GASTARBEITER 

Loni është përkulur në fund të shkallëve dhe mundohet t’i lidhë pejt e këpucëve. E sheh mbesa e vogël si mundohet dhe vrap shkon e ia lidh. Drejtohet Loni ngadalë, e prek njëherë; kurrizin që i ther diku në ndonjë unazë, ndoshta është e katërta ose e pesta, pastaj ia lëmon flokët mbesës. I thotë: Besa e gjyshit, e fitove një çokollatë. Ajo, e vogël e lozonjare, ia kthen: Tung, gjyshi më i mirë në botë. Ndale pakëz ajo e kthen atë fytyrën e bukur miturake dhe e pyet: Ku po shkon o gjysh? Po dal pak të lëviz. Po pse e mban ashtu shpinën. Më dhemb pak shpina, shpirti i gjyshit, thotë Loni dhe i kujtohet si i ka thënë mjeku gjerman para se të pensionohej në Berlinin Perëndimor. Po mos u mërzit. Prej kësaj sëmundjeje nuk vdiset, po me këtë sëmundje do të vdesësh. Duhet të ecësh në këmbë,  ka shtuar mjeku. Të ecurit është ilaçi më i mirë kundër dhembjeve të kësaj natyre… Këtë lëndim e paske të vjetër, shton mjeku.

E di Loni se këtë lëndim e ka marrë para se të shkonte në Berlin. E ka marrë  te Dunav Stanica, në Beograd, duke mbajtur do mobile në katin e tretë. Si t’i tregonte mjekut gjerman. Ku mund ta kuptojë ai skëterrën e quajtur Dunav Stanica?! Ta lujsha Dunav Stanicën! thotë vet me vete Loni. E mallkon kështu Dunav Stanicën ku ka punuar si argat, madje përtej argati – po përtej argati – skllav. Mirë që u gjet kjo mbesë e m’i lidhi se s’di çfarë do të kisha bërë, mendon. Po sa mirë m’i lidhi vogëlushja e gjyshit! Tash mund të eci.

Ecën Loni, me duart lidhur pas shpine. I ka thënë mjeku gjerman se duhet të lëvizë se po nuk lëvizi mund t’i bëhet keq. Dhe, Loni e respekton porosinë e mjekut. Po ajo dhembja e mallkuar e kurrizit ia kujton Dunav Stanicën. Uh ta lujsha unazën edhe Dunav Stanicën! Sa vjet i shkuan kot atje në Beligrad – shtatë a tetë. Shtatë a tetë vjet duke i dëgjuar çdo ditë njerëzit e atjeshëm të thonë: Odoh da nagjem shiptara da  seçe drva…. odoh da nagjem shiptara da nam izvede stari stari nameshtaj… da nam istovari ugalj…  da nagjem shiptara… da nagjem shiptara… Uh, majku mu shiptarsku!  Fjala shiptar te Dunav Stanica e gjithandej nëpër Serbi e kishte kuptimin e veglës së punës me vlerë sa një lodër  e vogël plastike prej Kine sot. Skllav e përtej skllavi kam qenë, mendon Loni. Të rënda ishin punët që i bënte për do metelikë, po më e rëndë se mobilet, se qymyri, se të sharruarit e druve, se thyerja e betonit, se gjithçka tjetër ishte fjala shiptar kur e thoshin ata. Ishte ajo fjalë me disa ferra akrepi që ta helmonin shpirtin.

E la Dunav Stanicën Loni një ditë. E la kur një grua i tha të shoqit me një ton të ngarkuar me urrejtje: Opet si mi doveo shiptara kuqi!.Daj, bre  budalo, zar ne oseqash da smrdi?! Ta lujsha Beligradin! tha Loni atëherë dhe doli prej shtëpisë së tyre duke e përplasur derën prapa vetes. S’e duronte më atë refrenin e egër:Opet si mi doveo shiptara!  Ose: Odoh da nagjem shiptara!…  e veçmas këtë: Zar ne oseqash da smrdi. Me një bukë të djeshme që e bleu në furrë, hipi në tren e erdhi në Lisnajën e tij të varfër dhe për disa ditë bëri e ç’bëri  – hop – u gjet në Gjermani.

I numëron paratë e rrogës së parë Loni në banesën ku jeton në Berlin edhe me dy bashkëvendas, të tjerë Brahën e Gonin. Në duart e Lonit që dridhen nga gëzimi, tubëza e parave fëshfërin sa herë lëvizin dojçmarkat kur numërohen. Braha që ndodhi aty e  që është duke ngrënë një picë, e ngre kryet duke u përtypur e thotë:

O Lono, a e di se çka mund të blesh me këto para në Lisnajë, ose në tërë vilatin tonë, ku të duash?

Dy thasë miell, sheqer, kripë edhe sheqerka për fëmijët, përgjigjet Loni, me tubëzën e parave në dorën e djathtë dhe e shikon me droje Brahën mos e ka tepruar “me blerje” me paratë që ka në dorë.

Braha qesh. E lë picën dhe me një gotë lëng pemësh në dorë, i afrohet Lonit:

Lonooo, me këto para mund të blesh një kalë shale, dy lopë, dy thasë miell, plot çokollata për fëmijët… Diçka edhe të tepron…

Mos u tall me mua! ia kthen Loni.

Jo nuk tallem!… i thotë Braha. Kujdesu për paratë, mos derdh andej e këndej e në krye të motmotit madje mund ta bësh në Lisnajë një shtëpi si këto të Gjermanisë, mund të blesh edhe ndonjë bahçe, ndonjë arë… Loni e shikon Brahën gojëhapur. Braha e ngre gotën me lëng pemësh dhe pi, por i ndjek me bisht të syrit reagimet e Lonit. Pastaj Braha shton: i di çmimet unë, e di për sa kohë mund ta bësh shtëpinë në Lisnajë, ta kesh kalin e shalës e ato tjerat, kurse çokollata për fëmijët –  sa të duash!…

Braho, i drejtohet Loni shokut të vet të dhomës, a ka tren që nuk kalon nëpër Beligrad kur të shkoj në shtëpi?

Jo, s’ka, i përgjigjet Braha. Pse? Çfarë të pengon Beligradi ty?

Aty është Dunav Stanica. Ai sheshi ku kam qenë Gefangener… Ta lujsha Dunav Stanicën, ta lujsha Beligradin! thotë Loni. Nuk dua të më kujtohen ato ditë.

Gefangener? Qesh Braha me Lonin. E paske mësuar edhe këtë fjalë o Lon.

Po ti e sheh se unë në kohë të lirë nuk dal, e mësoj gjuhën se më duhet.

Të lumtë, o Lon.

Ia di kuptimin, por nuk e di si i thonë shqip kësaj fjale, thotë Loni. Po Braha që ka ardhur më herët në Gjermani dhe që e ka shkollën e mesme në vilat e di. Lon, skllav i themi ne, skllav ose rob.

I tillë kam qenë në Dunav Stanicë, ku flija nën karrocën e hamallit mbi do lecka, Ose në ndonjë bodrum të një ndërtese të vjetër…

Lono, sot je Gastarbeiter, nuk je më Gefangener. Mbaje në mend: gastarbajter. Shqip i bie punëtor mysafir. Gast është mysafir, arbeiter është punëtor. Gjermanët nuk na kanë ftuar si Gefangener, por si Gastarbeiter. Ti je mysafir këtu, por për punën që bën ai të paguan… Këtu nuk të presin me fyerje, por sa mund derdh, aq vlerësohesh… Punove, je i nderuar, i mirëseardhur, nuk punove, ec vëlla, kthehu në Lisnajë. Kështu është këtu. Por Gefangener nuk je kurrë, që domethënë nuk je skllav, rob, rrogëtar, por je punëtor dhe mysafir. Gefangeneri ka mbetur në atë sheshin para Dunav Stanicës. Nuk je këtu në Dunav Stanicë. Po je në Dojçland…

Loni atëherë i mbyll veshët se i vijnë si jehonë fjalët që dëgjonte vazhdimisht në Beligrad: idem da uzmen jednog shiptara da mi seçe drva, da mi odnosi stari nameshtaj, da mi istovari ugalj… Opet si mi doveo shiptara kuqi? Zar ne oseqash budalo da smrdi!Thellë në shpirt i gëlojnë ato fjalët me të cilat e mallkon Dunav Stanicën. Vetvetiu i dalin me hidhërim: Ta lujsha Dunav Stanicën! Vazhdon të ecë rrugicave të Lisnajës. Kur i sheh shtëpitë e bukura të fshatit i kujtohet Braha, i cili ka ndërruar jetë, atëherë mendon: Eh more Brahë, po herët më ike. Më fike o mik, më fike dhe i mbushen sytë me lot… Dhe, shkon Loni shpesh ia viziton varrin Brahës e i flet thuajse ai e dëgjon.

Rrugës kah ecën në Lisnajë të gjithë e përshëndesin:

Tungjatjeta, lala Lon!

Tungjatjeta biri im… tungjatjeta vëlla!

E kur i bie Lonit të kalojë kah shkolla, u jep fëmijëve çokollata. Plot çokollata. E një e ruan për mbesën e tij, Besën…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button