fbpx

Aksion i policisë së Kosovës, 33 të arrestuar në mesin e tyre 10 policë

Prokuroria Themelore në Gjilan, zyrtarët e zbatimit të ligjit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe agjencitë tjera bashkëpunuese kanë ekzekutuar mbrëmjen e 18 shtatorit urdhërkontrolle në fshatin Karaçevë, Komuna e Kamenicës, në rajonin e Prishtinës, si dhe lokacione të tjera të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur nga autoritetet shtetërore të sigurisë, operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, “lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale”.

“Deri në lëshimin e kësaj komunikate, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale”, njofton komunikata.

Sipas policisë, ky është operacioni më i madh i llojit të tij në Republikën e Kosovës dhe “shembull i bashkëpunimit ndërmjet prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor”.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin”, bëhet e ditur tutje në njoftim.

Rreth këtij operacioni, kryeministri Avdullah Hoti tha se është “dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të normalitetit në çdo fushë” shkroi Hoti në rrjetet sociale.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close