RMV: A rrezikojmë një karantinë të dytë?

Aktualisht nga epidemiologët në Maqedoninë e Veriut po analizohen të gjitha pyetësorët epidemiologjike dhe bazuar nga kjo, në fillim të javës së ardhshme do të merret vendimi për atë se a duhet të kemi masa të reja për parandalimin e virusit apo jo. Kryeministri i Greqisë tha se ka marrëveshje mes shteteve të BE-së që të mos ketë karantinë të dytë, Filipçe gjithashtu thotë se kufizimi i lëvizjes të lirë nuk është zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

A do të ketë një izolim të dytë në Maqedoninë e Veriut?

Filipçe dje duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve tha se ai kishte paralajmëruar shtim të rasteve të reja me kovid-19 në këto muaj e pikërisht për këtë ka realizuar takim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse nga ku rezultati i këtij takimi, pritet të jetë gjatë javës së ardhshme.

Foto nga Ministria e Shëndetësisë, Venko Filipçe

“Komisioni për Sëmundje Ngjitëse këtë vikend do të shikoje me detaje anketat nga pyetësorët, që të shihet mënyra e transmetimit të virusit në secilën komunë apo qytet të shtetit, bazuar në këtë, ditët e ardhshme apo nga fillimi i javës së ardhshme do të jemi gati për të rekomanduar masa të reja, në pajtueshmëri me mënyrën e transmetimit të virusit. Ne kemi paralajmëruar që do të vije stina e vjeshtës e cila do të sjellë edhe numër më të madh të të infektuarve, që praktikisht tani po ndodhë” theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Menjëherë pasi u bë publike takimi mes dy institucioneve të lartpërmendura, gjegjësisht mes ministrit Filipçe me përfaqësues të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, në opinionin publik u ngritën pikëpyetjet për mundësinë izolimit të dytë të Maqedonisë së Veriut, bazuar edhe në numrin e rritur të rasteve pozitive javën e fundit.

Megjithatë, të gjitha këto ministri Filipçe i hedh poshtë dhe i njëjti potencoi se karantina apo kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, jep rezultat, por jo afatgjatë për shkak se në momentin kur lehtësohen masat, shteti përsëri përballet me rritje të numrit.

“Masat restriktive, ashtu si gjithkund më botë, dhanë rezultat, me lehtësimin e tyre pat edhe shtim të numrit të rasteve të reja. Kjo është dëshmi se virusi është këtu dhe mënyra e vetme është që tu përmbahemi masave mbrojtëse. Karantinimi nuk është zgjidhje reale e problemit, për këtë edhe në qoftë se ndodhë kjo, menjëherë pas lehtësimit të masave përballemi me numër të madh të rasteve. Andaj, apeloj deri te qytetarët që të ju përmbahen masave, për shkak se kjo është e vetmja mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit korona” shtoi Filipçe, kështu duke bërë të qartë qëndrimin e tij se një izolim i dytë nuk do të ndihmonte situatën me virusin korona në vend.

Çfarë bëjnë tjerët?

Qëndrime të ngjashme si të Filipçes prezantoi dje kryeministri i Greqisë, Kirijakos Micotakis gjatë një fjalimi në “Athens Democracy Forum 2020” në Athinë, ai madje shtoi se ekziston një marrëveshje mes shteteve të BE-së për mos aprovimin e një karantine të dytë.

Kirjakos Micotakis
Kirjakos Micotakis

“Megjithatë, ekziston një pikëpyetje: A mund të jetojmë me virusin, edhe në të njëjtën kohë të mbajmë ekonominë në normalitet, pa karantin dhe pa hasur në problem shëndetësore? Mendoj se kjo pyetje ende nuk ka përgjigje, për shkak se para nesh kemi tre apo katër muaj të vështirë. Shresoj dhe jam optimist se nuk do të ketë nevojë për masa restriktive tjera përveç këtyre që i kemi” tha kryeministri i Greqisë, Kirijakos Micotakis.

Kështu, Micotakis la të kuptohet se qëndrimet e Bashkimit Evropian, gjegjësisht të ekspertëve të BE-së të cilët merren me ecurinë e virusit korona konsiderojnë se nuk duhet të ketë një ngujim të dytë, respektivisht një vendim i cili do të kufizonte lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ndryshe, 243 raste të reja me virusin korona janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, kështu informojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Gjithsej kanë ndërruar jetë katër persona, të shëruar regjistrohen 100 pacient.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button