Strazburgu, shpresa e fundit e qytetarëve për drejtësi!

Për Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) kemi dëgjuar më shumë pas vitit 1991 kur në hapësirën ish -jugosllave, shkelja e të drejtave të njeriut pas rrëzimit të sistemit monist u bë përditshmëri. Nuk munguan rastet gjyqësore apo ankesat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut drejt Strazburgut. Sot kjo gjykatë ka shumë rëndësi, jo vetëm për shtetet e Bashkimit Evropian (BE), por edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor, pa harruar edhe zhvillimet jashtë strukturës evropiane të sigurisë siç janë ngjarjet e fundit në Kaukaz. 

Kohëve të fundit, gjykata mori një kërkesë për masë të përkohshme të paraqitur nga Armenia kundër Azerbejxhanit më 28 shtator të vitit 2020. Duke marrë parasysh se situata aktuale krijon rrezik për shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykata vendosi të zbatoj rregullin 39 të rregullores së gjykatës. Me qëllim parandalimin e shkeljeve të tilla dhe në përputhje me rregullin 39, gjykata u bëri thirrje “Azerbejxhanit dhe Armenisë që të përmbahen nga marrja e ndonjë mase, në veçanti veprimi ushtarak, i cili mund të sjellë shkelje të të drejtave të Konventës të popullatës civile, përfshirë vënien e jetës së tyre dhe shëndetin në rrezik, dhe për të qenë në përputhje me angazhimet e tyre sipas Konventës”.

Për më shumë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një gjykatë ndërkombëtare e Këshillit të Evropës që interpreton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata dëgjon kërkesat duke pretenduar se një shtet kontraktues ka shkelur një ose më shumë nga dispozitat e të drejtave të njeriut në lidhje me të drejtat civile të përcaktuara në konventë.

Gjykata u krijua në 21 janar të vitit 1959 në bazë të nenit 19 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kur anëtarët e saj të parë u zgjodhën nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Gjykata mbajti një profil të ulët gjatë viteve të saj të para dhe nuk grumbulloi shumë praktikë gjyqësore. Pas vitit 1992 gjykata u bë mjaft aktive dhe autoritative në vendimet e saja. Presidenti i gjykatës është Robert Ragnar Spano. Juridiksioni i gjykatës është i gjërë dhe i njohur deri më sot nga të 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Më 1 nëntor të vitit1998, gjykata u bë një institucion me mandat të plotë.

Anëtarësimi i shteteve të reja në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut pas rënies së Murit të Berlinit në 1989 çoi në një rritje të kërkesave të paraqitura në gjykatë. Efikasiteti i gjykatës u kërcënua seriozisht nga akumulimi i madh i kërkesave që pritnin zgjidhje dhe vendime përfundimtare nga Strazburgu.

Sa për informim, në vitin 1999, 8,400 kërkesa u caktuan për t’u dëgjuar dhe dhënë vendime. Në vitin 2003, 27.200 çështje u regjistruan dhe numri në pritje u rrit në afërsisht deri 65,000. Në vitin 2005, gjykata hapi 45,500 dosje të çështjes. Në vitin 2009, 57.200 kërkesa u caktuan, me 119,300 në pritje.

Gjyqtarët zgjidhen për një mandat nëntë vjeçar. Numri i gjyqtarëve me kohë të plotë që janë në gjykatë është i barabartë me numrin e shteteve kontraktuese të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, aktualisht 47. Konventa kërkon që gjyqtarët të jenë të karakterit të lartë dhe të kenë kualifikime të përshtatshme për funksione të larta gjyqësore, ose të jenë jurist të njohur.

Secili gjyqtar zgjidhet me shumicë votash në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjyqtarët zgjidhen sa herë që një gjyqtar në detyrë i ka përfunduar mandati ose kur një shtet i ri aderon në konventë. Mosha në pension e gjyqtarëve është 70 vjeç, por ata mund të vazhdojnë të shërbejnë si gjyqtarë derisa kur të zgjidhet një gjyqtar i ri ose derisa çështjet në të cilat ata marrin pjesë të marrin fund.

Selia e Gjykatës është në Strazburg të Francës. Për qartësim të lexuesëve tanë, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (CJEU) nuk ka lidhje me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Nga Maqedonia e Veriut kërkesat për shkelje të të drejtave të njeriut nga organet maqedonase të drejtësisë, kanë vazhduar duke vënë në sfrovë sistemin e drejtësisë së MV-së.

Verdikti i fundit i lëshuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i takon 20 janarit të vitit 2020, e cila ka të bëjë me trajtim çnjerëzor, trajtim poshtërues, kujdesin dhe trajtimin joadekuat të një fëmije tetë vjeçar me aftësi të kufizuara mendore i vendosur mbi një vit e nëntë muaj në një institucion të papërshtatshëm. Fëmija i lidhur shpesh në shtratin e tij për të mos lejuar që ai të ikë. Mungesa e hetimit efektiv. Çështja filloi nga një kërkesë (nr. 38067/15) kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut e paraqitur në Gjykatë sipas Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Shkup në emër të një maqedonasi / qytetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 27 korrik 2015.

Çdo qytetarë i Maqedonisë së Veriut mund t’i drejtohet GJEDNJ nëse beson se verdikti përfundimtar nga organet e shtetit nuk ka qenë i drejtë apo i ndikuar nga politika, shkelja e procedurave nga organet hetuese apo për arsye të etnisë, fesë dhe gjinisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button