TRI FILOZOFI POLITIKE

Libri “Tri platforma politike: osmanizmi, islamizmi dhe turqizmi” i një turku jo-osman, Jusuf Akçura(1876-1935), shkruar në Rusi (Kazan) dhe botuar në Kajro më 1904, përbën një artikull që autori ia sugjeronte Perandorisë Osmane si ideologji shpëtimtare për të shpëtuar nga qorrsokaku politik, kulturor e qytetërimor, në të cilin ajo gjendej në dy-tre shekujt e fundit dhe që kulmoi nga fillimii shekullit XX, kur “I Sëmuri i Bosforit”, faktikisht, po jepte shpirt.
Pyetja të cilën Akçura e shtronte ishte se “si mund t’i rezistonte shteti osman invazionitimperialeuropian dhe sërish të bëhej një fuqi botërore”. (Burdulis, 2014: 13) Ai ishte i fokusuar në tri mënyra të politikëbërjes: osmanizmi (kombi osman – millet-i osmanijje) sipas modelit amerikan, pan-islamizmi (bashkësia globale islame –tevhid-i islam), pan-turkizmi (nacionalizmi racial – tevhid-i etrak), ndonëse më gjerë diskutohej edhe mënyra e katërt – perëndimizimi (uesternizimi). Në këtë punim “nacionalisti i famshëm” (Masami, 1980) i analizon aspektet pozitive dhe negative të këtyre tri politikave, duke i dhënë përparësi platformës së tretë – turkizmit (türkçülük), term ky i shpikur nga vetë ai (Landau, 2004), turanizmit dhe idevepanturkiste – unitetit kolektiv të turqve.

Kjo vepër, që paraqet “manifestin e turkizmit” të shkruar nga “babai i turkizmit”, është e rëndësishme për ta mësuar më mirë qarkoren e nacionalizmit në kuadër të shtetit osman, frymën e “kombeve osmane” – në kalimin mes dy shekujve (XIX dhe XX) – në një strukturë ku bënin pjesë edhe shqiptarët, të cilët në krye me rilindësit synonin kombndërtimin e vet dhe po i përgatisnin themelet e një shteti të ri të pavarur, të frymëzuar nga idetëperëndimore të kombit.Ishte kjo koha kur, shprehur me fjalët e Merxhanit, shqiptarët bënin “mundimet praktike” brenda “rrokullimeve të historisë”, kur duhej të bashkoheshin vepra e njerëzve të mendimit me atë të veprimit. (Selaci, 2019) Në këtë kontekst, të rrëmbyer nga furtunat e kohës, shqiptarët arritën të bëjnë përpjekje për ta strukturuar edhe kombin e vet, por ndërkohët’i ndihmojnë me intelekt edhe procesit të kombndërtimit turk. Samiu, i konsideruar nga Akçuradhe të tjerët si nacionalist turk (Gawrych, 2006: 130; Güvenç, 1993), e shkroi Enciklopedinëe parë në gjuhën turke (Kamus u’l-A’lâm), Fjalorin e turqishtes osmane (Kamus-i Turki), Mehmet Akifi e bëri himnin kombëtar, Ali Sami Yen-i themeloi klubin futbollistik “Gallatasaray”…

Këto fakte e relativizojnë purizmin etnocentrik të Akçurës dhe flasin për një fenomen të tejetnikes edhe në atë periudhë të “shenjtërimit të kombeve”.Për t’u shënuar është fakti se Akçura nuk i fut shqiptarët në të njëjtën kategori me lëvizjet independiste serbe, greke, bullgare e malazeze, që lë për të menduar “pse”-në. Përgjigjja mund të jetë feja islame si fe dominuese për nga numri ndër shqiptarët. Ideologjia e Akçurës shkon përtej konceptit islam për mbinacionalen dhe multikulturalizmin. Ai flet për “shtetin osman, si shoqëria më e fuqishme dhe më e qytetëruar turke”, për “mundësinë e turqizimit të elementeve islamike joturke”, që kjo e fundit do të merret si princip nga Republikae Turqisë që e lansoi moton: “O sa mirë me qenë turk!”Akçura del disi kontradiktor në botëkuptimin e vet sepse nënvizon kombëtarizmin e racës apo turkocentrizmin, por – nga ana tjetër – thotë se “feja islame”– që nuk e pranon epërsinë kombëtare – “mund të jetë një element i rëndësishëm për formimin e kombit turk.”

Me botimin e kësaj vepre, që ngërthen edhe një parathënie e E.Z. Karal-it (1976) dhe dy reagime ndaj saj nga Ali Kemali dhe Ahmet Ferit Teku, kulturës shqiptare i shtohet një përkthim që e reflekton të kaluarën, por edhe të shtyn të mendosh për kohën aktuale, kur filozofia jonë politike nxjerr në pah sërish debatet se ku lind dielli i shqiptarëve, pra çështjen e drejtimit që duhet ta marrin – Oksidenti vs. Orienti, pastaj qëndrimet shqiptaromadhe – panalbaniste përkundër ëndrrës europiane (BE), si dhe çështjet si turkofobia vs turkofilia ose shqiptarizmi (albanianism) vs neootomanizmi e të ngjashme. Veprës i rritet pesha edhe nëse e marrim parasysh faktin se çështjet që i prek Akçura janë aktuale për gjithë rajonin e më gjerë (Aksoy, 1992).

Ky punim, tanimë i klasicizuar, mund t’iu shërbejë studiuesve të shkencave politike, të sociologjisë, të historisë, si dhe të gjithë atyre që duan ta nuhasin “frymën e kohës” para një shekulli e ca dhe t’i kuptojnë erërat dhe lëkundjet sociale të shekullit tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button