Izraeli vendosi karantinë trejavore

Izraeli prej sot vendos karantinë trejavore për shkak se numri i njerëzve të infektuar me koronavirusin e ri nuk është ulur për muaj me radhë.

Masat e reja nënkuptojnë mbylljen e shumë ndërmarrjeve, kufizime të rrepta në tubimet publike, ndërsa njerëzit do të mund të lëvizin një kilometër nga shtëpitë e tyre.

Karantina vendoset gjatë Vitit të Ri hebraik, kur qytetarët vizitojnë familjet e tyre dhe mblidhen për shërbime të mëdha lutjeje, njofton MIA.

Në fjalimin e mbrëmshëm, kryeministri Benjamin Netanjahu paralajmëroi se mund të duhen masa më të ashpra për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve.

Ka mbi 46,000 raste aktive në Izrael, ndërsa të paktën 577 janë të shtruar në spital në gjendje kritike. Gjithsej 1.169 njerëz kanë vdekur si pasojë e Kovid-19.

Izraeli është ndër vendet me numrin më të lartë të njerëzve të infektuar me koronavirusin e ri për sa i përket numrit të popullsisë. Tani raportohen rreth 5.000 infeksione të reja çdo ditë.

Autoritetet izraelite ishin ndër të parët që vendosën një bllokadë të ashpër në pranverë, duke mbyllur kufijtë dhe bizneset, që në maj solli deri në ulje të numrit të të infektuarve të rinj në vetëm disa dhjetëra në ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button