TIFF HYNERI

Suksesi i TIFF ODA do ishte edhe vetëm fakti që nuk u mbajt në Corona-format, sa për të thënë që u mbajt, por në miks efektiv: 50 filma të metrazhit të shkurtër përmes platformës online në sinesquare, 15 filma të metrazhit të gjatë në mënyrën më të mirë të mundshme që ka kuptim: interakcion direkt i publikut me ekranin e madh dhe me protagonistë filmikë (aktorët Adriana Matoshi, Ariton Pollozhani, etj), dhe kinema shetitëse në të hapur me program për fëmijë në Gostivar, Kërçovë e Dibër.

Me çka u kënaqëm/kënaqa gjatë kësaj jave intensive kinematografike në Tetovë mbrëmjeve me shi?

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

Filmi i fundit i Gjergj Xhuvanit Liqeni im, përmes tabllove të natyrës dhe fotografisë së bukur solli rrëfimin për djalin në interpretim të Aritonit Pollozhanit. Lojal ndaj miqve. Joimun ndaj kontrabandimit në trekëndëshin kufitar të liqenit të Prespës. Por, shpirtërisht i dëlirë. Emocionet ndaj mësueses së tij duken pa gjasa realizimi deri në skenën e fundit kur të dy vështrohen në mënyrë dashurore në barkën që lundron liqenit që është i imi, e kur secili thotë është i imi, atëherë si mund të jetë vetëm i imi, shkruante në hartimin e vet filloristi. Metaforë për shumëçka.

Besnik Mustafaj në Vera pa kthim, për mendimin tim më mirë se në Doruntinën e Kadaresë e shtjellon motivin e besës shqiptare, kurse filmi sjell përpiktazi atmosferën e romanit, të ngriturin nga varri që kalon një javë dashurie të akulltë me të dashurën, për ta mbajtur Fjalën…Hoteli ku qëndrojnë me personelin me dyshime, Shiu në Qytet, ankthet e vajzës së lodhur nga Pritja e cila e ndjen që diçka nuk po shkon në takimin e ëndërruar qëmoti…Eksizaman dashni, eskizaman Besë që nuk është më.

Cirku fluturues i Fatos Berishës, me shumë inteligjencë dhe humor, parodik, freskues në kuptimin e plotë të fjalës, i shkëlqyer në kastingun, në regjinë. Parandjenja për afrimin e luftës së Kosovës është në sfond të filmit, por Ëndrrat realizohen kur në ëndrra besojmë mbetet moto e tij jetëdhënëse.

Pinokio, realizim italian i klasit të parë, me Roberto Beninin. Mjegullnajë poetike e fotografisë, mesazhe në gjuhën fëmijërore intrigante edhe për të rritur dhe salla plot fëmijë me prindër që u kënaqën, e pas të cilëve mbeten pezull pyetjet: kush ua afron Librin, Filmin, Shfaqjen, dhe pse nuk e bën këtë duke i menduar si brez tjetërfare?? Shpirti është i njëjti, në çdo kohë, ose më qartë: shpirti është i gjithkohshëm, të rriturit vetëm kërkojnë alibi për mosbërjet.

Rrëfimi për gruan e traumatizuar nga lufta e Kosovës që ka humbur në luftë vogëlushen dhe me inhibimet psikologjike nuk mund të mbetet me barrë ishte strumbullari i filmit Zana në regji koherente të Antoneta Kastratit, vazhdimësi e ciklit të filmave të arrirë kosovarë të viteve të fundit. Fotografia e shkëlqyer. Edhe një rol për ta mbajtur mend i Adriana Matoshit.

Publiku i duartrokiti gjatë, gjatë, me meritë. Ajo dukej si Liza në botën e çudirave; anise e mësuar me ovacione dhe shpërblime, nuk kishte zvetënuar aftësinë të gëzoheshte si një fëmijë, por pa çallëm, tamam si gëzohen kalamajt.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button