Nuk e realizoi mandatin e kaluar, Qeveria sërish premton sistemimin e 700 administratorëve të cilët 12 vite marrin rrogë pa punë

Sistemimi i 1.688  administratorëve të punësuar me Marrëveshjen e Ohrit, të cilët prej vitit 2008-të, në mungesë të ofertës së shtetit për punë kanë marrë rrogë duke qëndruar në shtëpi, filloi gjatë mandatit të qeverisë paraprake, por u la në gjysmë. Në vend që partnerët qeveritar ta kryenin këtë sistemin në mandatin e parë, të njëjtit e kanë futur në marrëveshje koalicioni edhe në mandatin e dytë, ndërkaq sistematizimi nuk pritet të ndodh deri në fund të këtij viti, shkruan Portalb.mk.

Autoritetet qeveritare kanë paralajmëruar sistemimin e administratorëve të mbetur, që tanimë 12 vite qëndrojnë në shtëpi e marrin rrogë nga arka shtetërore që mbushet me taksat e qytetarëve.

Qeveria paraprake, e cila gjithashtu udhëhiqej nga po i njëjti koalicion, kishte premtuar se do ta kryente sistematizimin, por të njëjtin nuk e realizoi.

Zv/kryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi, dje ka deklaruar se është formuar grup punues i cili do t’i sistematizojë të punësuarit sipas Marrëveshjes së Ohrit, të cilët nuk janë punësuar, pasi që po mendohet për ligj për këto persona.

“Kjo është pjesë e marrëveshjes së koalicionit mes LSDM-së dhe BDI-së për sistematizimin e të gjithë të punësuarve sipas Marrëveshjes së Ohrit sipas programit K-5 të cilët duhet të punësohen ndër vite që të rritet përfaqësimi adekuat dhe i drejt i të gjitha komuniteteve në institucionet e administratës shtetërore dhe sektorit publik. Marrëveshjen do ta zbatojmë, do t’i sistematizojmë të gjithë ata njerëz që duan të punojnë dhe të cilët presin që të sistematizohen. Për momentin kemi formuar grup punues që t’i analizojmë përgatitjet e tyre profesionale, sa kemi ekonomistë, juristë, IT-inxhinierë, sa janë me shkollim të mesëm, që bashkë me MSHIA-në, t’i gjejmë vendet e punës që janë të lira”, deklaroi Grubi.

Grubi nuk pret që ky proces të mbarojë deri në fund të këtij viti.

Qeveria, në mandatin e kaluar, kishte bërë plan për sistematizimin e 1.688 administratorëve të cilët rrinin në shtëpi e merrnin rroga. Sipas planit, administratorët duhej që të sistematizoheshin nëpër vende të punës në dy faza.

Ministri i atëhershëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, më 30 gusht 2018-të  njoftoi se 752 prej 958 administratorëve, të përfshirë në fazën e parë të sistematizimit, kanë nënshkruar kontratat dhe kanë nisur me punë, ndërkaq 206-të të tjerë janë vendosur në listë të transferit.

Paralelisht me sistematizimin e 958 administratorëve nëpër institucione përkatëse, Qeveria më 3 maj të vitit 2018-të, na tha se në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit po punohet për përgatitjen e planit për sistematizimin e 730-të administratorëve tjerë.

“Në Sekretariat punohet në përgatitjen e planit të fazës së dytë të personave që kanë mbetur pa sistematizuar. Ajo është ende në fazën fillestare. Sipas procedurës, Sekretariati me institucionet tjera përkatëse e bëjnë planin, i njëjti vjen dhe miratohet në Qeveri dhe fillohet të realizohet edhe ajo. Njëkohësisht merren parasysh të gjitha kriteret dhe të gjitha kushtet – arsimimi, përgatitje e tyre profesionale, vendi nga janë etj.”, thanë nga Qeveria, duke mos caktuar afat se kur pritet që e njëjta të ndodhë.

Në fakt, deri më tani kjo nuk ndodhi.

Problemet me administratën kanë qenë edhe ndër kritikat më të mëdha të Komisionit Evropian dhe grupit të ekspertëve të Rejhard Pribesë gjatë viteve paraprake. Ata kërkuan departizim dhe sistematizim të administratës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button