Bullgaria nuk do të kundërshtojë, por as nuk do të mbështesë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave me BE-në

Bullgaria nuk do të kundërshtojë, por do të thotë se nuk është koha që të caktohet datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për fillim të negociatave për qasjen e Maqedonisë së Veriut në BE, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes të Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, njofton Portalb.mk.

Ai tha për televizion bullgar TV Evropa se askush nuk dëshiron që të vendosen kritere të reja për Maqedoninë e Veriut, por se ekziston një kusht i qartë i BE-së: çdo vend kandidat për anëtarësim duhet t’i pastrojë problemet me fqinjët para se të fillojë negociatat, transmeton BGNES.

“Bullgaria nuk do të ndryshojë politikën e saj. Në tetor të vitit të kaluar kemi thënë shumë qartë se nëse nuk respektohet Marrëveshja për Miqësi e 2 gushtit të vitit 2017 mes Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të kundërshtojmë në caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha Karakaçanov.

Ai ka kritikuar edhe ish ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov, se tre vite nuk është bërë asgjë për përmirësimin e raporteve bilaterale, si dhe kryetarin e komisionit të përbashkët për çështje të historisë dhe arsimore nga pala maqedonas, Dragi Gjorgjiev.

“Ata mendojnë se mund t’i fshehin gjërat. Ata mendojnë se dikush në Bruksel apo në tërë botës do t’i bëjë presion Bullgarisë dhe ne do të gjunjëzohemi. Është e qartë, nuk e kuptuan se çfarë është BE dhe si punon. Patëm tre vite që të riedukohen. Bullgaria nuk do të kundërshtojë, por do të thotë se nuk është koha që të caktohet datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Kur dikush nuk është i gatshëm që të paraqitet në klasën e parë, ka përgatitje parashkollore. Momentalisht flas në emër të Qeverisë”, deklaroi Karakaçanov.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev, dje gjatë konferencës së përbashkët për media me euroambasadorin e ri, David Geer, theksoi nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë duke paralajmëruar një vizitë në Sofje në fillim të muajin nëntor. Kreu i qeverisë maqedonase tha se dallimet nuk duhet të heshten siç ka ndodhur në të kaluarën. I pyetur se si i vlerëson këmbënguljen e palës bullgare e cila me çdo kusht insiston që pala maqedonas të heq dorë nga Goce Dellçev, ai deklaroi se Goce Dellçev është revolucionar maqedonas, megjithatë, Zaev tha se është fakt se edhe bullgarët e vlerësojnë Dellçevin për revolucionar të tyre.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë formuar një komision të përbashkët për zgjidhjen e kontesteve sa i përket çështjes së historisë, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.

Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Autoritetet bullgare i bëjnë thirrje Maqedonisë së Veriut të gjejë zgjidhje afatgjate me vullnet të sinqertë politik dhe guxim dhe të “ndalojë me trashëgiminë ideologjike nga Jugosllavia komuniste”. Sipas Bullgarisë kjo “trashëgimi” është shkak për “inxhinierë etnike” në Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket gjuhës, Sofja e shfrytëzon gjuhën maqedonase nën thonjëza dhe konsideron se deri më dy gusht 1944 nuk ka ekzistuar as gjuha maqedonase, e as identiteti etnik maqedonas, dhe se ato janë krijuar me qëllim që të ndahen popujt në Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sofja e vendos në pikëpyetje kodifikimin e gjuhës maqedonase dhe konsideron se ajo është dialekt rajonal i gjuhës bullgare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button