fbpx

Për çështjet bullgare në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Një nga temat kryesore në publik këto ditë është Memorandumi i qeverisë bullgare. Pothuajse askush nuk pyet se çfarë dokumenti është ai, por titulli është i zëshëm, kështu që filluan të kërkohen reagime zyrtare madje edhe të deklaratave të Kuvendit dhe të ngjashme.

Dokumenti është në fakt një “Memorandum shpjegues”, i përkthyer në mënyrë më të përshtatshme si “shpjegim”. Në fakt është sqarim i qëndrimeve të dokumenteve bullgare të paraqitura më parë në lidhje me aderimin e Maqedonisë së Veriut. Dokumenti themelor që Memorandumi synon të shpjegojë është Pozicioni Kornizë i Bullgarisë që ishte dërguar në vendet anëtare të BE-së në tetor të vitit të kaluar, kur duhej të merret vendimi për fillim të negociatave me vendin tonë. Duhet të përkujtojmë se, ky pozicion u konfirmua me shumicë dërrmuese më Deklaratë të Parlamentit të Bullgarisë. Në të, Bullgaria vendos një sërë kushtesh për konferencën e parë dhe të dytë ndërqeveritare, të cilat janë, në fakt, fillim de facto i negociatave. Këto kushte, sipas pozicionit bullgar, vijnë nga Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë midis dy vendeve. Në mars, Bullgaria e përsëriti qëndrimin e saj në një deklaratë që i bashkëngjit Konkluzioneve të Këshillit të BE-së nga marsi 2020.

Kërkesat bullgare në Pozicionin kornizë nga tetori 2019 lidhen kryesisht me çështjet e identitetit dhe çështje të interpretimit të historisë. Siç tregon analiza e detajuar e Institutit për politikë evropiane nga qershori i vitit 2020, kushtet e vendosura nga Bullgaria janë në fakt interpretimi i tyre i njëanshëm dhe i shtrembëruar i Marrëveshjes për miqësi fqinjësi të mirë midis dy vendeve. Pastaj, më tepër kërkesa janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës (siç është përdorimi i “gjuhës maqedonase” me një fusnotë shpjeguese, përdorimi i vetëm i termit “Republika e Maqedonisë së Veriut”) si dhe legjislacioni i Unionit dhe standardet ndërkombëtare.

Qëllimi kryesor i Pozicionit kornizë të Bullgarisë është që kërkesat e saj të përfshihen në Kornizën negociuese të BE-së për Maqedoninë e Veriut e veçanërisht në Kapitullin 35 “Çështjet tjera” të përfshihet zbatimi i marrëveshjes dypalëshe për dhe miqësi fqinjësi të mirë midis dy vendeve. Kështu, Bullgaria, përmes procesit të aderimit tonë, me miratimin e të gjitha vendeve anëtare, do të realizonte kërkesat e saj, të cilat duhet të burojnë nga interesat e saj.

Sidoqoftë, kërkesat bullgare nuk gjetën vendin as në Konkluzionet e Këshillit nga marsi 2020, as në Propozim kornizën negociuese të paraqitur nga Komisioni evropian në vendet anëtare më 1 korrik 2020. Procedurën tani po e udhëheq Këshilli i BE-së – përkatësisht kryesuesi për këto gjashtë muaj – Gjermania. Zyrtarët gjermanë kanë thënë vazhdimisht se nuk ka vend për mosmarrëveshje dypalëshe në negociata, ndërsa kohët e fundit – se nuk është në interes të Bullgarisë të bllokojë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Pikëpamjet bullgare nuk kanë hasur në simpati dhe aprovim nga vendet anëtare dhe për momentin Bullgaria mbetet e izoluar për sa i përket kërkesave ndaj Maqedonisë së Veriut.

Në një situatë kur ka mungesë të mbështetjes nga vendet e tjera anëtare, mbase duke marrë parasysh që duhet të shpjegojë më tej pikëpamjet e saj, Bullgaria në një procedurë të brendshme në Këshillin e BE-së, e ka paraqitur Memorandumin ose shpjegimin e përmendur deri te shtetet tjera anëtare. Aty, duke abuzuar me pozicionin e një vendi anëtar, qeveria Bullgare citon një sërë pretendimesh dhe interpretimesh të pabazuara të historisë, duke mohuar plotësisht identitetin maqedonas. Qëndrime të tilla shkaktojnë reagime të ashpra dhe të zëshme në publikun e Maqedonisë, por ato gjithashtu janë pritur me habi në qarqet relevante  të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të BE-së.

Për ne tani, është shumë më e rëndësishme të jemi të mençur dhe Bullgaria të mbetet pa mbështetjen e anëtarëve të tjerë të BE-së, se sa të gjuajmë me topa të zhurmshëm në një fushë të gabuar, sepse fusha kryesore e lojës nuk është dypalëshe – por BE. Sidoqoftë, nuk mund e mos ta pranojmë që kursi aktual i punës në Kornizën negociuese është një sukses i diplomacisë sonë – i arritur në një anë më të vështirë dhe më të qetë, qofte madje edhe në terren dytësor. Nuk guxojmë të humbim kredibilitetin e rikthyer me vështirësi midis vendeve anëtare të BE dhe në të njëjtën kohë duhet të mbrojmë interesat kryesore të shtetit.

Mbase është e mundshme që në periudhën e ardhme, që vendet anëtare të përpiqen të bindin Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që faktikisht të heqin frenat nga procesi i zbatimit të Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë- të paktën në punën e Komisionit të përbashkët për çështjet historike, veçanërisht duke pasur parasysh që të dy vendet janë bashkë-kryesuese të Procesit të Berlinit këtë vit.

Prandaj, çështja aktuale në periudhën në vijim është nëse Bullgaria, duke qëndruar fortë në qëndrimet që ka, do të jetë në gjendje dhe e gatshme të përballojë koston e izolimit në politikën e jashtme të Bashkimit dhe, nëse ajo tregon fleksibilitet, që është formulë e pranueshme për të dy vendet për të rifilluar dialogun dypalësh.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close