fbpx

Raporti i Komisionit Evropian: argument më shumë për fillim të negociatave

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Paketa e dokumenteve për zgjerim e përgatitur nga Komisioni Evropian është a para që e zbaton Metodologjinë e re. Kjo është e dukshme nga Strategjia për zgjerim, e cila bën një pasqyrë më të qartë të situatës në secilin shtet. Kur e shohim vendin tonë në këtë dokument krahasuar me të tjerët në pako – ne qëndrojmë mirë. Ne thjesht nuk jemi problematikë dhe theksohet pritshmëria për fillimin e negociatave, për të cilat edhe më tej mbetet vlerësimi se i plotësojmë të gjitha kushtet.

Vlerësimi kryesor që e dallon vendin tonë nga të tjerët është vlerësimi se Maqedonia e Veriut “ka vazhduar të avancojë agjendën e reformave të BE-së në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe opozitën në Parlament, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë” dhe se “ajo i ka intensifikuar përpjekjet e saj dhe kjo ka dhënë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme” – veçanërisht në fushat kryesore të identifikuara në konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018, ose Raportin e mirënjohur të Pribes. Sado që të jemi kritik për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit ose reformën e forcave të sigurisë, Komisioni Evropian me sa duket jep më shumë se sa notë kaluese ​​në këto fusha, duke vërejtur “progres të mirë” në to. Gjithsesi, mbetet edhe vërejtja se reformat duhet të vazhdojnë me ritëm të përshpejtuar dhe të jenë të vazhdueshme ose “të qëndrueshme”. Vërehet përmbajtja e KE-së ndaj nismës së vetingut që nuk përmendet drejtpërdrejt, por rekomandohet të zbatohen mekanizmat ekzistues përpara se të kalohet me ndryshime të mëtejshme. Në Kapitullin 24 – Drejtësia, liria dhe siguria, megjithëse vlerësohet si progres i mirë, është i dukshëm rekomandimi që reformat institucionale të sektorit të sigurisë të shndërrohen në politika proaktive dhe rezultate të prekshme.

Nga reforma e administratës publike mbetet, edhe pse është përmendur me kujdes, çështja e punësimit në shërbimin publik në bazë të parimit të meritave. Por, ajo që shqetëson janë vlerësimet kritike në lidhje me kapacitetin për planifikim strategjik dhe koordinimin e politikave, duke përfshirë edhe agjendën për aderim në BE. Kjo mund të ketë pasoja mbi kapacitetin e shtetit për të përdorur fondet nga Paketa e paralajmëruar Ekonomike dhe e investimeve, për të cilën kapaciteti i tillë është i domosdoshëm.

Vlerësimet lidhur me të drejtat themelore janë më kritike, me rekomandime për miratimin e menjëhershëm të ligjit anti-diskriminim dhe zbatimin e rekomandimeve në lidhje me burgimin ose paraburgimin, si dhe të drejtat e grave, fëmijëve dhe personave me pengesa. Lidhur me lirinë e shprehjes, ka kritika – në lidhje me rastet e frikësimit të gazetarëve, kurse theksohet nevoja për t’i dhënë përparësi reformës së shërbimit publik.

Për sa i përket kritereve ekonomike, megjithëse përparimi vlerësohet si “i kufizuar”, kryesisht për shkak të pasojave të krizës KOVID, si dhe tendencave reversibile në tatimin e të ardhurave dhe reformave pensionale, mbetet vlerësimi se vendi është i përgatitur mirë për funksionimin e ekonomisë së tregut. Në elementin e dytë të kriterit ekonomik – aftësia për t’u përballur me forcat e konkurrencës në tregun e Unionit – ne mbetemi më të dobët – “përparim deri diku ” dhe “nivel i moderuar i gatishmërisë”. Nevoja për reformën e sistemit arsimor, zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe diversifikimin e burimeve të energjisë është bërë si prioritare.

Në kapitujt që tani përbëjnë klasterin Themele, ka vlerësim të mirë për progresin në Kapitullin 18. Statistika me vlerësim mjaft të favorshëm për përgatitjet e Regjistrimit, ndërsa Kapitujt 32. Kontrolli Financiar dhe 5. Prokurimet publike kanë shënuar “progres të caktuar” modest.

Çështja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë nuk theksohet në Paketën e Dokumenteve. Në kontekstin e Strategjisë, përmendet vetëm që Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja e Fqinjësisë së mirë me Bullgarinë duhet të zbatohen me vullnet të mirë, nga të gjitha palët, ndërsa sa i përket respektimit të detyrimeve tona, theksohet se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë t’i zbatojë marrëveshjet dypalëshe, përfshirë këto dy.

Nga kapitujt, i dukshëm dhe pozitiv është progresi i mirë në 11. Bujqësia dhe zhvillimi rural dhe 12. Siguria e ushqimit, që janë kapituj jashtëzakonisht të vështirë, sikurse edhe në 15. Energjetika. Sidoqoftë, përparimi në kapitujt e tregut të brendshëm është zhgënjyes, si dhe vonesa e vazhdueshme në Kapitullin e mjedisit jetësor.

Në fund, duhet të theksohet se gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit këtë vit, fokusi ishte në Planin Ekonomik dhe të investimeve të shpallur prej kohësh për Ballkanin Perëndimor, me të cilin pjesa më e madhe e ndihmës para-aderuese orientohet në paketën rajonale. Por kjo çështje meriton një analizë të veçantë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close