Mosmarrëveshjet kombëtare, Habsburgët dhe Bullgaria

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë duke shkuar drejt një impasi diplomatik pas Memorandumit bullgar në BE dhe ndërprerjes së punës së Komisioneve ndërshtetërore. Komisioni u mblodh një javë më parë për të diskutuar pengesat në mes dy shteteve rreth figurave historike, gjuhës dhe kulturës, por pa rezultate duke ua lënë drejtuesëve të lartë qeveritarë që të gjejnë një zgjidhje përfundimtare.

Në gusht të vitit 2017 pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Zoran Zaev, një Marrëveshje e Fqinjësisë së mirë u nënshkrua me Bullgarinë për tu pasuar më pas me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, dy marrëveshje që i hapën rrugën Shkupit zyrtar drejt NATO-s dhe BE-së.

Ajo që mbetet e pa thënë dhe analizuar në shtypin e Shkupit, është se ku qëndron në të vërtetë problemi i kthimit prapa të raporteve në mes Shkupit dhe Sofjes. Burimin e ngecjeve duhet kërkuar edhe tek mentaliteti i qeveritarëve të Shkupit, sidomos të ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut e cila është e ngarkuar me qasje të vjetër të drejtimit të politikës së jashtme. Le të qartësohemi këtu për lexuesin, se Bullgaria nuk mund t’ua mohojë të tjerëve se si të quhen dhe si ta prezentojnë vetën në arenën ndërkombëtare.

Mirëpo një argument që nuk shkon në favor të fqinjësisë së mirë në mes dy shtetve, është se qeveria e Maqedonisë së Veriut u njoh pas shkëputjes nga ish – Federata jugosllave nga Bullgaria, dhe ishte shteti bullgar që lejoi një korridor ekonomik për ish- IRJM-në drejtim të Turqisë për një lëvizje të lehtë të import-eksportit të mallrave.

Pothuajse tre dekada pas pavarësisë (91) dhe zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, qeveria në Shkup duhet të jetë mirënjohëse për punën që ka bërë Bullgaria dhe qeverisë në Sofje, për angazhimin parimor në zhvillimin dhe njohjen e shtetit maqedonas, por në kuriz të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ajo që vazhdon të mbetet shqetësuese, është niveli i ultë i diplomacisë aktuale maqedonase e cila është angazhuar në ndërtimin e një fronti të gjërë europian kundër Bullgarisë dhe për një izolim, ndërsa nga ana tjetër qeveria e kryeministrit Zaev thotë se një zgjidhje do të ketë në mes dy shteteve.

Veprimi në dy fronte për një shtet që ka ndihmuar Maqedoninë e Veriut në konsolidimin shtetërorë mund të shihet si angazhim armiqësor në fushën e diplomacisë me fqinjtë.

Kryeministri Zoran Zaev, ministri i Jashtëm Bujar Osmani dhe ai i Euro -Integrimeve Nikolla Dimitrov, paraqiten para opinionit me prapaskena të ndryshme të një shtetari të shek. XIX dhe aspak të një diplomati siç ishte Meterniku dikur. Shenjat janë se dikush qëndron si ideator prapa shtypit dhe diplomacisë maqedonase për një ofensivë kundër Sofjes.

Shkupi zyrtar, mendon se SHBA do të angazhohet në një front të gjërë kundër Bullgarisë për të mbështetur politikën e jashtme të MV-së, mirëpo kjo është jashtë çdo interesimi amerikan për t’i bërë presion Bullgarisë për të lëshuar pe ndaj historisë bullgare në Maqedoninë e Veriut dhe interpretimit të gabuar dhe ideologjik maqedonas të historisë së shek. XX.

Meqenëse historia e popujve të Ballkanit post-otoman është e ndërlikuar dhe kur Europa dhe rajoni po ndeshen me rreziqe të jashtme që kanë prirje për të rënuar demokracitë e reja të Ballkanit Perëndimor, aktiviteti diplomatik kundër Bullgarisë, bie ndesh me angazhimet e popujve fqinjë për integrimin e rajonit në BE.

Para shkatërimit të Perandorisë Osmane dhe shpalljes së pavarësive të popujve të Ballkanit, pothuajse rajoni nuk kishte një identitet të theksuar kombëtar dhe kufitar, pasi emocionet nacionale ende ishin në fazën e zgjimit. Kongresi i Berlinit, Luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore e ushqyen nacionalizmin e shteteve fqinjë për territore dhe ndërtimin e kombeve të reja. Me forcimin e Bollshevikëve dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS), rajoni i Ballkanit do të merrte një pamje tjetër. Lufta e Dytë Botërore krijoi një realitet të ri me ndërime të mëdha të raporteve ballkanike dhe lindjen e kombeve të reja nga rendi i ri botërorë.

Tash një shekull pas, qeveria Maqedonisë së Veriut duhet të rishikojë të gjitha pengesat që komunistët jugosllavë dhe rusë i kanë krijuar këtij populli të ri dhe që sot janë pengesë me bullgarët. Aty mendoj se do të gjendet gjuhë e përbashkët me Sofjen nëse mendohet që të ndërtohen marrëdhënie të shëndosha me këtë shtet dhe të tjerët. Pozita gjeografike e Maqedonisë së Veriut, ekonomia maqedonase bashkë me përbërjen ndëretnike, janë në propocion jo të barabartë me diplomacinë e Shkupit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në këtë moment dhe në të ardhmen është mirë të të nxjerrë mësime nga Habsburgët e dikurshëm dhe zhvillimin e diplomacisë së efektshme dhe të balancuar të Vjenës me fuqitë e atëhershme europiane. Nëse Komisionet janë nën ndikimin e politikës, atëherë më mirë të krijohet një Komision Ndërkombëtar që do të rishikonte gjenezën e figurave kontardiktore, kulturën dhe pengesat tjera në mes dy shteteve.

Ndërsa për në fund, diplomacia maqedonase duhet të largohet nga orbita e politikës serbe të konfrontimeve me fqinjtë, sepse është vrejtur që shtypi në gjuhën maqedonase ka filluar një propagandë anti- bullgare. Bashkimi i propagandës maqedonase me atë ruse nuk shkon për një vend anëtarë i NATO-s dhe kandidat potencial për t’i filluar bisedimet me BE-në. Ajo që i duhet Maqedonisë së Veriut dhe qeverisë së re të kryeministrit Zaev, është pavarësia dhe lëvizja e pavarur në politikën e jashtme dhe padyshim aleancat me fuqitë që janë në favor të ndërtimit të një Ballkani të ri pa hegjemonizëm. Me kthimin në politikat e dikurshme gligoriviane e gjithë atmosfera pro- europiane do të shkonte në dëm të vetë MV-së.

Maqedonisë së Veriut i duhet Bullgaria tani dhe në të ardhmen, përshkak të rëndësisë së shtetit bullgar në të gjitha organizmat ndërkombëtare, pozitës gjeografike dhe marrëdhënieve të posaçme të Bullgarisë me Uashingtonin, si një murë parandalues për zgjerimin kinez drejt Ballkanit dhe BE-së.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button