Gjukanoviq e mandatoi Krivokapiqin për formimin e Qeverisë së re malazeze

Milo Gjukanoviq, presidenti i Malit të Zi ka mandatuar Zdravko Krivokapiq për formimin e Qeverisë së re, bazuar në numrin e deputetëve nga rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Malin e Zi.

Pritet mandatari për kryeministër, Zdravko Krivokapiq që deri më 8 nëntor të bëjë propozimet për përbërjen e qeverisë së re.

Pjesë e përbërjes së re qeveritare në Malin e Zi pritet të jetë edhe partia e udhëhequr nga Dritan Abazoviq, parti e cila ishte përcaktuese për formimin e shumicës parlamentare pas zgjedhjeve të reja. Kryetari i URA-s, Dritan Abazoviq e sheh rezultatin e fundit të zgjedhjeve në Malin e Zi si rrëzimin e fundit autoritativ në Europë duke iu referuar kështu Milo Gjukanoviqit.

Bartësit e tri listave të cilat fituan në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi – Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq kishin nënshkruar marrëveshje të re, sipas të cilës qeveria e re nuk do të ndërmarrë kurrfarë iniciativash ose veprimesh me qëllim të ndryshimit të flamurit shtetëror, stemës dhe të himnit. Po ashtu nuk do të ndërmarrë kurrfarë veprimesh për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kështu shkruan e përditshmja e Podgoricës, “Vijesti”.

Ndryshe, muajin e kaluar kryetari i koalicionit “Paqja është kombi ynë” dhe kryetari i Partisë Demokratike të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, është zgjedhur kryetari i Parlamentit në Mal të Zi. 45 deputetë kishin votuar për emërimin e tij, një deputet ishte kundër dhe kishte 25 fletëvotime të zbrazëta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button