Osmani vlerëson se vendi ka shënuar përparim në fushën e reformave

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani deklaroi pak para publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian se, vendi ka shënuar rezultate në realizimin e reformave gjatë periudhës së kaluar dhe pret që kjo të jetë pjesë e këtij raporti. Ai tha se, pjesa e parë e mandatit të Qeverisë ishte fokusuar në miratimin e ligjeve që janë në drejtim të parimeve që i kërkon Bashkimi Evropian. Ndërsa, sipas tij, ky mandat duhet të jetë implementim dhe ajo do të jetë politika e Qeverisë në drejtim të zbatimit të reformave, përmes listës konkrete të arritjeve që dalin si rezultat i klimës së re të krijuar, por edhe të atyre ligjeve, shkruan Portalb.mk.

“Si vend kemi treguar se kemi kapacitete për të përmirësuar pavarësinë e gjyqësorit, si një vlerë fundamentale për vendosjen e mirëfilltë të sundimit të ligjit, por kemi edhe konsolidim serioz të rezultateve konkrete në fushën e hetimit, në kryerjen e procedurave, madje edhe në përfundimin e rasteve të larta të korrupsionit, si një segment i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Osmani në konferencë për gazetarë.

Duke folur mbi planin ekonomik dhe investues të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Osmani tha se për shkak të vështirësive ekonomike që ka shkaktuar pandemia, iniciativa e eurokomesarit Varhejl për investim për Ballkanin Perëndimor ka një rëndësi të veçantë për vendin.

“Ambicia e Komisionit Evropian është e qartë. Në 4 vitet e ardhshme presim që vendet e Ballkanit Perëndimor t’u afrohen standardeve të Bashkimit Evropian në aspekt ekonomik, infrastrukturorë dhe shoqëror dhe kjo nënkupton një cikël të ri ekonomik në rajon, me të cilin edhe si vend jemi të lidhur në një mënyrë të drejtpërdrejt. Kjo është ndoshta edhe segmenti më i rëndësishëm i përafrimit të vendit me Bashkimin Evropian, ai është segmenti që drejtpërdrejt e prekin qytetarët tanë”.

Osmani është shprehur optimist se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të gjejnë zgjidhje për konstestet historike që kanë mes vete. Ai foli për vizitën që do të realizojë në Sofje, për të cilën pret që të krijojë një energji të re politike. Osmani informoi se pas vizitës së tij, do të ketë edhe takime mes kryeministrave dhe vendi do të hyjnë një model të ri të komunikimit me Bullgarinë.

“Nga informacionet që kam nga komisioni, ka një marrëveshje preliminare për takim më 15 tetor, i cili presim të finalizohet. Ajo çfarë mund të them është se ne marrim obligimet nga marrëveshja e arritur me Bullgarinë për të realizuar të gjitha ato obligime që dalin nga kjo marrëveshje. Ashtu siç presim që edhe Republika e Bullgarisë të marrë obligimet e veta nga kjo marrëveshje. Obligimet tona janë se komisionet do të punojnë jashtë ndikimit të politikës, me të gjitha parakushtet për të gjetur pika të përbashkëta në interpretimin e dallimeve historike. Ka pasur një ngadalësim të takimeve si rezultat i pandemisë, por nuk duhet të nënçmojmë se brenda kësaj periudhe prej rreth 20 muajsh ka pasur nën takime, në të cilat janë zbardhur dy epoka historike, është arritur konsensus në mënyrën e shënimit të pesë figurave të rëndësishme historike”,  deklaroi Osmani.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button