RMV, Pensionistë e zejtarë të pakënaqur nga faza e katërt e ndihmës ekonomike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka publikuar paketën e katërt për ndihmë në para apo në forma të tjera për bizneset, studentët, pensionistët e artistët e pavarur që janë dëmtuar ekonomikisht si pasojë e Covid19, transmeton EN. Por, as pensionistët e as zejtarët nuk janë të kënaqur nga ndihma e shtetit.

Pensionisti Sojçe Pepovksi, që prej fillimit të pandemisë, ka marrë për herë të parë vetëm një kartelë prej 100 eurosh për të bërë pazar me produktet vendore. I indinjuar ai shprehet se këto 100 euro nuk mjaftojnë as për nevojat elementare. 

“Është hera e parë që na japin diçka nga fillimi i pandemisë. Unë pensionin ashtu si e marr e shpërndaj për harxhimet dhe kjo është e gjitha. Sigurisht se nuk është e mjaftueshme kjo kartelë. Ndihma është e mirëseardhur, por është e vogël. Do blejmë diçka për të ngrënë,” – tregon Stojçe Pepovski.

Rrobaqepësja Gyltene Iljazi thotë se deri tani ka marrë rrogë minimale nga shteti që është në vlerë rreth 250 euro, por se ato para nuk i kanë mjaftuar as për të paguar qiranë e harxhimet rrjedhëse që i ka biznesi i saj, e lërë të ndajë para për familjen.

“Po mundohem me mundin tim, aq sa mundem, por ushqimi, rruga, qiraja duhet mbuluar dhe nuk mjaftojnë. Këto para janë shumë pak. Kam pasur edhe kolege të tjera që kanë punuar me mua, kemi bashkëpunuar, dy prej tyre i kanë mbyllur dyqanet. Un po e jap maksimumin deri në fund sepse këtë përvojë vetëm e kam, skam tjetër përvojë, por nuk ka rrugëdalje. Megjithatë un do mundohem dhe shpresoj se shteti do të mendojë më tepër sepse janë shumë pak. 14 500 denar nuk mjaftojnë,” – shprehet Gylten Iljazi.

Një zejtar tjetër që punon me ar dhe filigran nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti. Madje Zejnulla Asani akuzon se harxhimet që ua ka hequr shteti për kontribute, e kanë paralajmëruar se do të duhet ti kthejë deri në fund të vitit. 

“Asgjë nuk na kanë ndihmuar. Vetëm po dëgjojmë në lajme, në shtypin ditor dhe në Facebook, por asgjë konkrete nuk na kanë ndihmuar. Prej marsit deri tash nuk kemi asnjë ndihmë. Edhe disa ndihma të vogla, kontributet që na i hoqën që të mos i paguajmë të gjitha, edhe ato ndoshta ndoshta do të na i shtojnë, sikur të na kenë dhënë hua, e jo ndihmë. Mos të flas gjëra negative por mendoj se nuk do të shkojë gjatë. Do behet një katastrofë, sidomos për zejtarët. E keni parë Çarshinë, s’ka njeri të gjallë sepse njerëzit i kanë prioritet barërat. Edhe duhet të bëjmë maska edhe vitamina që janë të shtrenjta, ndërsa asgjë nuk na ndihmohet,” – tregon Zejnulla Asani.

Nga fillimi i pandemisë Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë disa forma të ndihmave për bizneset, por asnjëherë të mjaftueshme dhe vazhdimisht pronarët e të punësuarit ankoheshin. Një numër i lartë janë detyruar të mbyllin veprimtaritë ose të pushojnë njerëz nga puna, gjë që ka sjellë mbi 40 mijë persona të papunë si pasojë e pandemisë në Maqedoninë e Veriut.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button