Zaev: Çështja e Goce Dellçevit duhet të zgjidhjet në korniza të komisionit të përbashkët të dy vendeve

Kryeministri Zoran Zaev vlerëson se çështja e identitetit të Goce Dellçev mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, është një çështje që duhet të zgjidhet në korniza të komisionit të përbashkët të dy vendeve dhe jo të politikës. Ai në intervistën e mbrëmshme për Kanal 5, tha se komisioni, siç gjeti zgjidhje të mira për Shën Cirili dhe Metodij, Shën Naumin, Klimentin e Ohrin dhe mbretin Samoil, duhet ta zgjidh edhe këtë çështje në frymën e historisë së përbashkët, transmeton Portalb.mk.

Zaev është shprehur i bindur se do të gjendet një zgjidhje rreth kësaj, duke thënë se Marrëveshja me Bullgarinë duhet të unifikojë, të ndërtoj ura të miqësisë dhe asnjë palë të mos tentojë të përvetësojë diçka.

“Marrëveshja me Bullgarinë parasheh shumë qartë ndërtimin e unitetit, të fqinjësisë së mirë dhe miqësisë. Marrëveshja është rrugë në dy drejtime dhe të dyja palët kanë obligime. Hapi ynë ishte pranimi i historisë së përbashkët, hapi i Bullgarisë ishte dy popujt, edhe ai maqedonas edhe ai bullgar dhe është nënshkruar në gjuhën maqedonase dhe bullgare. Çështjet e identitetit nuk duhet t’i vendos në pikëpyetje absolutisht asnjë shtet evropian, as qeveri, as politikë. Ajo çështje është e vet identifikimit”, deklaroi Zaev

Ai theksoi se është e rëndësishme që Bullgaria, nëpërmjet marrëveshjes, ka ndërmarrë obligim që të na mbështesë në integrimet tona evropiane dhe euroatlantike. Sipas tij, nevojitet kujdes dhe të jepet një shans për arritjen e zgjidhjeve.

“30 vitet e kaluara na kanë mësuar se problemet nuk zgjidhen në atë mënyrë, por vetëm grumbullohen. Për këtë edhe koha dëshmoi me Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë se politikanët që sjellin vendime të guximshme për vendin e tyre, nuk do të thotë se humbin zgjedhjet, qytetarët dinë edhe t’i shpërblejnë.

Sofja zyrtare ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve. Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë formuar një komision të përbashkët për zgjidhjen e kontesteve sa i përket çështjes së historisë, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete. Pas një pauze pothuajse një vjeçare. palët do të takohen sërish më 15 dhe 16 tetor, për një përpjekje të re për të zgjidhur kontestet historike mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button