RMV, Zaev: Nëse nuk fillojmë negociatat, dihet se na kërkohet të pranojmë diçka që nuk duam

Nëse nuk merret një vendim për konferencën e parë ndërqeveritare, e cila zyrtarisht shënon fillimin e negociatave me BE, atëherë duhet të dihet se nga ne kërkohet të bëjmë diçka që nuk duam ta pranojmë. Ky mesazh u dërgua sot nga Kryeministri Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ai tha se Bullgaria nuk kërkon ndryshimin e Kushtetutës, as nënshkrimi një marrëveshje të re midis dy vendeve nuk është zgjidhje për problemet, ndërsa pret që fqinji lindor në periudhën e ardhshme të dëshmojë narrativat se është mbështetësi më i madh i vendit, është shprehur Zaev, njofton Portalb.mk.

“Bullgaria është vend anëtar i BE-së, të gjithë anëtarët në dhjetor duhet të sjellin vendim për konferencën e parë ndërqeveritare. Ne kemi një raport të shkëlqyeshëm, jemi të inkurajuar nga fondi infrastruktur-ekonomik i BE-së për Ballkanin Perëndimor prej 9 miliardë eurosh. E gjithë kjo është një e ardhme e bukur përpara nesh. Besoj se Bullgaria, e cila ishte mbështetësi më i madh, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Kjo konfirmohet në të gjitha deklaratat e tij. Besoj se kjo do të ndodhë në dhjetor, por nëse nuk do të ndodhë atëherë, duhet ta dimë se po kërkohet diçka për të cilën nuk mund të flasim dhe as që do të donim ta pranonim”, deklaroi Zaev.

Ai edhe më herët është shprehur se “miqtë dhe vëllezërit, konfirmojnë pa dyshim faktin e ekzistencës së gjuhës dhe popullit maqedonas dhe kjo nuk duhet të vihet në dyshim.”

Kryeministri Zoran Zaev edhe disa ditë më parë pati deklaruar se nuk dëshiron të flas për “plan B” në rast se në dhjetor nuk fillojnë negociatat për anëtarësim në BE, pasi sipas tij, vendi duhet të arrijë sukses. Zaev tha se si kryeministër asnjëherë në Qeveri nuk kanë bërë “plan B”, sepse në atë rast do të dorëhiqej nga “plani A”.

Bullgaria disa herë ka paralajmëruar bllokadë për fillimin e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Së fundmi ministrja e jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva në një takim me ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani tha se Bullgaria e para e ka pranuar pavarësinë e vendit dhe ka pranuar shumë herët realitetet moderne politike. Ajo ka shtuar se vendi i saj çdoherë ka mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk ka pasur pretendime territoriale dhe asnjëherë nuk ua mohuar të drejtën e vet identifikimit të qytetarëve të saj. Kreu i Qeverisë së vendit, pas kësaj deklarate tha se bisedimet mes ministres së Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva dhe ministrit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nuk kanë qenë të mira dhe nëse Bullgaria mbetet në atë që ka propozuar, populli i Maqedonisë duhet të përgatitet se në dhjetor nuk do të fillojnë bisedimet me Bashkimin Evropian.

Në mars, Bashkimi Evropian miratoi vendim për fillim të pakushtëzuar të bisedimeve hyrëse me Maqedoninë e Veriut dhe pritet që konferenca ndërqeveritare të mbahet deri në fund të vitit, gjatë kohës së udhëheqësisë gjermane. Bullgaria në shtator dërgoi memorandum sqarues deri te vendet anëtare të BE-së,  ku mes tjerash thotë se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe është dialekt i gjuhës bullgare, por edhe se populli maqedonas është projekt i ish liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Me konferencën ndërqeveritare fillojnë bisedimet, por që të ndodh ajo, të gjitha vendet anëtare duhet që ta harmonizojnë kornizën negociuese, proces të cilin për momentin e bllokon Bullgaria, duke kërkuar lëshime për historinë dhe gjuhën maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button