SHTRATI I PROKRUSTIT

Vjen një kalimtar këtu e ulet në kafenenë Te sheshi dhe interesohet për fshatin tonë.

Këtu jemi ne, rreth Detit Mesdhe, në jugperëndim të Detit të Adrianit dhe në zemër të Ballkanit. Këtu është vendosur fshati ynë para Gilgameshit, madje. Këtu kanë kaluar i hurit e i konopit, kanë vrarë e kanë prerë,  po fshati, shikoni, ende merr frymë dhe ende oxhaku tymon, thotë Zef Guri.

Kujdes, thotë  kalimtari, ruajuni këtij vendi i ardhka erë baroti. Ikni prej këtu!

Po ne, bre burrë,  e kemi vështirë ta braktisim këtë fshat sepse na e kanë lënë amanet të parët. Na kanë lënë këtë fshat dhe gjuhën. Ne s’kemi ku shkojmë. Jashtë fshatit ne mbetemi pa frymë.

Ne tri a katër lagje, sa jemi, kemi mbetur  këtu e s’do të lëvizim derisa të vijë koha ta përcjellim amanetin e të parëve të brezi tjetër, ashtu siç na e kanë lënë pleqtë neve, ndërhyn Metë Frashna.

Si e kaloni këtu? pyet kalimtari.

Natën e dëgjojmë këngën e fqinjëve nga jugu, nga veriu, nga lindja dhe nga perëndimi. Fqinjët këndojnë se janë shumë mirë. Edhe ne këndojmë, por këndojmë për qejfin tonë, veçanërisht i këndojmë të kaluarës së largët dhe dashurisë.

Po si i keni hallet me jetesën, si kaloni me fqinjët? vazhdon me pyetjet e tij kalimtari.

Ia kalojmë disi ne me këto kurtnaja që na kanë mbetur. Punojmë. E sigurojmë bukën. Po fqinjët janë më mirë. Ata nuk janë vetëm me kurtnaja si ne, ata kanë ara e ara, vreshta e vreshta, lisnaja e ahishta. Më mirë janë ata, por nuk mund të presësh gjë prej tyre. Ata përveç gjynahit nuk të japin gjë. Kështu i kemi punët me fqinjët e me veten. Jemi të lidhur me fshatin e me gjuhën tonë dhe fqinjët, më the e të thashë – janë në plan të dytë e të tretë, tregon Zefi.

Po e di si janë fqinjët?… ndërhyn Xuf Grosha  Kalojnë me vetura të shtrenjta nëpër fshatin tonë, këtu para kafenesë Te sheshi. Dhe, kur kalojnë e ngrenë kryet pak lart, demek se ne jemi se kush jemi e s’jemi si ju. Na e hedhin nga një fjalë me ferra, bile. Ne vetëm shikojmë e heshtim. Kur i shohim me ato vetura, lakmojmë, ta merr mendja, po çfarë të bësh… Atyre ka kush ua zgjat dorën. Kanë shumë kushërinj. Po edhe shteti, vëlla… thotë Xufi.

Kur është thatësi kushërinjtë e tyre vrap vijnë. U sjellin miell, almise fushe e almise gjahu. Dhe i pyesin për ne: çka bëjnë këta të këtyre lagjeve? A kruhen me ju? Helbete, po e luajtën bishtin, na tregoni, thonë kushërinjtë e tyre. Vijmë ne e drejtohemi me ta. Ja, e shihni, tjetër janë ata, tjetër jemi ne. Ne pa krah, ata me krah. Ne kur është thatë dalim te sheshi e i lutemi të madhit zot të na ndihmojë. Veç këto duar na kanë mbetur dhe i madhi zot, thotë Zefi.

Ne jemi pa kushërinj, ju tha Zefi, mos t’ju mërzisim, thonë Xufi e Meta, njëzëri. Po ka edhe diçka tjetër, shtojnë. Ne flasim një gjuhë shumë të lashtë. Fqinjët që kanë bërë ndonjë veturë, kur kalojnë në këmbë pranë kafenesë Te sheshi, as nuk na përshëndesin shqip. Nuk duan ta mësojnë asnjë fjalë të gjuhës sonë. Madje u duket vështirë  ta shqiptojnë emrin e fshatit tonë – Dardhë. Disa i thonë Darla, disa Darza. Shpesh madje na kanë thënë: çfarë ju duhet kjo gjuhë? Mësojeni gjuhën tonë t’ju marrë vesh perëndia!

E nuk e di pse pikërisht kjo gjuhë e lashtë u pengon shumë?! hidhërohet Xufi. Nuk e kuptoj si mund ta urrejnë këtë gjuhë, e cila është e butë si buka, e bukur si vjollca,  me erë të mirë të luleve të malit?…  Tash, është e vërtetë kjo, gjuha jonë e mban kryet lëvarur si vjollca se bijtë e bijat e saj, pra ne, e kemi lënë pa kujdesin i cili i takon nënës, e kemi lënë si vjollcë të rrijë e pambrojtur skaj përroit të rrëmbyeshëm e nuk jemi sjellë rreth saj që t’i zbulojmë thesaret të cilat i ruan ajo te rrënjët e veta. Ajo e shkreta i ka ruajtur për ne, e ne… Epo duhet të na shkojë ndërmend një fakt – se kjo gjuhë është fryma jonë, shpirti ynë, përfundon Xufi.

Atëherë? pyet Zefi, Zef Guri. Çfarë presim atëherë? Hajde vëlla t’i hyjmë punës ta heqim këtë lule nga bregu i rrezikut e ta vendosim në fronin e saj.

Mirë thotë Xufi, Xuf Grosha, shikoni fqinjët. Edhe atyre mes vetes u del herë pas here ndonjë grindje e vogël, por ata e bëjnë si e bëjnë – e gjejnë një zgjidhje dhe të nesërmen i sheh bashkë. Rreth gjuhës së tyre, rreth shenjave të tyre. Ne kurrgjë! Hajt vëlla të mblidhemi rreth gjuhës, si ajo meseleja Plaku e shtatë thuprat. E kemi lënë gjuhën vetëm, e kemi lënë traditën, i kemi harruar emrat e vjetër, nuk i dimë toponimet që i kanë pasur të parët tonë. Eeej, e ngre zërin Xufi, Gropës, atij katundi që ka nxjerrë alamet burrash, sot i thonë Glloboçicë!

Dhe, pse mos të veprojnë kështu? pyet Xuni, Xun Kamishi, i cili vetëm hesht e pi duhan me kamish. Ata gjuhët e tyre i kanë vendosur nëpër frone, u kanë vënë kurora të arta mbi kokë e çdo ditë shkojnë dhe në atë kurorë vendosin edhe ndonjë gur të çmueshëm. Kanë bërë fjalorë pas fjalori e fjalorë mbi fjalorë. Kurse ne kemi mbetur si gjynah.

Mësuesit e moçëm fjalën e parë që e thoshin, ndërhyn Xufi,  ishte: mos hiq dorë kurrë na gjuha jote, sepse kështu ti heq dorë nga gjuha nënë e shenjtëruar!

Xuni, Xun Kamishi, është i prekur shumë e thotë se edhe ata që janë nga fshati ynë dhe që e kanë forcën e ligjit në dorë, qeshin me të madhe me gjuhën nënë. Si ai Abazi që është bërë Abazoviq, i cili paska thënë: ç’më kërcet mua për gjuhën! Se këta në fronin ku duhet të vendoset gjuha nënë, duan ta vendosin paranë. Dhe të promovohen vetë. Nuk e dinë se një fjalë e kësaj gjuhe as nuk blihet e as nuk shitet. Nuk e dinë se po të mos ishte ajo gjuhë, kush do t’i hypte shkallëve të vështira të pushtetit? Me gjuhën e huaj do të mbeteshin përjetë të huaj dhe s’do ta ndjenin kur ngrohtësinë e të qenit i yti në prehrin e ngrohtë të gjuhës nënë.

Xuni thotë se Ballkani është një vend që shpesh përfshihet nga furtuna e tërmete politike. Po të jesh i lidhur mirë me gjuhën nënë shpejt i heq pasojat që mund të vijnë nga tërmetet. Përvishni krahët, vëllezër e punoni vetë! Prej askujt mos pritni asgjë! Çdo gjë që të vjen pre të huajit mund të jetë një dhuratë si Shtrati i Prokrustit.

Mbajuni për atë që është jona, shton Zefi, se ajo të ngrohë. Mirë e tha Xuni atë shtratin e Prokrustit… Mos u lakmoni pas Shtratit të Prokrustit.

Zoti ju dhëntë hairin, thotë kalimtari dhe shton: ditën e mirë e largohet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button