SOCIO-DEMOGRAFI: TETOVA 1832/33 (II)

Punët nganjëherë të shtyjnë të takosh edhe njerëzit me të cilët ke kaluar vite të paharrueshme, me të cilët fati të ka ndarë, të ka hedhur në ishuj të ndryshëm të jetës. Më 26 gusht, e mërkurë, përkthimi i një dokumenti zyrtar të vajzës së dytë që ka studiuar jashtë, u bë sebep të takoja një mik nga shkolla e mesme, Adnanin, një itelektual, i punësuar në Arkivin Shtetëror të RMV-së, i shkolluar në Kajro, njohës i shkëlqyer i osmanishtes, njeri që shkencën e bën nga burimet e dorës së parë, dhe që historianëve dhe shumë profileve të tjera iu siguron burime autentike. Që të mësohen që historinë mos e lexojnë dhe interpretojnë nga tekstet serbe apo sllave që kanë një qasje selektive dhe subjektive lidhur me çështjen shqiptare dhe josllave. Të mësojnë se pa i hyrë në të frymës së 500 viteve të kaluara s’mund të shkruhet histori e shëndoshë e jona e as e të tjerëve. Dhe siç i ka hije shkollarit, u shfaq me një libër nën sqetull, një tekst që ndërlidhet me historinë e trojeve tona: Dokumente Turke për historinë e Maqedonisë: Regjistrimet e shekullit XIX (Sanxhaku i Shkupit, kazaja e Tetovës), botuar vitin e kaluar. Një tekst  i sociologjisë së historisë, kjo ishte përshtypja jonë e parë duke u nisur nga vokacioni, në fakt socio-demografi e kohës.

Historia flet se në periudhën osmane regjistrimi i parë është realizuar më 1831 në kohën e Mahmudit të II me qëllim të mbledhjes taksave dhe rekrutimit të ushtarëve që do t’i zëvendësonin jeniçerët. Libri në fjalë paraqet në mënyrë ekzakte të dhëna të gjeneruara nga regjsitrimi i vitit 1832/33, që paraqet regjistrimin e parë modern të realizuar në territorin e Shtetit Osman, që dallon nga ato të përgjithshmet të bëra në shek. XV dhe XVI. Ky defter (nufus) përfshin qytetin e Tetovës (tetë lagje), krahun e sipërm (nga Reçica deri në Gostivar e Papradishtë, 66 fshatra), të ngushticës (Lisec deri në Sellcë – 8 fshatra), krahun e poshtëm (Poroj deri në Krevenik 27 fshatra) dhe katundet e rajonit të Dervendit (Grupçin, Llaskarcë deri në Uzurmishte, 14 fshatra). Regjistrimi në fjalë si qëllim ka pasur evidencën e saktë të popullatës mashkullore myslimane të aftë për luftë, e cila për dallim nga ajo jomyslimane ka qenë e obliguar të rekrutohet ushtarakisht, dhe konstatimit të potencialit të taksave. Veçoritë që ai përshkruan janë mosha, aftësia luftarake, profesioni, gjendja fizike e të tjera. Nga defteri konstatohet se atë vit kazaja e Tetovës ka pasur 3096 familje, me gjithsej 11000 banorë meshkuj.

Tani të kalojmë te analiza sociologjike e fakteve. Është specifike që kemi një pasqyrë monoreligjioze të shoqërisë osmane, pa të dhëna për përkatësinë etnike të popullatës. Kjo është e natyrshme për atë kohë, kur kombi modern ende nuk janë formuar në plotëkuptimin e fjalës, kur pan-osmanizmi ka qenë politika kryesore. Atëbotë siç dihet, në kontekstin osman, konform sistemit të mileteve, popullata është ndarë në dy kategori, myslimanë dhe jomyslimanë (të cilët kishin nisur të vetëperceptoheshin edhe në baza etnike: armenë, grekë, hebrenj [Masters, 2009: 383]). Veçori tjetër sui generis është edhe ajo gjinore, pra mospërfshirja e grave, gabim ky – i bërë edhe në shoqëritë e tjera të botës – që është përmirësuar në fund të shek. XIX.

Në vazhdim një shkëputje nga regjistrimi:

Lagjen Qopry (Ura) të Tetovës në shtëpinë 1 ka jetuar:

  1. Bujku Ahmed qehaja, djali i Kurtishit, me mustaqe 50 vjeç.
  2. Djali i tij Selimi, 23 vjeç.
  3. (mungon një copë e defterit origjinal)

Në shtëpinë me numër 2:

  1. Pishtoletëndreqës Iljas, djali i Mahmudit, me mustaqe 50 vjeç, vdekur më 21 janar 1834.
  2. Djali i tij, Ibrahimi, 7 vjeç.
  3. Djali i vëllait të Iljasit, Xhaferi…

Në shtëpinë 32:

  1. Berberi Emin, djali i Abdylfettahut, me mustaqe, 35 vjeç.
  2. I biri, Shehabi, 7 vjeç.

Dhe kështu vazhdojnë të dhënat në 551 faqe, shoqëruar nga faksimili i defterit origjinal.

Nga analiza tekstuale apo e përmbajtjes konstatojmë se kemi të bëjmë me një rajon me frymë dominante bujqësore-blegtorale (bujk, kopshtar, duhanmbjellës, argat, qeha, nallbant) dhe ushtarake, gjë që vërtetohet nga profesionet e shumëpërmendura si pushkaxhi, pishtoletëndreqës, kundakçi, përpunues gypash për armë, fishekxhi, regjistrues pushkësh, bolykbash, rezervist (f. 75). Si profil me rëndësi është edhe ai  njerëzve të petkut fetar, si myftiu, imami i xhamisë, hafizi, myezini, shejhu, dervishi, ndjekësi, që reflektojë frymën fetare-islame të kohës. Nëpër katunde, imami si më i shkolluari, ka luajtur edhe rolin e muhtarit (kryetarit të këshillit të fshatit). Tetova në atë kohë ka pasur edhe dyqanxhi (bakall), tregtar, leblebixhi, rrobaqepës, kasap, këpucar, kafeanexhi, attar (herbalist), mëndafshpunues, arabaxhi, usta, xhambaz (tregtar kafshësh). Ka pasur edhe mësues fëmijësh dhe postier (f. 98). Tipike për aspektin familjar është dominimi i familjes së zgjeruar (vëllezërit e nipat në njëjtin kulm), si p.sh. Argati Idris, nip i Ibrahimit, 42 vjeç; djali i tij Mustafa, 9 vjeç, djali tjetër, Sejfullah 7 vjeç, tjetri, Hurshidi, 5 vjeç… Vëllai i Idrisit, argati Salih, 38 vjeç. (f. 90) Stil dominant i dukjes ka qenë ai i burrit me mustaqe, rrallëherë me mjekër. Popullata shfaqet shumë e re, tepër të rrallë janë njerëzit e moshës mbi 60-vjeç, si p.sh. 68, 75 (f. 142, 174). Do shënuar faktin se Gostivari në atë kohë ka qenë katund i madh i Tetovës, me 160 amvisëri (Vrapçishtja 67, Çegrani 55).

Mund të konstatojmë se kjo vepër origjinale plotëson një zbrazëtirë të rëndësishme në historiografinë në përgjithësi, dhe në atë shqiptare në veçanti; na jep një pasqyrë të mirëfilltë te jetës në qytetin e Tetovës dhe në kazanë e saj, na ofron të dhëna lidhur me jetën sociale dhe kulturore të asaj kohe, pra të gjysmës së parë të shekullit XIX. E kaluara jonë do të ndriçojë të tashmen tonë vetëm nëse bazohemi në burime të dorës së parë, jo në tekste të huazuara nga kolonizatorët kulturorë, nga gjuhët  e të cilëve deri më tani kemi mësuar periudhën osmane, edhe atë në një mënyrë të shtrembëruar, ngjashëm me efektin e telefonit të prishur (broken telephone), sepse dikush e ka lexuar historinë sipas ëndjeve të veta, ne e kemi pranuar të gatshme, pa ndjerë nevojë që vetë t’i hulumtojmë burimet primare. Kohërat dhe qasjet ndryshojnë, në këtë rast në aspektin pozitiv.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button