RMV, ambasadorët e rinj evropian: Bëhuni ndryshimi që dëshironi të shihni, çdo i ri mund të arrijë atë që dëshiron vërtet

Portalb ka intervistuar ambasadorët e rinj evropianë të Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët më saktë kanë filluar me detyrën e tyre prej më 1 shtator të këtij viti. Ata në intervistë theksuan se do të jenë zëri i të rinjve duke u përpjekur maksimalisht që të arrijnë qëllimet e tyre dhe të të gjithë të rinjve të RMV-së. Sot do ta publikojmë intervistën e realizuar me dy prej tyre, Dejan Miskovskit dhe Dona Srdikj Lazarevskës. 

Dejan Miskovski

1. Çfarë nënkupton për ju kjo detyrë si ambasador i Ri Evropian?

Dejan Miskovski: Për mua kjo paraqet një sfidë dhe mundësi përmes kontributit tim personal për të dhënë një shembull për të rinjtë në vendin tim dhe për të dëgjuar nga afër problemet dhe pritjet e tyre. Besoj se me angazhimin tim personal dhe maksimal, mund të ndikoj në zgjidhjen e së njëjtës, si dhe të ndikoj në krijimin e një klime më të mirë për arritjet e të rinjve, së pari në vendin e tyre, ndërsa më vonë dhe në mjedisin më të ngushtë nga i cili vijnë.

Dona Srdikj Lazarevska: Unë isha e interesuar për politikë që në moshë shumë të re, doja të kisha mundësinë të ndikoja në gjërat përreth meje që mendoja se duheshin ndryshuar dhe marrja e mundësisë për t’u bërë një Ambasador i ri Evropian për mua është një hap më afër arritjes së qëllimeve të mia. Ky pozicion lejon që zëri im të dëgjohet, idetë e mia të realizohen, unë marrë mbështetjen, ndihmën dhe edukimin e duhur për të arritur atë që e kam imagjinuar. Për mua, pozicioni i Ambasadorit të ri Evropian do të thotë të mund të shkëmbej ide dhe të frymëzoj ndryshime në shoqërinë nga vij, t’i promovoj vlerat evropiane dhe të jem një person që përpiqet të krijojë një të ardhme më të mirë.

Dona Srdikj Lazarevska

2. Çfarë keni arritur të bëni prej momentin që keni qenë në këtë pozicion dhe çfarë pretendoni të bëni në të ardhmen?

Dejan Miskovski: Meqenëse aktivitetet ende nuk kanë filluar zyrtarisht, është ende herët të flasim për këtë temë, megjithatë, jozyrtarisht edhe para fillimit të këtij projekti u përpoqa përmes shembujve pozitiv të arrija te bashkëmoshatarët e mi. Në të ardhmen do t’i bëj të gjitha këto edhe më shumë , sepse tani jemi zyrtarisht një ekip i të rinjve me të cilët jam i bindur se do të punojmë shumë mirë dhe do të jemi zëri i të rinjve.

Dona Srdikj Lazarevska: Mandati ynë sapo ka filluar më 1 shtator të këtij viti dhe për fat të keq është ende herët për të folur për diçka më domethënëse që kam arritur të bëj që kur u emërova Ambasador i Ri, por në të ardhmen kam dy fusha interesi në të cilat do të përqendrohem gjatë këtyre tre viteve. Fusha e parë është mbrojtja e të drejtave të grave, barazi më e madhe ekonomike, përfshirje më e madhe e grave në politikë, dhe fusha e dytë është mbrojtja e mjedisit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se niveli i mbrojtjes së mjedisit në vendin tonë është i ulët, përballemi me ujë të ndotur, shpyllëzime dhe thithim ajrin më të ndotur në Evropë. Unë besoj se kjo është një nga çështjet më të prekshme në vendin tonë dhe se ne duhet të marrim masa për të zgjidhur këtë problem.

3. A mendoni të bëni bashkëpunime me Ambasadorë të Rinj të shteteve tjera?

Dejan Miskovski: Absolutisht, vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët mund të ndikojmë në arritjen e qëllimeve tona si dhe të kontribuojmë në kuptimin e ndryshimeve, si në shtetet e tyre ashtu edhe jashtë tyre.

Dona Srdikj Lazarevska: Po, sinqerisht shpresoj në këtë. Ne të gjithë jemi të rinj me ide të ndryshme se si mund t’i ndihmojmë shoqëritë tona. Shumë nga këta të rinj ndajnë idetë dhe mendimet e mia në mënyrë që bashkëpunimi i zgjeruar midis të gjithëve të na ndihmojë të arrijmë më lehtë qëllimet tona.

4. Çfarë mesazhi inspirues do ju kishit dhënë të rinjve?

Dejan Miskovski: Bëhuni ndryshimi që dëshironi të shihni!

Dona Srdikj Lazarevska: Unë do të këshilloja të rinjtë të mos dorëzohen kurrë. Bota sot ofron kaq shumë mundësi që çdo i ri mund të arrijë atë që dëshiron vërtet.

 

Platforma e Ambasadorëve të Rinj Evropianë është një rrjet krijues i ndryshuesve të rinj të ardhshëm të lojërave  nga i gjithë Ballkani Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbi) dhe Bashkimi Evropian (BE). Ambasadorët e Rinj Evropian janë të hapur për të shkëmbyer ide dhe për të frymëzuar ndryshime brenda komuniteteve të tyre, brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe në të gjithë BE-në. Ata do të përfshihen në aktivitete të tilla si platforma mësimore në internet, ngjarje virtuale, konferenca dhe ngjarje kulturore.  Ata do të marrin pjesë në udhëtime studimore në të gjithë BE-në dhe Ballkanin Perëndimor dhe do të përfshihen në të gjitha llojet e projekteve krijuese dhe vepruese shoqërore.

Intervista vazhdon nesër, me tre ambasadorë tjerë…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button