fbpx

Në pritje të rishpalljes zonë të mbrojtur, Matka vazhdon të jetë e rrezikuar nga veprimtaritë ilegale

Përderisa kanioni Matka pret procedurat administrative për t’u rishpallur zonë e mbrojtur, në liqenin e Matkës vazhdojnë të jenë prezente barkat me motor të cilat janë të ndaluara rreptësisht sipas vendimit për shpalljen e Matkës një monument natyror, shkruan Portalb.mk.

Sipas këtij vendimi, të publikuar në Gazetën Zyrtare në maj të vitit 1994, i cili është ende në fuqi, në kanjon që është rezervat unik natyror, jo vetëm që ndalohet çfarëdo ndërtimi dhe aktivitete ndërtimore me të cilat do të çrregullohej integriteti dhe pamja e këtij monumenti natyror, por ndalohet edhe lëvizja e vizitorëve pa njoftim paraprak.

Barkat me motor, Matkë
Foto: Portalb

Edhe përkundër kësaj, pronarët që kanë ndërtuar platformat ilegale, që po ashtu janë në kundërshtim të këtij vendimi, vazhdojnë që të përdorin barka me motor të cilët vizitorët mund t’i huazojnë për shëtitje në liqen.

Të pyetur se, deri ku është procedura për e përcaktimit të kufijve të zonës së mbrojtur, e cila duhet të realizohet nga ana e Qytetit të Shkupit, në mënyrë që Matka të mund të rishpallet zonë e mbrojtur si monument i natyrës, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e natyrës, nga Qyteti i Shkupit thanë se janë në pritje të dokumentit final nga Studimi për revalorizimin.

Foto: Portalb

“Qyteti i Shkupit është në pritje të dokumentit final nga Studimi për revalorizimin e vlerave natyrore të kanionit Matka. Pas marrjes së këtij dokumenti, Qyteti do të dorëzon iniciativë në MMJPH për rishpalljen e këtij lokaliteti duke dorëzuar Propozimin e miratuar nga Këshilli Qytetit të Shkupit si lokalitet i mbrojtur – Kanioni Matka. Pas përfundimit të të gjithë procedurës së parashikuar nga Ligji për mbrojtjen e natyrës, Kuvendi duhet të miratojë një Ligj për rishpalljen e kanionit Matka – lokalitet i mbrojtur”, deklaruan për Portalb.mk nga Qyteti i Shkupit.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit Jetësor, në përputhje me Ligjin për mbrojtje të natyrës, në vitin 2014 kanë hartuar edhe një projekt-ligj për të shpallur Matkën monument natyror me propozim për kufijtë e jashtëm. Por, që propozimi të vijë në procedurë qeveritare, për shpalljen e Matkës një zonë të mbrojtur në kategorinë III – një monument natyre, duhet që Qyteti i Shkupit të përcaktojë përfundimisht kufijtë e zonës së mbrojtur.

Foto: Portalb

Kanioni i Matkës qysh nga viti 2004 është duke pritur që të shpallet sërish zonë e mbrojtur si monument i natyrës. Një nga raritetet më të bukura natyrore në vend, që është shtëpi e shumë specieve të rralla dhe endemike të bimëve e kafshëve, duke përfshirë shkabën egjiptiane dhe shkabën me kokë të bardhë (grifon), të cilat janë në listat e kuqe të specieve të rrezikuara, ka mbetur e pambrojtur për gati dy dekada para sulmeve të ndërtimeve të paligjshme dhe pa menaxhim të duhur që do të sigurojë ruajtje të vlerave natyrore të këtij kanioni.

Megjithëse Ligji për mbrojtjen e natyrës, i miratuar 16 vjet më parë, kishte paraparë që të gjitha pjesët e vendit, të mbrojtura sipas ligjeve të vjetra të ri-shpallen, duke i përcaktuar kufijtë dhe  menaxhuesin me ato zona, këto procedura po vazhdojnë me një ritëm shumë të ngadalshëm.
Ligji nuk parashikon afate kohore për këto aktivitete, kështu që Matka, si dhe shumë zona tjera, janë lënë në mëshirën e uzurpatorëve të ndryshëm. Megjithëse Vendimi i vjetër për shpalljen e Matkës si monument natyror, i miratuar në vitin 1994 nga Kuvendi i atëhershëm i Qytetit të Shkupit, në bazë të Ligjit për Mbrojtje të rariteteve natyrore të vitit 1973, është ende në fuqi, kanioni mbeti pa menaxhues, pasi shoqata speleologjike “Peoni” nuk e kryen këtë funksion dhe Matka është plotësisht e pambrojtur.

Për këto 16 vjet, përmes granteve nga institucione ndërkombëtare, janë përgatitur dy dokumente të domosdoshme, por versionet e tyre përfundimtare nuk janë gati, në mënyrë që të përfundojë procedura e ri-shpalljes.

Në vitin 2010, u përgatit Studimi për rivlerësimin e vlerave natyrore të zonës së mbrojtur, monument natyror, “Kanioni i Matkës” në kuadër të projektit të UNDP “Forcimi i qëndrueshmërisë ekologjike, institucionale dhe financiare të sistemit të zonave të mbrojtura kombëtare të Maqedonisë” me fonde nga Bashkimi Evropian. Vitin e kaluar, gjithashtu përmes UNDP, një projekt u financua për të rishikuar kufijtë e zonës së mbrojtur, i nevojshëm për të miratuar Ligjin për shpalljen e lokalitetit Matka monument natyror.

Vendimi për shpalljen e Matkës një monument natyror, është vendim që në vitin 1994 e ka miratuar kuvendi i atëhershëm i qytetit të Shkupit, me të cilin është përcaktuar që në kanion mund të lëvizin vetëm mjete lundruese me energji elektrike.

Matkë, sipas këtij dokumenti, jo vetëm që nuk guxon të voziten barka me motor dhe të ndërtohen platforma, nuk guxojnë të hidhen mbeturinat dhe shkarkohen ujëra të zeza, nuk guxon as të shkaktohet zhurmë dhe dridhje ose në shpella të hyhet pa kontrollë. Vendimi është aq i detajuar sa që ndalohet madje edhe të këputet një lule.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close