Mësuesit: Udhëheqës në krizë, rindërtuesit e së ardhmes

Të gjithë grupmoshat jemi dëshmitarë, kush në mënyrë të drejtëpërdrejtë e kush në mënyrë indirekte (duke dëgjuar) nga gjeneratat më të vjetra, se pozita e mësuesit, ishte ndër pozitat më me nam, autoritet dhe respekt në shoqëritë tona. Nxënësit, me të parë mësuesin në rrugë, i kaplonte një frikë e cila më së shumti ishte e ngjyrosur dhe e mbështjellur me faculetat e respektit.

Të jesh mësues do të thotë, të gjithë individët të kalojnë dhe riten nëpër duart tua. Inxhinieri preciz, avokati i popullit, futbollisti i famshëm, mjeku specialist, politikani udhëheqës etj., të gjithë një ditë ishin të ulur në bankat shkollore dhe dëgjonin mësuesët e tyre. Ai (mësuesi) është lideri shpirtëror, është formësuesi i edukatës dhe moralit të brezave të rinj, është prindëri i dytë i fëmijëve tanë, është përkrahësi dhe inspiruesi më i madh me të cilin ndizen kandilat me të cilat më pastaj do të ndriçojë i mbarë populli. Është ai i cili do të ishte në gjendje të shkrijë veten, vetëm e vetëm për t’iu bërë dritë të tjerëve. Po pra, pikërisht nga ulësja e mësuesit fillon ndryshimi, pikërisht nga ulësja e tij ndryshon koncepti i rinisë, koncepti i shoqërisë.

Në kohërat më të vështira, në kohëra të krizave, atëherë kur dukuritë negative vërshojnë shoqëritë tona, atëherë kur droga, alkooli, bixhozi e kështu me rradhë, bëhen pjesë e shoqërive, është mësuesi ai i cili kap bajrakun për të udhëhequr dhe menaxhuar këto katrahura të llojllojshme. Është lideri i cili edhe atëherë kur të gjithë ngelen të ngujuar dhe pa ndonjë zgjidhje konkrete, ai derdh djersën nga balli i tij për të përmirësuar dhe për t’i kontribuar ngritjes së vetëdijes kur vetëmse ka devalvuar çdo vlerë dhe virtyt.

Korrupsioni, keqqeverisja, rënia e mirëqenies ekonomike dhe sociale e mungesa e drejtësisë, janë thika të ngulitura në zemrën e mësuesit. Ai, nuk mund t’a përballoj gjendjen e këtillë. Jo. Asnjëherë! Gjendja e tillë e vret atë, kurse me lotin që i rrjedh nga syri dhe s’mund t’a ndalë atë, detyrohet t’a përfundojë fjalinë përballë nxënësve të tij, përballë fëmijëve të tij, nga frika, që një ditë, edhe ata, të mos jen preh dhe viktimë e individëve të tillë.

Ai është model në kokat e të rinjëve. Ata imitojnë dhe ndjekin çdo hap të tij. Ai ka në duart e tij fatin e një populli të tërë. Me dijen, sjelljen, moralin dhe veprat e tij mund të prodhojë personalitete e burra të cilët do të jenë bartës të përgjegjësive dhe do të japin kontributin e tyre nëpër rrethet dhe shoqëritë e tyre ku jetojnë.

Andaj vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë. Ai është në gjendje të ndikojë dhe të ketë influencë në çdo kohë dhe moment. Mësuesi ndryshon mendim, mendimi kalon në bindje, bindja shpie në vepër dhe vepra (e qëlluar) në ndryshim të gjendjes.

Nëse dëshirojmë të ngritet kombi dhe shoqëria, është mësuesi i cili duhet të ngritet në piadestalin më të lartë. Ai është pishtari ndriçues dhe kandili ndriçues i errësirave të pafund. Mësuesi është krijuesi i së ardhmes. Ardhmëria, rinia dhe thesari janë në duart e bekuara të mësuesit, ai do t’i formësojë varësisht prej qëllimeve dhe kontributit të tij. Andaj, të lutemi mësues: “Vazhdo të sakrifikosh gjithëçka nga vetja yte, mos u dorëzo, mos u dekurajo, mos u dëshpëro, je ti anija e vetme e shpëtimit, je ti drita në fund të tunelit. Edhe atëherë kur të gjithë po shkatërrojnë, të lutemi që të vazhdosh të ndërtosh personalitete, edhe atëherë kur të gjithë po heshtin, të lutemi që t’a ngrisësh zërin, edhe atëherë kur të gjithë po bëhen preh e joshjeve dhe mashtrimeve, të lutemi që të qëndrosh i palëkundër.”

Të lutemi, ty je shpresa ynë e vetme, e shpresa thonë se vdes e fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button