RMV, tre deputetë të infektuar me korona virus, opozita nuk pajtohet që Kuvendi të punojë online

Edhe deputetja e VMRO – DPMNE-së, Jadranka Pockova është pozitive me korona virus. Numri i deputetëve të infektuar është rritur në 3. Përveç Pockovës, të infektuar janë edhe Ismail Jahoski nga BDI dhe Laze Tanevski nga LSDM. Anketat e epidemiologëve për kontaktet e deputetëve me tre kolegët e infektuar kanë përfunduar dhe të gjithë kanë thënë se nuk kanë pasur kontakte me to, transmeton Portalb.mk.

Ndërkohë, sot në koordinim te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, grupet parlamentare nuk kanë arritur pajtueshmëri për ndërprerje të punës me prezencë fizike. Debati i koordinatorëve do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.

VMRO-DPMNE nuk pranon që përderisa pandemia me korona virus është në kulmin e saj, të punojnë nga shtëpia, pasi vlerësojnë se kjo është antikushtetuese.

Deputeti, Antonio Milososki vlerëson se nëse pushteti e ndryshon Kushtetutën dhe Rregulloren atëherë kjo do të ishte në rregull, por nëse atë e bën në mënyrë të njëanshme, çdo ligj i miratuar në seancë elektronike do të paraqiste rrezik për sigurinë juridike, sepse ligjet e miratuara në atë mënyrë janë në kundërshtim me nenin 69 të Kushtetutës.

Ndërkohë, nga LSDM thonë se duhet të gjendet mënyrë se si deputetët që janë të infektuar me korona virus të punojnë online, përkatësisht të votojnë. Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski sot tha se ka propozuar veç më metodë të kombinuar në koordinime. Propozimi është që ata deputet të cilët kanë vendim për izolim për shkak të korona virusit, të diskutojnë dhe të votojnë online, nga shtëpia ndërsa të tjera të vijnë në seanca.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button