E “DUA” CORONËN

Eh, kështu kur t’kaplojnë ethet e shkrimit…do filloj të shkruaj për tetovarët me kontribut në politikë, biznes, arsim, kulturë dhe sport, një pjesë e të cilëve në moshë të tretë, kurse dje doli nga shtypi Ditari i karantinës E “dua” Coronën (përmbledhje letrash kolegëve, miqve, dashurisë së gjatë platonike, ambasadave për akcionin e dhurimit të librave fëmijëve dhe adoleshentëve mbyllur në shtëpianë kohën kur u shkrua libri).Emailat, që pastaj u inspirova t’i përmblidhja në botim, më shpëtuan nga ankthi i virusit. Pushova së shikuari lajme dhe u katapultova në tjetër botë.

U vërtetova sërisht se puna është detyrim e krijimtaria bekim, dhe që nga 20 prilli nuk ndjek lajme, emisione, as gazeta ditore, informohem në tavolinat e kafeterive, fluturimthi.

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

Pse E “dua” Coronën?

Ngaqë rizbulova Njerëzit e Veçantë në Tetovën e keqmenaxhuar, dhe u dashurova.

Ti ndoshta dashnia ime e parë s’ke qenë,

Por ishe ajo dashni që i bane tana dashnitë tjera t’parandsishme (një poete amerikane).

…kur erdha në vendlindje në fundprill pas përfundimit të shkrimeve, e gjeta këtu shkaku i mbylljes së kufijve.

Nga prologu i librit:

Ai hyri vrullshëm në jetën time.

Disi Corona ma hodhi në përqafim.

Sytrazuarin, të mençurin, shpirtlirin.

Çfarë kombinimi është mes ëmbëlfjalit dhe burrërisë.

Këto dy anë të karakterit bënë që magnetshëm të tërhiqem prej tyre.

Po të vazhdoja ta përshkruaja do përfundoja në kiç ndoshta, haha.

Dhe do ma gllabëronte tërë këtë tekst.

…në gishtat e dorës numërohen njerëzit të cilëve do u jap nga një ekzemplar. Duke dhuruar e prishim tregun e botimeve; si të punojnë libraritë dhe ku ta gjejë lexuesi librin nëse nuk del në shitje!? Veç kësaj libri i blerë lexohet më shumë se sa i dhuruari.

Në Shkup do shitet në lokalet e mia të preferuara në çarshi, NGAQË NUK EKZISTON LIBRARI PËR LIBRIN SHQIP. Ndërkohë kishim dy ministra shqiptarë. Kishim, ama s’kishin lodra në bark. A.Ademit dhe H.Ismailit u bënte përshtypje numri i librave shqipe që kishin mbështetur, ndërkohë që shumica e botuesëve shqiptarë janë Hajnia dhe Diletantizmi vetë, autorët nuk paguhen, librat dalin pa lekturë, korrekturë dhe dizajn, shumica janë të cilësisë që nuk lexohen as nga anëtarët e familjeve, përvidhen tema si Pankreasi dhe sëmundjet e tij,Organet gjenitale…nuk më kujtohet si vazhdonte titulli, Pemët dhe perimet në korrelacion me ushtrimet trupore (Programi i botimeve shqipe për 2018, me ministër Robert Alagjozovski, të cilit pas këtij skandali të heshtur e në përgjithësi pas mandatit anemik nuk duheshte t’i jepet as kafe të shërbejë në Qeveri, e jo më si koordinator nacional, të bashkërendisë multikulturën, bashkëpunimin mes sektorëve dhe broçkullat e tilla).

…kur të filloj ta shpërndaj E “dua” Coronën në qytetet tjera me popullatë shqiptare në Maqedoni sigurisht do has në anegdota të rradhës dhe ngjajshëm si në kryeqendër, librat dhe posterat reklamuese do të përfundojnë në klubet kulturore shqiptare – kafeteritë dhe ndonjë çajtore me stil.

Ndoshta mungesën e librarive shqipe e zgjedh ministresha aktuale e kulturës, nuk ia kisha dëgjuar emrin, por s’është e thënë të jetë hendikep fakti që nuk e njohim dhe nuk është E jona…se këtu tash, anise nuk e vërejmë, ndërtohet opshtestvo za site.

Floskulë së cilës i besoj aq sa multikulturalizmit.

HIÇ.

Ngaqë të dyjat janë llafe për të fituar vota, respektivisht fonde vendore e evropiane për ta bërë Hiçin.

…kjo politika virus më i keq se Covidi.

A sa mirë po flisja për Kreshnikun.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button