Trump-Biden, mbrëmë zhvilluan debatin e dytë dhe të fundit presidencial

Presidenti aktual Donald Trump dhe i nominuari demokrat Joe Biden u përballën mbrëmë në debatin e fundit presidencial për vitin 2020, ku diskutuan për pandeminë e koronavirusit, ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet e SHBA-së, imigracionin dhe shumë tema të tjera, njofton CNN. Për 90 minuta, dy kandidatët shkëmbyen akuza. Ata sulmuan njeri-tjetrin për qëndrimet ndaj masave kundër pandemisë.U pë​rplasë​n lidhur me kujdesin shë​ndetë​sor, ekonominë​, krimin, marrëdhëniet racore dhe ndryshimet klimatike, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Trump tha se meritonte një mandat të dytë, pasi kishin ekonominë më të mirë para se të shpërthente pandemia. Presidenti u zotua ta rikthente në të njëjtën gjendje ekonominë.

Ndërkohë Biden, me një​ pë​rvojë​ në​ politikë​ prej afro një​ gjysmë​ shekulli, e sulmoi vazhdimisht presidentin pë​r udhë​heqje të​ gabuar, kaotike dhe u zotua se si president ai do ta bashkonte vendin.

Kandidati demokrat Joe Biden përsëriti akuzat e tij ndaj Presidentit Trump lidhur me reagimin ndaj pandemisë në debatin e dytë dhe të fundit mes dy kandidatëve për president.

“Kushdo që është përgjegjës për një numër kaq të madh vdekjesh nuk duhet të vazhdojë të jetë president i SHBA,” tha Biden.

Presidenti Trump u shpreh se virusi do të zhduket “dhe siç them unë, ne po rrumbullakosim kthesën, po ngushtojmë këndin. Po ikën”, tha Trump. Ndërsa rivali i tij Biden u shpreh se “derisa Trumpi thotë se jemi duke mësuar të jetojmë me të, njerëzit po mësojnë të vdesin me të”.

“Njerëzit meritojnë të kenë kujdes shëndetësor të përballueshëm, të parashikueshëm dhe propozimi ‘Kujdesi i Bidenit’, do ta parashikojë atë”, u shpreh kandidati demokrat Biden, duke nënvizuar se ligji ekzistues nuk u kishte lejuar kompanive t’u mohonin kujdes shëndetësor individëve me probleme ekzistuese shëndetësore. Ndërkohë Trumpi tha se donte të zëvendësonte ligjin e miratuar gjatë administratës Obama me diëka “shumë më të mirë” që do të ofronte të njëjtat mbrojtje, megjithëse administrata e tij nuk ka propozuar ende një reformë gjithë-përfshirëse.

Dy kandidatët u përplasën lidhur me akuza të ndërsjella për lidhje të dyshimta me interesa të huaja. Një pyetje lidhur me ndërhyrje nga jashtë në procesin zgjedhor amerikan shumë shpejt nxiti akuza personale, pasi Presidenti Trump akuzoi djalin e Bidenit, Hunter Biden për kontrata biznesi të parregullta me Kinën dhe Ukrainën. Një hetim i zhvilluar nga Komisioni i Senatit për Zbulimin, nën udhëheqje republikane, nuk zbuloi prova që i mbështesin këto akuza.

Pretendenti demokrat sulmoi politikat që ndoqi Presidenti Trump ndaj Koresë së Veriut. Ai akuzoi Trumpin se legjitimoi Korenë e Veriut. “Ai fliste se e kishte mik të mirë (udhëheqësin Kim Jong Un), i cili është gangster. Ai ka thënë se jemi mirë tani që Koreja e Veriut është më e aftë të hedhë raketa që mund të arrijnë në territor amerikan,” tha Biden.

Në sallën ku u zhvillua debati kishte rreth 200 pjesëmarrës të cilët para se të futeshin në sallë ishin kontrolluar për të garantuar që nuk kishin temperaturë. Të gjithë ishin të detyruar të mbanin maskë gjatë gjithë kohës.​

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button