Komuna e Tetovës e paaftë në “luftën” me shitësit ambulant, dështon në çdo tentativë (VIDEO)

Rrugët në sheshin e qytetit të Tetovës si dhe në pjesën më të madhe të rrugëve tjera janë tërësish të uzurpuara nga shitësit ambulant dhe bizneset të cilat vendosin produktet e tyre në hapësira publike që nuk ju takojnë atyre. Tre tentativat e Komunës së Tetovës për zgjidhjen e këtij problemi rezultuan të dështuara. Portalb.mk regjistroi një pjesë të këtyre shitësve ndërkaq nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) informojnë se vetëm dje kanë sanksionuar 12 shitës ambulant, shkruan Portalb.mk.

Ndërkaq shitësit nëpër trotuaret rreth “Tregut të Gjelbër” ankohen se brenda në treg vendi është shumë i papastër, nuk ka mjaftueshëm vend për të gjithë dhe nuk kalojnë aq konsumatorë sa kalojnë në trotuare. Kështu që ata kanë uzurpuar trotuaret jashtë tregut.

Në pjesën më të madhe të Komunës së Tetovës është e pamundur për këmbësorët që të ecin aty ku ju takon për shkak se trotuaret janë tërësisht të uzurpuara nga shitësit ambulant dhe bizneset të cilat vendosin produktet e tyre në vendkalimet për këmbësorët.

Vetëm dje, gazetari i Portalb.mk përmes kyçjes me video të drejtëpërdrejtë në “Fejsbuk” regjistroi shumë shitës ambulant të cilët tërësisht kishin bllokuar apo uzurpuar rrugët e pjesës qendrore të qytetit, afër Tregut të Gjelbër.

A dënohen dhe sa është dënimi për këta persona?

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se vetëm dje janë shqiptuar 12 masa sanksionuese për këta shitës, aktiviteti është realizuar në bashkëpunim me inspektoratin komunal të Tetovës.

“Me datë 15 tetor, në bashkëpunim me inspektoratin komunal në rrugët “120” dhe “Boris Kidriç” në Tetovë janë vendosur 12 masa sanksionuese për nxjerrjen e produkteve bujqësore dhe të tjera në trotuare, por edhe në korsi. Këto masa do të përgatiten në përputhje me nenin 12 të Ligjit për siguri në rrugë dhe komunikacion” tha Marjan Josifoski nga SPB, Tetovë.

Ndërkaq sipas Ligjit për Siguri në Komunikacion dënimi për personat fizik në raste të tilla është 100 euro ndërkaq për personat juridik 2000 euro në kundërvlerë denarë.

Nga Sektori për Punë të Brendshme sigurojnë se “Aktivitete të tilla me dinamikë më të ngadalësuar do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, me qëllim që këmbësorët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik të ndjehen të sigurt dhe pa pengesa të kryejnë punët e tyre”.

Tre tentativa, tre dështime të Komunës së Tetovë për zgjidhjen e këtij problemi

Hera e parë kur u ndërmorën masa për largimin e shitësve ambulant dhe lirimin e hapësirave publike në shfrytëzim për qytetarët e këtij qyteti ishte në vitin 2016, ku Këshilli Komunal votoi për largimin e tyre dhe zhvendosjen e tyre në qendrën tregtare në dhe tek stacioni i autobusëve, kjo nuk ndodhi.

Ndërkaq tentativa e dytë për zgjidhjen e këtij problemi ishte në vitin 2017 ku nga inspektorati komunal i Komunës së Tetovës për disa ditë me radhë u ndërmor një aksion për largimin e shitësve ambulant, të njëjtit u kthyen në vendet e mëparshme vetëm disa ditë më vonë.

Ndërkaq projekti i komunës “Qyteti yt, hapësira yte” filloi në shkurt të vitit 2019, ku inspektorët komunal përveç pjesës në tregun e qytetit, largonin edhe produktet e shitësve në pjesë të ndryshme të qytetit.

Më nëntë shkurt të vitit 2019, Komuna e Tetovës lajmëroi se trotuaret do të jenë të hapura sepse qytetarët i meritojnë ato të tilla. U shpërnda një video në Facebook ku shihen trotuaret të liruara.

“Lirimi i hapësirave publike do të vazhdojë dhe të njëjtat do ju kthehen qytetarëve. Do të merren në konsideratë të gjithë shitësit të cilëve do ju garantohet hapësirë brenda tregut të gjelbërt. Tregut të gjelbërt i nevojitet një transformim dhe ky transformim duhet të filloj me lirimin e hapësirave publike, të cilat janë pasqyrë e përbashkët e jona”, thuhet në postimin e Komunës së Tetovës më nëntë shkurt.

Megjithatë, edhe kjo dështoi për shkak se të gjithë shitësit të cilit kishin uzurpuar hapësirat publike u kthyen në vendet e tyre vetëm pak ditë pas aksionit të Komunës së Tetovës.

Ndryshe, shitësit nëpër trotuaret rreth “Tregut të Gjelbër” ankohen se brenda në treg vendi është shumë i papastër, nuk ka mjaftueshëm vend për të gjithë dhe nuk kalojnë aq konsumatorë sa kalojnë në trotuare. Kështu që ata kanë uzurpuar trotuaret jashtë tregut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button