Kosovë, u hap Java Evropiane e Sportit

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), kanë hapur sot Javën Evropiane të Sportit me konferencën e parë “Forumi për Sportin”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani në fjalën hapëse të kësaj jave tha se ky organizim i cili mbahet në mbarë Evropën ka arritur të mobilizojë mbi 16 milionë njerëz për t’iu shmangur jetës joaktive, pra për t’u marrë me sport dhe edukimin fizik si parakusht i një jete më të mirë.

Sa i përket Kosovës, Hasani vuri në dukje se shumë pak njerëz merren me sport. Ai u bëri thirrje prindërve që ashtu sikurse i dërgojnë ata në shkollë, t’i dërgojnë edhe në njërin nga qindra klubet sportive të vendit.

“Qëllimi i Javës Evropiane të Sportit është që sa më shumë njerëz të merren me sport por kur jemi tek Kosova, duke marrë parasysh numrin e vogël të njerëzve që merren me sport besoj se ne të gjithë duhet të fokusohemi që sa më shumë fëmijë t’i nxisim që të merren me sport, posaçërisht kur e kemi parasysh që tek ta zhvillohen 24 shkathtësi që nuk ka institucion tjetër që zhvillon këto shkathtësi që zhvillohen nëpërmjet sportit”, tha Hasani.

Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi tha se prioriteti i ministrisë që ajo udhëheqë për këtë vit janë investimet të cilat po realizohen në modernizimin e infrastrukturës sportive.

Këto investime siç tha ajo kalojnë shumën 19 milionë euro ndërsa bëhet fjalë për rreth 80 projekte infrastrukturore në të gjitha komunat e Kosovës, për stadiume, palestra, fusha tenisi, pishina, poligone sportive, shtigje të atletikës.

“Konsideroj se temë që duhet të diskutohet në avancimin e sportit gjatë këtij forumi janë: Ligji për sponsorizim, kategorizimi i sportit, sportistëve dhe trajnerëve, qeverisja e mirë në sport e barazia gjinore. Por, kjo (barazia gjinore) është objektivë e imja që klubet e femrave të mbështeten sa më shumë, kështu që duhet ta keni në konsideratë në këtë forum”, tha Dumoshi.

Ajo tha se me rekomandimin e Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA) si dhe organizatave tjera për dopingun, MKRS ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore që të themelojë Agjencinë e Kosovës për Anti-Doping, që sportistët kosovarë të përfaqësohen sipas rregullave të dopingut.

Në forumin e parë në kuadër të kësaj jave, u fol për sportin gjatë pandemisë ndër pjesëmarrës ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Java Evropiane e Sportit, është një organizim sportiv që mbahet në javën e fundit të muajit shtator, nëpër vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe i cili mbështetet edhe nga Komisioni Evropian.

Nga 23 deri 30 shtator organizatat e ndryshme sportive, si Komiteti Olimpik i Kosovës, Komiteti Paraolimpik i Kosovës, Federata e Çiklizmit, Atletikës, Sportit Shkollor, Sporteve Universitare do të organizojnë aktivitete të ndryshme anekënd Kosovës, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button