SOCIO-DEMOGRAFI: TETOVA 1832/33 (I)

Socio-demografia është një disiplinë që merret karakteristikat e një popullate të shprehura përmes shifrave apo të dhënave statistikore. Në pëgjithësi veçoritë si mosha, gjinia, statusi martesor, lindjet dhe vdekjet, etniciteti, niveli arsimor, të ardhurat, lokacioni, shkalla e papunësisë e të ngjashme, janë çështje që mësohen përmes një lloji të pyetësorit që e aplikon kjo lëmi. Të dhëna të tjera demografike mund të përfshijnë segmentet si hobi, mënyra e jetesës etj.

Të dhënat socio-demografike gjenerohen në mënyrë periodike në një formë grupore apo të klasifikimit. Të dhënat e tilla janë të rëndësishme për të kuptuar trendet shoqërore në një mjedis të caktuar. (Kweon, 2011) Qeveritë, korporatat dhe OJF-të i shfrytëzojnë të dhënat demografike për të mësuar më shumë rreth karakteristikave të popullatës për qëllime të ndryshme (politike, arsimore, kulturore etj.), për zhvillimin e politikave dhe hulumtimin e tregut ekonomik e të ngjashme. Agjencitë qeveritare mbledhin të dhëna përmes realizimit të regjistrimeve nacionale dhe të njëjtat i përdorin për të paraparë trendet ekonomike dhe rritjen e popullatës, për t’i shfrytëzuar më drejt burimet në zotërim. (investpedia.com)

Në një sistem tipik të regjistrimit të popullsisë, qytetarëve u kërkohet t’ua tregojnë vendbanimin e tyre autoriteteve përkatëse, të cilat e përdorin informacionin për planifikimin dhe shpërndarjen e shërbimeve shtetërore dhe për t’i kontaktuar njerëzit. Këto të dhëna mund të përcaktojnë të drejtën e një personi për të votuar, për akces në arsim dhe kujdes shëndetësor dhe për përfitim nga shërbimet sociale ose pensioni.

Parimet bazike të të dhënave të regjistrimit janë: (1) individualizmi-çdo qytetar përfaqësohet në regjistrim, (2) universaliteti-të gjithë qytetarët duhet të përfshihen në të, (3) simultaniteti – të dhënat lidhen me ditën e regjistrimit, dhe (4) periodizimi – ruhet shpeshtësia e regjistrimeve. (cbs.gov.il, 2020)

Regjistrimet e para në histori janë ato të babilonasve të realizuara rreth afër gjashtë mijëvjeçarë më parë, në vitin 3800 p.e.s. dhe të Egjiptit të periudhës së Mbretërisë së Mesme (2050-1700 p.e.s.). (WSJ, Gordon, 2019)  Regjistrimet biblike e kanë përjashtuar femrën. (Diamond, 2020) Në vitin 600 kur izraelitët e lëshuan Egjiptin u patën regjistruar vetëm meshkujt: “Pastaj izraelitët u nisën nga Ramsesi për në Sukot; afro 600.000 burra në këmbë, pa numëruar fëmijët.” (Eksodi, XII: 37) Një regjistrim tjetër me rëndësi është ai kinez i Dinastisë së Khanëve, vitin 2 e.s., kur janë shënuar  diku rreth 59.6 milionë njerëz, popullata më e madhe e botës në atë kohë. Në periudhën e Republikës Romake, regjistrimi ka nënkuptuar shënimin e të gjithë meshkujve të gatshëm për shërbim ushtarak. Në vitin 1086 Williami I i Anglisë ka bërë një regjistrim që i ka mundësuar atij të mbledhë taksat e tokave të pushtuara nga ai në Europën mesjetare.

Në botën antike regjistrimet janë bërë me qëllim të mbledhjes së taksave, të shërbimit ushtarak dhe kontrollit ekonomik dhe klasor të strukturës sociale. Synimi kryesor i këtyre regjistrimeve ka qenë forcimi i qeverive qendrore. Në 1183 Mbretëria Kryqtare e Jerusalemit ka organizuar një regjistrim me qëllim të konstatimit të numrit të meshkujve dhe parave të nevojshme për t’u mbrojtur kundër sulmeve të Salahuddinit. Në shekullin XV Perandoria Inka ka shfrytëzuar një mënyrë unike të regjistrimit, pa pasur një gjuhë të shkruar: të dhënat regjistroheshin në kuipuse, pra në fije të kafshëve llama ose alpaca ose në ato të pambukut me vlera numerike dhe të tjera të koduara në nyje të një sistemi 10-pozicional.

Në Irlandë regjistrimi i parë është bërë në vitin 1672 kur popullata ka numëruar 1.1, dhe më 1804, kur janë shënuar 5.4 milionë banorë. Në atë të Madhin (Great Census) të vitit 1841 kanë ndodhur disa ndryshime: janë shtruar pyetje në lidhje me emrin dhe mbiemrin, moshën, seksin, lidhjen me kryefamiljarin, gjendjen e martesës dhe kohëzgjatjen e martesës, profesionin, arsimimin, vendlindjen, personat e punësuar në bujqësi, ditët e punës dhe pagat, anëtarët e familjes gjallë, ata që mungojnë nga shtëpia dhe të dhënat e shtëpisë përfshirë materialin e ndërtimit, natyrën e banesës, numrin e dhomave dhe numrin e familjeve që jetoni aty. (cso.ie, 2020)

Në përgjithësi, në Europë ka mbizotëruar një antipati ndaj regjistrimit zyrtar deri kah fundi i shek. XVIII, tendencë kjo që përfundoi kur demografi Thomas Malthus publikoi esenë e vet mbi parimin e popullatës në vitin 1789, ku thoshte se Britaninë e presin uria, sëmundjet dhe kataklizma. John Rickman ka realizuar censusin e parë të popullatës britanike (Anglia dhe Uellsi, 9.4 milionë banorë) dhe është caktuar përgjegjës për raportet 10-vjeçare (1801-1831). Në regjistrimin 1831 (kur për dallim nga regjistrimi paraprak është hequr grafa “mosha”) janë përfshirë klasifikimet industriale të agrikulturës, prodhimtaria, makinëbëria, tregtia me pakicë, artet e dorës, bankierët, xehetarët, peshkatarët etj. Gratë për herë të parë kanë marrë pjesë si regjistruese në censusin e vitit 1891. Në Skoci nuk është bërë asjë regjistrim lokal deri në vitin 1855. Akti i veçantë i 1860-ës i dha Kyesekretarit të Përgjithshëm të Skocisë përgjegjësinë për realizimin e Regjistrimit të vitit 1861. Nga viti 1801, përveç vitit 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Britaninë e Madhe janë bërë regjistrime në çdo dhjetë vjet.  (ons.gov.uk, 2020)

Sipas regjistrimit të vitit 1921, Jugosllavia e parë ka pasur rreth 12 milionë banorë (44.6 % serbë, 23.5 % kroatë, 6.3 boshnjakë, 8.5 % sllovenë, 3.9 % hungarezë, 3.7 shqiptarë e kështu me radhë.  Sipas pesë regjistrimeve të realizuara nga 1948 deri më 1981, familjet më të mëdha kanë qenë ato në Maqedoni dhe Bosnjë, kurse më të voglat në Slloveni.

Sipas regjistrimit të vitit 1953 në Tetovë kanë jetuar 37.5 % maqedonas, 35.4 % shqiptarë, 22.1 turq, 2.4 % serbë dhe të tjerët kanë qenë romë, vllehë, ndërsa sipas atij të vitit 2002, shifrat e shqiptarëve tetovarë (54.7 %) kalojnë ato të maqedonasve (35.1 %). (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button