Partitë politike të Maqedonisë së Veriut nuk i besojnë procesit të regjistrimit të popullsisë

Shumica e partive politike parlamentare nuk besojnë në procesin e regjistrimit dhe alarmojnë për mundësinë që ai të keqpërdoret politikisht, bazuar në përvojat e mëhershme të shtetit në realizimin e proceseve të regjistrimit. Në këtë mënyrë, partitë kanë rezerva sa i përket mbështetjes së projekt – ligjit për regjistrim të cilin Qeveria veç më e ka dorëzuar në Kuvend dhe synon që të kalojë sa më shpejt, në mënyrë që ky proces të realizohet në pranverën e vitit të ardhshëm, shkruan Portalb.mk.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE pretendon se Qeveria nuk është konsultuar me opozitën për të kryer regjistrimin, duke paralajmëruar se ata nuk do ta mbështesin mbajtjen e regjistrimit të njoftuar në prill të vitit 2021.

Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE
Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE

Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që regjistrimi të bëhet statistikor e jo politik dhe të kryhet në përputhje me kriteret evropiane për regjistrimin e përshkruar nga EUROSTAT, i cili është një institucion për veprimtari të tilla në Bashkimin Evropian.

“Një regjistrim i tillë që do të devijonte nga kriteret e vendosura të zbatuara nga vendet e përparuara evropiane, VMRO-DPMNE-ja nuk do ta mbështesë. “Nëse ky regjistrim dështon dhe ai zhvillohet pa konsultim me opozitën, e përsëris, pa konsultim me opozitën, i gjithë faji do të jetë vetëm i Qeverisë,” tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Ndërkohë, opozita shqiptare nuk i beson Entit Shtetëror të Statistikës dhe e sheh atë si subjektin kryesore që ndër vite ka bërë keqpërdorim të regjistrimit në dëm të shqiptarëve.

Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternative, Skender Rexhepi tha për Portalb.mk se, në esencë koalicioni nuk e ka diskutuar këtë çështje, por në bazë të asaj që deri sot ka ndodhë, siç u shpreh ai, pikërisht Enti Shtetëror ka bërë keqpërdorime më të mëdha në aspektin e regjistrimit dhe çmimet po i paguajmë qytetarët shqiptar.

 “Ne nuk i besojmë Entit për Statistikë, nuk i kemi besuar asnjëherë deri më sot për faktin se vendet udhëheqëse atje menaxhohen gjithë nga maqedonasit, pjesëmarrja e shqiptarëve është shumë e vogël. Ne do të kërkojmë që shqiptarët të jenë pjesë e regjistrimit në të gjitha komunat në vend, jo vetëm ato shqiptare, por në të gjitha, pasi nuk u besojmë, nëse dëshirojnë ta krijojmë mirëbesimin, ata janë të obliguar që të tregojnë gatishmëri të ketë shqiptar në Strumicë, njëjtë sikur do vijë një maqedonas në pjesën malore të Tetovës, që nuk do të ishte fare diskutabile”, tha Rexhepi.

Ai tha se momentalisht, ligji është lëshuar te departamentet përgjegjëse te dy partnerët e koalicionit dhe pasi të përfundojnë analizat, do të paraqesin kërkesat e tyre në lidhje me këtë çështje.

“Ajo që ka qenë vazhdimisht shumë e rëndësishme për ne, fakti që regjistrimi është politikisht është keqpërdorur vazhdimisht prej fillimit të vlerave demokratike në vend deri më sot subjektet politike, posaçërisht ato maqedonase, e kanë keqpërdor regjistrimin për t’i keqpërdorur të drejtat reale të shqiptarëve. E dini ju se rasti është në gjykatë ku dy kryetar të dy partive politike, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti janë pjesë e procesit penal për harxhime që kanë bërë me prishjen e regjistrimit që ishte në vitin 2011”, deklaroi Rexhepi.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi deklaroi për Portalb.mk se, kjo parti po bën konsultimet sa i përket qasjes që do të kenë rreth këtij propozim-ligji, por parimisht, siç theksoi ai, ata janë kundër keqpërdorimit të regjistrimit për politika ditore. Rexhepi paralajmëroi se do të përgatisin edhe amendamente në Kuvend, nëse ligji për regjistrim cenon të drejtat kolektive të bashkësive etnike në vend.

Kastriot Rexhepi

“Ligji për regjistrim ende s’ka ardhur në rend të ditës për seancë në Kuvend. Lëvizja Besa bën analizën dhe konsultimet për të qenë të përgatitur për të dhënë sugjerimet e saja gjatë procedurës për ligjin për regjistrimin. Parimisht mendojmë së regjistrimi është i nevojshëm si operacion statistikor për planifikimet zhvillimore në sfera të ndryshme. Do të angazhohemi që regjistrimi si proces mos të bëhet instrument për politika ditore të cilat do të ndërhynin në të drejtat kolektive të bashkësive etnike duke vënë në pikëpyetje të drejtat e fituara deri më tani. Për këtë në rast se paraqitet nevoja përmes grupit të deputetëve të Lëvizjes Besa do të paraqesim amendamente në komisionin përkatës në Kuvend”, deklaroi deputeti Kastriot Rexhepi.

Nga BDI nuk janë përgjigjur se cila do të jetë qasja e tyre në raport me këtë propozim – ligj.

Qeveria i dërgoi Parlamentit projektligjin për regjistrimin, i cili duhet të hyjë në procedurën parlamentare. Zgjidhja ligjore e propozuar parashikon që regjistrimi të mbahet në prill të vitit 2021 dhe për shkak se teksti i vitit të kaluar i ligjit u dërgua.

Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiç, deklaroi dje se jemi të vetmit në rajon dhe në Evropë ku nuk është mbajtur regjistrim për 18 vjet dhe për shkak të kësaj, regjistrimi nuk guxon të prolongohet më shumë. Sipas tij çdo prolongim i mëtejmë i procesit të bisedimeve, negociatave dhe hapjes së serishme të tekstit të ligjit mund vetëm të sjell në prolongim të ri të operacionit.

Bojan Mariçiq
Bojan Mariçiq

“Regjistrimi i fundit në vendin tonë është mbajtur në vitin 2002. Ajo është para 18 viteve, kështu që jemi shteti i vetëm në rajon, por edhe në Evropë, që akoma nuk ka realizuar regjistrim në një periudhë të tillë kohore me aq dallim kohor. Për këtë, Qeveria ka mbetur në atë tekst të ligjit që veç më e ka dorëzuar në Qeveri paraprakisht. Do të thotë, ne mendojmë se kemi ndërtuar një sistem në të cilin nuk do të ketë Komision Shtetëror për Regjistrim, por i gjithë procesi do të zhvillohet përmes Entit për Statistikë. Kemi një situatë në të cilën do të shfrytëzohen të gjitha instrumentet bashkëkohore në dispozicion për regjistrim dhe vlerësojmë se kjo është bazë e mirë dhe tekst i mirë i ligjit i cili mund dhe duhet të kalojë në Kuvend me mbështetjen e shumicës”, tha ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev, muajin që lamë pas, paralajmëroi se në vitin e ardhshëm, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, do të realizohet regjistrimi i popullsisë. Për realizimin e këtij procesi, planifikohet sigurimi i 5,650 pajisjeve të reja.

“Regjistrimi do të kryhet në vitin 2021. Pikë. Ne e anuluam në vitin 2020 për vitin 2021, pas kërkesës së opozitës, para se të shfaqej Kovid-19. Regjistrimin mund ta kryejmë në Prill. Ajo punohet sipas standardeve dhe menaxhimit të Eurostat. Atë e realizojnë institucionet, në vendin tonë është Zyra shtetërore e statistikave”, deklaroi Zaev.

Në ndërkohë, Zyra e Statistikave të Shtetit ka filluar përgatitjet për kryerjen e një regjistrimi, i cili për herë të fundit u zhvillua në vitin 2002. Një regjistrim pilot u krye verën e kaluar në disa komuna dhe u siguruan laptopët dhe softuerët e nevojshëm për kryerjen e regjistrimit të popullsisë.

Raportohet se ky procesi do të realizohet përmes formës elektronike, duke shfrytëzuar mjete në vlerë prej 3.3 milionë euro.

Portalb.mk, ka shkruar se nëse gjatë regjistrimit të popullsisë nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e popullatës, ashtu siç u paralajmërua paraprakisht, regjistrimi rrezikon të dështojë sikur në vitin 2011, ndërkaq hapet mundësia që në mungesë të numrave zyrtarë të bëhen lojëra me numra të paverifikuara dhe me këtë do të shkelej parimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) për përfaqësim të drejtë dhe Kushtetuta e Maqedonisë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button