SHËNIME PËR SHKODRËN E FILLIMSHEKULLIT

Ludevit Pivko (1880 – 1937), profesor dhe politikan slloven, i diplomuar për sllavistikë e gjermanistikë në Universitetin e Pragës, i njohur me pseudonimet Pavel Poljac dhe Janko Osojiq, ka botuar librat: “Historia e shkurtër e popullit slloven” (1907), “Historia e sllovenëve” (1909), “Hokatari nga Podrava” (1910), “Carzano” (1924) etj.

Te libri “Carzano” (origjinal: “Proti Avstriji – Carzano, Seme”, Maribor, 1924), ai shkruan për shqiptarët e Shkodrës e rrethinës dhe për kauzën shqiptare.

Carzano (Karçano) është luginë në provincën e Trentos, në Itali, ku Pivko shërbeu si shef i shërbimit sekret në armatën e gjashtë italiane, pasi dezertoi nga ushtria austro-hungareze.

Pivko, një ithtar i idesë pansllave, ishte kundër Austro – Hungarisë, kurse kjo qasje vërehet edhe në këtë libër me kujtime nga vitet 1916/17, por aty nuk shprehet urrejtje ndaj shqiptarëve.

Ai qëndroi në Shkodër, Kastrat, Golem, Koplik e Tarabosh. Më 14 shkurt të vitit 1916 ishte në rrethinën “e Shkodrës së bukur, me shkodranë të pasur, veshur me xhamadanë plot me kopsa ari, që pëlqenin gjuetinë e zogjve dhe peshkut”.

Ushtria austriake ishte vendosur në Golem, sepse në Shkodër kishte epidemi kolere. Aty, me ndihmën e njëfarë Jusuf Isoviqit, “që dinte shqip e turqisht”, ishte mirëpritur nga Husein Ibrahimi, “një shqiptar shumë mikpritës“. Shqiptari, që “fliste shkurt e thjesht dhe ndryshe fliste me shqiptarët dhe ndryshe me të huajt”, dinte ca fjalë serbisht, të cilat i kishte mësuar në pazarin e Podgoricës.

Ky autor, kur e përshkruan mikpritjen shqiptare, shënon edhe fjali në gjuhën shqipe, si: “Baft mirë!”, “Mir set pruni Zoti!”, “Shum mot e të natë mir!”, “A je mir?”, “Natja e mir!”, “Shpijo”. Gjithashtu tenton ta rrëfejë në origjinal bisedën e nikoqirit, i cili i flet për lëvizjet e ushtrisë serbe, ndërsa prej një ushtari kishte blerë një kalë, që e kishte shitur për të blerë bukë e qumësht.

»Serbijani škojn (gredo) — škon (gre) kolona sot diljen (danes v nedeljo), škon nesr hanjen (jutri, v pondeljek). Merkur jen (v sredo) škojn kombol, kombol (mnogo) vojnik e oficir. Kolona giat (dolga) let (deset) — diimlet dan (dvanajst dni). Serbijan — ka (ima) mjeft kalen (mnogo konj), aj ka bukur kalen (lepe konje). Serbijan oficir proda na Golemi sahat, serm (kaže uro, kojo je kupil od Srba) e kupi buk (kruha) e tamle (mleko). Ata škojn na Skodra — penslet min (50.000) Serbijan e njizet min kalen (20.000 konj).«

Në Shkodër atij i kishin bërë përshtypje mbishkrimet në gjuhën të huaja, sikurse: “Rue internacionale” ose emri i tregut “Augustin Lupi de Melgussi”. Teksa e përshkruan “qytetin e vjetër”, flet edhe për legjendën e Rozafës, që, sipas tij, “ishte si në këngët tona”.

Shkodra, sipas tij, ishte qytet dhe treg me 40 mijë banorë, me shqiptarë myslimanë e katolikë, që ishin tregtarë të shkathtë, veçanërisht të duhanit. Aty pa një kazermë të madhe, ku eprorët gjermanë i ushtronin rekrutët shqiptarë. Edhe pse tentonin t’ua mësonin terminologjinë ushtarake në gjuhën gjermane, shqiptarët vazhdonin të përshëndeteshin “sipas mënyrës turke” dhe nuk i hiqnin pushkët prej supeve ngado që shkonin.

“Çdo shtëpi shqiptare është e detyruar që të jep një “vullnetar” për ushtrinë e re shqiptare, në besëlidhje të mirë me qeverisjen austriake”, shkruan ai.

Përreth Bunës kishte vënë re një mënyrë tjetër jetese, më të rehatshme dhe me tregti shumë më të zhvilluar.

Pivkos s’i pëlqente qëndrimi i austriakëve, që besonin se shqiptarët ishin ndihmesë e madhe në luftën kundër Malit të Zi dhe Serbisë. Një epror austriak i çmonte shqiptarët për trimërinë e theksuar. Ai i kishte thënë se shqiptarët s’i pëlqenin istikamet, që shërbenin si mbrojtje nga armiqtë dhe “nuk kishin lindur për të qenë servilë”.

Shumëçka për politikën austriake dhe shqiptare e kishte mësuar në hotel “Europa” të Shkodrës, ku shërbehej verë franceze e shampanjë. Hoteli drejtohej nga dalmatinasi Miçiq, “më shumë shqiptar i mirë se sa sllav“.

Në këtë hotel e kishte takuar kapitenin Mariq, i cili i kishte thënë se nëse shqiptarët do ta kishin qeverinë e tyre, atëherë do të emëronin 500 ministra, të gjithë analfabetë.

Po në këtë hotel, nën mbrojtjen e Zepit (me gjasë Zefit), “një shqiptar i gjatë me veshje evropiane”, ishte takuar “me peshkopin e Shkodrës, Monsignor Bunçe”, i cili mendonte se Shkodra dhe Shqipëria e veriut duhej t’i bashkoheshin Austrisë e të luftonin kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Kjo ide, që Pivkos i kishte lënë shije të keqe, te pjesa katolike përhapej nëpërmjet priftërinjve katolikë, kurse te pjesa myslimane prej emisarëve të tjerë. Si ndërmjetësues ndërmjet austriakëve dhe shqiptarëve shërbente edhe pronari i hotelit, që njihej si austrofil.

Më 14 shkurt të 1916, Ludevit Pivko gjendet në Tarabosh, ku mahnitet nga bukuritë natyrore, por trishtohet nga gjendja e mjerë e ushtarëve serbë, shumica të sëmurë me kolerë e tifo. Ai ndjen keqardhje dhe admirim për këta ushtarë. Krejt ndryshe i duket gjendja e ushtarëve rusë.

Disa ditë më vonë e gjejmë në një meshë, ku “shqiptarët më shumë bërtitnin se sa këndonin”.

Autori i përshkruan edhe gratë shqiptare. Myslimanet, shkruan ai, shitnin punime të bukura dore në treg, kurse e krishtera Mara nga Kastrati i lutej që të mësonte diç për fatin e vëllait të saj, Mirash Lucit. Kur Pivko i rrëfeu asaj dhe të ëmës (“Nana Luca Mirasha”), se Luci ishte gjallë, Mara e quan atë “vëlla”. Disa ditë më vonë merr një letër nga Luc Mirashi, që i bën me dije se tani kishte një sivëlla nga Kastrati. (»Zotnie Lek Mirashi!« »Meni 1 Marc n’ vjet 1916« me firmën »Zotnie Lek.«).

Shënime të këtilla për Shkodrën dhe qytetet tjera gjejmë nëpër shumë libra pothuajse të panjohur për lexuesin shqiptar, por edhe nëpër ditarët e ushtarëve të ndryshëm, të cilët kishin shërbyer në Shqipëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button