RMV, pjesë e revizonit do të jenë lëndët e gjykatësve që publikisht ishin të dyshuar nga SHBA dhe BE

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ka deklaruar se ende po precizohet mekanizmi në lidhje me revizionin e një pjese të proceseve gjyqësore, por theksoi se të parët do të jenë rastet të cilat janë prej profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, njofton Portalb.mk.

Bojan Mariçiq
Bojan Mariçiq

Ai nuk e hedh mundësinë që të gjenden edhe rastet ose aktgjykimit të cilat i kanë gjykuar gjykatësit të cilët janë përmendur në raportin e Stejt Departamentit dhe raportin e Pribesë.

“Kemi raport të Pribesë dhe Stejt Departamentit në të cilat shumë qartë janë precizuar strukturat në gjyqësor dhe individët e caktuar. Një pjesë e tyre tanimë nuk janë pjesë e gjyqësorit, pjesa më e madhe ende janë, por kemi treguar se gjyqësori ka forcë që kur dëshiron reagon në ato raste. Nëse ata e kryejnë punën njerëzit në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publike dhe japin rezultate do të ndryshohet atmosfera dhe perceptimi për gjyqësorin”, tha Mariçiq.

Sipas tij, më mirë do të ishte që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publike të kryejnë revizion të rasteve me zgjedhje të rastësishme dhe të kontrollojnë 5% të lëndëve.

“Fillimisht Komisioni Për Parandalimin e Korrupsionit duhet të bëjë kontroll të pronës, a nga ana tjetër të fillojë filtrimi, ventilimi ose ekzaminimi i atyre rasteve të cilat kanë ngecje të madhe ose ku ka vjetërsim të lëndëve dhe të ketë mundësi që të bëhet analizë se për çfarë arsye ajo ka ndodhur”, theksoi Mariçiq.

Nuk do të ketë aktgjykime në katër sy, as në telefon. Presim që gjykatësit të vendosin me vullnetin e tyre dhe sipas ligjit pa përzierje nga pushteti ekzekutiv dhe me mbajtje të ndarjes së pushtetit. Besueshmëria në gjyqësor nënkupton besueshmëri edhe në sistem pasi që kur nuk kanë qytetarët besueshmëri në gjyqësor nuk kanë as në sistem. Kemi parakushte që besueshmërinë ta rrisim një nivel më lartë, tha Mariçiq.

Disa prej gjyqtarëve të përmendur në raportin e Departamentit Amerikan për vitin 2018-të

Në mesin e gjykatësve të përmendur janë ish kryetari i Gjykatës së Penales, Vlladimir Pançevski, i përfshirë në përgjimet e paligjshme 2008-2015 i cili është shkarkuar nga pozita e gjyqtarit dhe ndodhet në burg për shkak se u shpall fajtor për manipiulim të sistemit elektronik për shpërndarjen e lëndëve – AKMIS.

Jovo Vangellovski, i përfshirë në përgjimet e paligjshme 2008-2015, është shkarkuar nga detyra për shkak se e ka liruar nga paraburgimi biznesmenin Sead Koçan, i dënuar për krim tenderial prej 17 milionë eurosh.

Ish kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Aleksandra Zafirovska, e cila gjatë kohës së pushtetit të Gruevskit është marrë vesh me funksionarë publik që të emërohen gjykatës të favorshëm për partinë dhe besnik ndaj tyre.

Sofija Laliçiq, e përfshirë në përgjimet e paligjshme, ka marrë urdhra nga zyrtarë të lartë të Policisë Sekrete. Kjo gjykatëse njihet në opinion si Swarovski, për shkak se dëgjohet në një bisedë telefonike duke i shpjeguar shefit të atëhershëm të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, se si gjykatësja Petrovska i ka dhënë bizhuteri Swarovski, kryetares së atëhershme të Gjykatës Penale Lidija Nedellkovës.

Gjyqtarja Svetllana Kostova, në të njëjtën kohë ka punuar si gjyqtare dhe si staf i Policisë Sekrete.

Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button