Stoltenberg deklaroi se NATO do të ndërtojë një qendër të misioneve hapësinore në Rajmshtajn të Gjermanisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg konfirmoi të enjten se aleanca ushtarake do të krijojë një qendër hapësinore në bazën e Komandës Ajrore të Forcave Aleate në Ramshtajn të Gjermanisë. Duke folur në Bruksel pas një konference virtuale të ministrave të jashtëm të NATO-s, Stoltenberg konfirmoi njoftimet në lidhje me qendrën hapësinore të bëra më parë këtë javë nga agjencitë evropiane të lajmeve, njofton Portalb.mk.

“NATO është e vendosur të ruajë avantazhin e saj në të gjitha fushat”, tha ai, duke përfshirë “tokën, detin, ajrin, fushën kibernetikën dhe hapësirën”.

Në komentet e tij, shefi i NATO-s tha se qendra hapësinore e Komandës Ajrore Aleate do të ndihmonte për të koordinuar aktivitetet hapësinore të aleatëve dhe për të siguruar mbështetje për misionet dhe operacionet e NATO-s nga hapësira duke përdorur komunikimet satelitore dhe imazhet. Stoltenberg tha se qendra gjithashtu do të ndihmonte në mbrojtjen e sistemeve hapësinore aleate të NATO-s duke shpërndarë informacione rreth kërcënimeve të mundshme.

Stoltenberg ka thënë vazhdimisht se NATO nuk ka interes në “militarizimin” e hapësirës. Por të enjten, ai tha se kërcënimet ndaj satelitëve të NATO-s dhe sistemeve hapësinore janë reale.

Stoltenberg gjithashtu tha se ministrat e jashtëm të NATO-s shprehën shqetësimin në lidhje me arsenalin në rritje rus të raketave të sofistikuara bërthamore dhe rëndësinë e zgjatjes nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të traktatit START i Ri.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe ndërprerjen e të gjitha armiqësive midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e debatueshëm të Nagorno-Karabakut. Ky rajoni ndodhet brenda Azerbajxhanit por ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene të mbështetura nga Armenia që kur përfundoi lufta atje në vitin 1994.

Luftimet aktuale në Nagorno-Karabak shënojnë përshkallëzimin më të madh të konfliktit që nga përfundimi i luftës. Stoltenberg i bëri thirrje Turqisë që “të përdorë ndikimin e saj të konsiderueshëm në rajon për të ulur tensionet”.

Ndryshe ministrat e mbrojtjes të NATO-s dje dhe sot janë duke zhvilluar takim përmes një video-konference, të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg. Ministrat e mbrojtjes të 30 vendeve anëtare  të NATO-s në sesionin e djeshëm të Këshillit veri-atlantik diskutuan masat për të mbështetur përpjekjet civile për të parandaluar përhapjen e virusit Kovid 19 dhe solidaritetin aleat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button