fbpx

Tetovë, komunikacioni ngelet problematik, rrezikohen edhe nxënësit, Alili: Të ketë polic në shkolla!

Disa sektorë publike dhe joqeveritare sot në Tetovë mbajtën mbledhje ku u diskutua siguria e nxënësve në shkolla. Një nga problemet më të mëdha që ju vendos theks i veçantë ishte ai i komunikacionit të dendur në qytet, gjë që sipas njërit prej drejtorëve të pranishëm “e rrezikon jetën e nxënësve”. Për këtë, pjesëtari i policisë tha se problemi nuk qëndron vetëm te policia, ai shtoi se “Parkingjet e Qytetit” nuk funksionojnë dhe se komuna nuk ndihmon në këtë drejtim, shkruan Portalb.mk.

 Xhelal Alili, drejtori i shkollës fillore “Naim Frashëri” i cili ishte i pranishëm në debatin e zhvilluar sot në sallën e Komunës së Tetovës potencoi komunikacionin e dendur përbën problem serioz për sigurinë e nxënësve, ai madje tha se vetë ka qenë anëtarë i një komisioni të tillë dhe më pas është dorëhequr.

Xhelal Alili, drejtor i shkollës fillore "Naim Frashëri", Tetovë.
Xhelal Alili, drejtor i shkollës fillore “Naim Frashëri”, Tetovë.

“Nga viti i kaluar kam qenë anëtar i një komisioni për komunikacionin në Tetovë, dhashë dorëheqje pa marrë pjesë në mbledhje fare për shkak se e pashë të pamundur që unë si qytetar i thjeshtë mund të ndikoj në përmirësimin e situatës me komunikacionin në Tetovë. Për këtë arsye edhe i pyeta të Sektorit për Punë të Brendshme për atë se çfarë bëjnë ata? Ata mund të bëjnë shumë, por si duket o nuk kanë mjete të duhura o nuk duan.  Çdo fillim të vitit shkollor unë dërgoj kërkesë në organet kompetentë për këtë që të kemi policë në shkollë, kam kërkuar të vendoset sinjalizimi duhur, sinjalizimi u vendos mirëpo polic nuk shoh. Ne kemi nevojë për policë lokal që ti njohim dhe ti njohim kush janë” tha Xhelal Alili, drejtor i “Naim Frashëri”.

Me këtë pohim të drejtorit u pajtua edhe anëtari i forcave policore Boban Simjanovski, sipas tij, nuk qëndron faji vetëm te policia mirëpo edhe te komuna, e cila siç thotë ai, NP “Parkingjet e Qytetit” nuk funksionon, nuk ka parkingje të mjaftueshme e as shërbime të nevojshme.

“Komunikacioni në qytetin tonë është keq, mirëpo ne, me resurset tona që i këna çdo ditë luftojmë me këtë problem dhe e dimë që kështu është situata mirëpo nuk është problemi vetëm i policisë së komunikacionit, të gjithë thonë se policia nuk punon mirëpo kjo s’është e vërtetë. Dilni në qytet dhe do të shihni se çdo kund ka policë, mundohemi të mbulojmë pjesët e qytetit ku ka trafik më shumë. E para, vetë qytetarët nuk janë të vetëdijshëm dhe parkohen çdo kund, ne nuk mund në secilin hap të vendosim policë, sado që mundohemi ne, qytetarët përsëri parkohen keq. Kjo është rezultat i asaj që nuk na ndihmon komuna, ja unë aktualisht jam në objektin e komunës mirëpo parkimi zonal i komunës nuk funksionon, kemi uzurpime të hapësirave të trafikut, ne në pjesën tonë punojmë për këtë, ka shitore të ndryshme që i uzurpojnë këto vende. Ne kemi ndërmarrë masa për këtë, mirëpo ku janë këto inspektorët komunal që të vijnë dhe të ndihmojnë, ne nuk mundemi të ua heqim ato, mund të denoncojmë rastet e kështu me radhë. Kemi nevojë për ndihmën e komunës, fatkeqësisht këta nuk funksionojnë, shërbimet e parkingut nuk funksionojnë, nuk ka parkingje të mjaftueshme dhe ka shumë vetura, secila shtëpi ka nga 2-3 vetura ndërkaq për shkollat mundohemi që çdo ditë ti mbulojmë në mënyrë që fëmijët të jenë të sigurte” tha Boban Simjanoski, polic i komunikacionit në SPB-Tetovë.

Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës tha se takimet e tilla koordinuese ndihmojnë shumë në përmirësimin e sigurisë së nxënësve në shkolla, ai tha se sa i përket komunikacionit duhet të gjithë të jemi të kujdesshëm në mënyrë që fëmijët të jenë më të sigurte.

Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim, Tetovë.
Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim, Tetovë.

 “Në fillim të çdo vitit shkollor kemi takim konsultativ dhe koordinues ndërmjet institucioneve të sigurisë publike në qytet, edhe sivjet së bashku me policinë kryeshefat e reparteve të seksioneve të ndryshme të policisë, realizuam një mbledhje, ku i shtruam çështjet e sigurisë në shkolla dhe përreth shkollave duke e pasur parasysh gjendjen me pandeminë globale, dhe duke pasur parasysh faktin që me prezencë fizike janë nxënësit vetëm të klasës parë dytë tretë si dhe çerdhet e qytetit, në koordinimin e sivjetshëm morën pjesë drejtorët e shkollave fillore dhe çerdhes, diskutuam për të gjitha aktivitetet që janë paraparë të realizohen në bashkëveprim institucional dhe projektet nga sfera e sigurisë së nxënësve po ashtu edhe për sigurinë e nxënësve gjatë shkuarjes në shkollë dhe kthimit prej shkollës. Mbetet të shtohet ende më tepër siguria në komunikacion ku përveç masave edukative që çdokush duhet të jetë i përgjegjshëm gjatë sjelljes së vete në komunikacion qoftë me veturë apo si këmbësorë, por kërkesa e shkollave ishte që edhe institucionet kompetente të policisë dhe tjerat të jenë më vigjilente në atë që të kemi trotuare të lira për nxënës dhe këmbësor, të mos lejohet parkimi i veturave para objekteve shkollore, të mos krijohet ngarkesë në komunikacion përreth objekteve shkollore për shkak të rrezikimit të sigurisë së nxënësve” theksoi Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

Ndryshe, situata me kryerjen e veprave penale, gjegjësisht të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në dhe përreth shkollave vit pas viti vjen duke u përmirësuar, kështu flasin të dhënat e Sektorit për Punë të Brendshme. Gjatë vitit 2013 në dhe përreth shkollave gjithsej ishin regjistruar 40 vepra të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, në vitin 2018-2019 gjithsej 6 prishje të rendit dhe qetësisë publike ndërkaq në vitin 2020 asnjë rast i tillë nuk është regjistruar.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close