, secila syresh e ka komentin e vet, ashtu siç ua pëshpërit Muza në çaste të këtilla kur ndizet  frymëzimi. Ndërhyrja e Makit i vuri pikë emisionit. Dhe, ata emra  “që kanë bërë historinë” nga hapësirat e emocioneve të fisme, i hedhin gratë  në siklet.

Prapë  Dina del para televizorit. Asnjëra nga gratë nuk reagon. Sepse, nuk e shikojnë më televizorin. Vetëm mysafirja Bibja e shikon me ngashërim djalin e vogël, këtë djalë të bukur – yll. Ndjehet keq Bibja pse e larguan aq vrullshëm kur doli para televizorit.

“A po na e thua vjershën, Dinë”? e pyet Bibja

Djali hesht.

“Eja pak te unë, o bukurosh”, i thotë Bibja. Djali shikon me droje.

“Shko te teta Bibe”! i thotë e ëma. Djali afrohet ngadalë. Bibja ia lëmon flokët. Atëherë Biben e përfshin një ngashërim dhe e pyet veten: çfarë e ardhmjeje e pret këtë djalë engjëllor,  kur nga çdo anë edhe sot ecin hijet e Kondos, Karagjorgjes, të vezirëve…

“Ti do të bëhesh si Kadareja! i thotë Bibja.

“Kush është Kadareje, gjyshe”? pyet Dina gjashtë-shtatë vjeç.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button