RMV, studentët e vitit të gjashtë të mjekësisë do t’iu ndihmojnë kolegët në procesin e përballjes me Kovid-19

Studentët vitit të gjashtë të mjekësisë së përgjithshme do të mbështesin kolegët e tyre, epidemiologë, në përpjekjet e tyre për t’u përballur me pandeminë e koronavirusit, informojnë nga Ministria e shëndetësisë. Për atë qëllim, të enjten ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Sonja Topuzovska, patën një takim me studentët e vitit të gjashtë për të diskutuar përfshirjen e studentëve, mjekëve të ardhshëm, në procesin e përballjes me koronavirusin, shkruan Portalb.mk.

“Në kushtet kur po përballemi me krizën më të madhe shëndetësore botërore, studentët e mjekësisë, e ardhmja e shëndetësisë sonë, po përfshihen në mënyrë aktive në mbështetjen e kolegëve të tyre. Ata janë unanimë se duan dhe mund të ndihmojnë në periudhën që do të vijë. “Angazhimi i tyre do të jetë ndihmë për kolegët epidemiologë në komunikimin telefonik me pacientët, përgatitjen e sondazheve epidemiologjike dhe përpunimin e të dhënave”, tha Ministri Filipçe, duke shtuar se ata nuk do të kenë kontakt fizik me pacientë të infektuar ose të dyshuar për Kovid-19.

Angazhimi i studentëve do të zgjasë gjashtë muaj dhe do të ndahet në tre faza. Çdo dy muaj, 50 studentë të rinj do të punësohen në Qendrat e Shëndetit Publik.

Koordinimi dhe shpërndarja e grupeve është në rrjedhë e sipër, ndërsa angazhimi i studentëve do të fillojë sa më shpejt që mundet.

“Përfshirja e studentëve është një ndihmë e drejtpërdrejtë për punonjësit shëndetësorë dhe sistemin shëndetësor, të cilët e mbajnë barrën më të madhe të krizës. Një përfitim shtesë është që studentët, përveç që të fitojnë përvojë, përmes këtij angazhimi do të realizojnë praktikën klinike për shëndet publik, të cilin e kryejnë në vitin e gjashtë të studimeve dhe kjo do t’ju njihet”, theksoi Topuzovska.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut këto ditë po shënon numra alarmantë me raste të të infektuarve me virusin korona. Vetëm në 24 orët e fundit ka 535 raste të reja ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 22.170, të shëruarve në 16.758, të vdekurve në 815, ndërkaq për momentin ka 4.597 raste aktive.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button