KOMBE TË PËRÇARA, ARDHMËRI E ZYMTË

Mëngjesi i një dite të vjeshtës dhe rutina  e fillimditës. Duke shijuar kafenë me dy kolege të UEJL-së, mes tjerash, njëra rrëfen për  mbesën e saj të vogël dyvjeçare që ka mësuar të mbajë maskën, që ndonëse qenie e njomë, është adaptuar në normalitetin jonormal, tjetra për teoritë e konspiracionit. Vazhdojmë duke diskutuar traumat që po përjetojmë, duke konstatuar njëzëri se po hapërojmë drejt paqartësive, se jemi brez me fat: “Shumë më vjen keq për brezat që po vijnë”, “Ne kemi pasur vite të lumtura”, “Kemi shijuar një rini me shumë të mira”.  Dhe, më vonë, duke surfuar në internet në kërkim të botimeve më të reja për njërën nga lëndët që po ligjërojmë, rastisëm në një vepër shumë aktuale me titull interesant, Disunited Nations: The Scramble for Power in an Ungoverned World  (Kombet e përçara: Përleshja për fuqi në një botë të paqeverisur, Harper Business, 2020), të autorit Peter Zeihan, analist gjeopolitik nga Stratfor, një nga kompanitë më të fuqishme botërore të inteligjencës gjeopolitike.

Në këtë vepër, botuar në mars, mu para furtunës së Ciovid-19,  që vijon pas veprave Superfuia aksdentale: Brezi i ardhshëm i epërsisë amerikane dhe çrregullimi global që po vjen (2014) dhe Superfuqia e munguar: Revolucioni i shistit argjilor dhe një botë pa Amerikën (2017). Në të ai prezanton një vizion unik dhe bindës për ardhmërinë e planetit. (abc.nl), shqyrton të dhëna lidhur me gjeografinë, popullatën dhe politikën globale, me qëllim që t’i shpjegojë trendet ekonomike, duke bërë parashikime interesante.

Në këtë libër, që  ndryshe është quajtur edhe version gjeopolitik i Homo Deus-it të Yuval Noah Hararit, zbërthehet një botë ku askush nuk gjen gjuhë të përbashkët, një botë turbulente, një botë abnormale, që do të dallojë nga ajo e 70 viteve të fundit, nga ajo e periudhës nga fundi i LDB-së e këndej. Brenda faqeve të kësaj vepre Zeihan shpjegon se si do të duket një botë kur marrëveshjet tergtare abrogohen, kurse institucionet ndërkombëtare e humbin fuqinë e tyre, kur disa kombe prosperojnë, përfshirë SHBA-të e zioluara, kurse disa të tjera përballen me kaos politik, regresion ekonomik, luftëra dhe varfëri për shkak të avarisë së zinxhirëve globalë të furnizmit dhe të shkëputjes së kooperimit ndërkombëatër.

Një recensë interesante lidhur me të ka shkruar Ikenberry i cili thotë se vështrimi i botës së sotme të fragmentuar në tërheq vërejtjen si më tepër kaos dhe konflikte po duken në horizont. Sipas Zeihanit, epoka e post-1945 e paqës dhe prosperitetit ishte një shmangie historike, e mundësuar nga sistemi tregtar dhe i aleancave i udhëhequr nga ShBA-të. Ky sistem hegjemonik, të cilin ai e quan “Rendi” (the Order) për dekada të tëra ka vënë themelet e progresit në arsim, shëndetësi, mirëqenie, siguri, demokraci dhe lidhshmëri ndërnjerëzore. Rendi ishte historikisht unik, një “anomali” që s’përsëritet më, fundi i së cilës do të prodhojë kaos e çrregullim në shkallë epike. Administrata e Trumpit po e përshpejton procesin, ndonëse rendi është kah dobësohet për dekada. Zeihan paraqet një pamje të zymtë të kolapsit të tregjeve, të përkeqësimit të normave globale, të përshkallëzimit të konflikteve për energji dhe ushqim dhe kthimit të luftrave mes fuqive të mëdha për epërsi detare dhe mbi kufijtë territorialë. (Foreign Affairs, 9-10/2020)

Epoka e përfshirjes së tepërt (hyper-involvement) të SHBA-ve në çështjet globale është kah mbyllet, Amerika po tërhiqet nga roli i saj i kujdestarit të skenës ndërkombëtare, veprim ky që do ta çojë planetin drejt kaosit. Kjo tërheqje, si rrjedhim i kapacitetit amerikan për të qenë shtet i vetëmjaftueshëm (self-sufficient), i mbrojtur me male dhe oqeane, me ultësira pjellore dhe lumenj të lundrueshëm, do të ketë konsekuenca për qeveritë, bizneset, pensionistët dhe për çdokë që jeton në vendet shfrytëzuese të të mirave të rendit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në tre gjeneratat e kaluara. Zeihan është anti-Chomsky; ky i fundit pohon se politika e jashtme amerikane është destruktive për botën, kurse Zeihan shënon se aparati amerikan i sigurisë është pozitiv për njerëzimin.

Fundi i hegjemonisë amerikane do të jetë i mirë për Amerikën, por katastrofik për pjesën më të madhe të botës. Për dekada, aleatët e Amerikës janë varur nga fuqia e saj për sigurinë e tyre ekonomike dhe fizike. Bota nuk po çintegrohet, ajo po shtyhet drejt çintegrimit. Do të fitojnë vendet dhe bizneset që janë të gatshme për këtë etikë të re “çdo-vend-për veten” (every-country-for-itself ethic). Ata që do të nguliten në status quo do ta gjejnë veten në një çrregullim të ri global. Bashkë me Amerikën do të tërhiqen në vete edhe Britania e Madhe dhe Brazili.

Ndërkohë, pyetjet që shtrohen janë nëse duhet të brengosemi për vyshkjen e fuqive si Kina, Rusia, Gjermania dhe Irani, nëse venitja e bashkëpunimit ndërkombëtar do t’i bëjë Francën, Turqinë, Japoninë dhe Arabinë Saudite shqetësime kulmore ndërkombëtare? Rusia, India, Kina dhe Brazili nuk do të jenë më superfuqi dhe wunderkindët e botës. Kina, e jo Koreja e Veriut, do të përjetojë kolaps, dhe për shkak të bllokadës ekonomike kurrë nuk do të arrijë të bëhet fuqi ushtarake; Europa do të jetë në rrëmujë e bela, kurse SHBA-të do të mbziotërojnë sërish për shkak të gjeografisë, pavarësisë energjetike dhe varësisë minimale nga tregtia. Vendin e Gjermanisë si fuqia më e madhe europiane, si rezultat i pozitës gjeo-strategjike, do ta zë Franca.

Shkurt: shteteve ua japin forcën gjeografia, burimet dhe kufijtë e sigurt. SHBA-të, që kanë garantuar sigurinë ushtarake, që ka mbajtur të lira komunikimet detare dhe që ka eksportuar nga vendet në zhvillim,  po i thonë botës “në dreq të mallkuar, bëni ç’të doni”, s’dëshiron më të luajë rolin e policit të botës, kurse bota po hyn në një periudhë kritike. Asnjë lider politik apo korporativ nuk mundet t’i injorojë analizat ose porositë e Zeihanit nëse dëshiron që mbijetojë ose të rritet në këto kohëra të pasigurta. Si një alternativë, lexojeni  veprën e Parag Khanna Ardhmëria i përket Azisë (The Future is Asian).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button