Hoti: Me Serbinë po negociojmë për njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u tha deputetëve të Kuvendit të Kosovës se dialogun me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ai tha se ky nuk është dialog teknik, por dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve mes të dyja vendeve, transmeton REL.

Me kërkesën e partisë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, kryeministri Hoti, është thirrur të enjten në interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Interpelanca ka të bëjë me vazhdimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë për marrëveshjen e arritur në Uashington, ndërmjet të dyja shteteve.

Hoti ka thënë se Kosova ka obligim për të normalizuar raportet me vendet në rajon, duke përfshirë dhe shtetin e Serbisë.

“Integriteti territorial është i panegociueshëm, dhe nuk është shtruar si çështje para meje, organizimi kushtetues i Kosovës nuk bënë të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë. Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Hoti.

“Më 7 shtator është hapur tema e Asociacionit dhe e obligimeve financiare. Qëndrimi i qeverisë është se tema e Asociacionit nuk hapet në dialog, pasi që kjo marrëveshje është arritur më 2013”, tha Hoti para deputetëve.

Hoti tha se në këtë fazë të dialogut, është duke u bërë draftimi i elementeve të caktuara të marrëveshjes për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Draftimi ka filluar me dy tema të cilat i kemi imponuar, personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike, pala serbe ka kërkuar që në diskutim të shtrohet edhe çështja e të zhvendosurve”, tha Hoti.

Ai para deputetëve tha se marrëveshja duhet të përmbajë elemente që shfuqizojnë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Të enjten të dyja delegacionet në nivel të ekspertëve diskutojnë në Bruksel për çështjet financiare.

Kryeministri e ka obligim kushtetues që t’i raportojë kuvendit edhe për çështje të politikës së jashtme, në veçanti për dialogun.

Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja është nënshkruar në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump. Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guximin drejt përparimit të normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja e 4 shtatorit në SHBA, tha Hoti është arritur pas një roli aktiv të Shteteve të Bashkuara.

“Kjo marrëveshje i ka 16 pika, prej të cilave janë edhe projektet e mëdha infrastrukturore. Vlerësoj që ky është momentum i ri i marrëdhënieve BE-SHBA sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”, tha Hoti.

Hoti tha se me marrëveshjen e arritur, Kosova do të kthehet në epiqendër të aktivitetit ekonomik infrastrukturor.

“Sjellja e gazit në Kosovë do të jetë infuzion. Kosova do të kthehet në epiqendër të aktivitetit ekonomik infrastrukturor”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button