fbpx

Dëshmitari: Ditën e vrasjes isha në Smillkovë me të dashurën, Alfat na legjitimuan dhe thanë të qëndrojmë në veturë deri në ora 23:30

Me dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja në Gjykatën Penale të Shkupit sot vazhdoi gjykimi për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, njofton Portalb.mk.

Dëshmitari Nazif Bushi, në deklaratën e tij para gjykatës tha se me Sami Lutën (të akuzuarin në rastin “Monstra”) jetojnë në një lagje, gjegjësisht Luta jeton afër kushërinjve të tij të parë.

“Fejzi Azirin e njoh nga aktivitetet në parti, kur isha i emëruar si koordinator i partisë në Çuçer Sandevë. Sami Luta jeton në afërsi të Senad Bushit, kushëririt tim të parë. Ai ishte i pranishëm në dasmën e kushëririt tim. Flokët i kishte ngjashëm si tani”, tha dëshmitari Bushi.

Dëshmitari tjetër i mbrojtjes, Sheval Aliti, ka dëshmuar për ditën e vrasjes në Liqenin e Smillkovës. Aliti në deklaratën e tij tha se në ditën e vrasjes ka qenë në Liqenin e Smillkovës me të dashurën e tij.

“Dhjetë minuta pasi kam arritur në Liqenin e Smillkovës, erdhi një automjet me dy përfaqësues të Alfave (njësitit policor). Më kujtohet se ishte errët, nuk më kujtohet sa ka qenë saktë koha. Alfat na legjitimuan. Derisa isha atje nuk dëgjova asgjë. Alfat na i morën letërnjoftimet dhe na thanë që të qëndrojmë në automjet, deri në ora 23:30”, tha dëshmitari Aliti.

Prokurorja Fatime Fetai tha se i njëjti ka dhënë deklaratë në ish Prokurorinë Speciale, por ajo nuk e ka propozuar si dëshmitar, pasi që sipas saj, nuk ka thënë asgjë thelbësore.

Përpara fillimit të seancës, gjykatësi Ognen Stavrev tha se ka kërkuar nga MPB që ta gjejnë personin Vahid Berati, por nuk e kanë gjetur.

“Vahid Berat nuk punon më në MPB, është përjashtuar, ka shkuar në Gjermani dhe prej atëherë nuk është i qasshëm. MPB tërë vikendin e ka kërkuar”, tha gjykatësi.

Përveç provave verbale, sot janë prezantuar edhe prova materiale.

Gjykimi vazhdon më 25 shtator.

Në seancën e ardhshme është parashikuar të dëshmojnë tre dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja, njëri prej të cilëve është oficer policie nga njësiti Alfa.

Stavrev para përfundimit të seancës së sotme theksoi se për dy seanca duhet të përfundojë procedura dëgjimore dëshmuese, gjegjësisht pas kësaj faze, palëve do t’u japë kohë për përgatitje të fjalëve përfundimtare.

Lënda është në procedurë dëshmuese. Në seancat e kaluar dëshmuan zyrtarë të ndryshëm policor, si nga Krim Teknika, ashtu edhe nga Sektori për Bastisje. Dëshmitarëve një pjesë e ngjarjeve u kujtohen në detaje, por për atë se kush e ka paraqitur “Opel Omegën” nuk mundën të përgjigjen, duke u arsyetuar se kanë kaluar 8 vjet nga ngjarja.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close