RMV, Kopaç: Çmimet e energjisë elektrike nuk pritet të ulen, por të rriten në të ardhmen

Janez Kopaç, drejtori i Sekretariatit të Bashkësisë Energjetike me seli në Vjenë, vlerësoi se në të ardhmen nuk pritet të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike, përkundrazi mund të ketë rritje të çmimit, për shkak të heqjes së karbonit nga industria e prodhimit, transmeton Portalb.mk.

“Me agjendën për dekarbonizim të BE-së, jo vetëm që energjia elektrike do të përdoret gjithnjë e më shumë si burim, por gjithashtu duhet të jetë e gjelbër, gjegjësisht të vjen prej burimeve përtëritëse. Kjo do të kërkojë anulimin gradual të prodhimtarisë së energjisë elektrike nga thëngjilli në Manastir, anulim gradual të subvencioneve për thëngjill, si dhe vendosjen e çmimit për karbon. Kjo në të ardhmen do të kërkojë rritje gjithnjë e më të madhe të çmimeve të energjisë elektrike, e jo ulje”, deklaroi Kopaç në intervistën për MIA.

Ai kërkesën e protestuesve për uljen e çmimit të energjisë elektrike e vlerësoi si joreale.

“Duke marrë parasysh nivelin e çmimeve të përdoruesve përfundimtarë në Maqedoninë e Veriut, në krahasim me rajonin, ku vetëm në Serbi dhe Kosovë çmimet janë më të ulëta për shkak të intervenimit politik dhe duke marrë parasysh se vendi ynë është importues i energjisë elektrike, ulja e çmimeve të amvisërive për 46 për qind do të ishte tërësisht joreale”, deklaroi Kopaç.

Ai vlerësoi se alternativë me e mirë se gazifikimi llogaritet përdorimi i energjisë së diellit.

“Në përputhje me legjislacionin e Bashkësisë energjetike, KRRE-ja ende i rregullon çmimet e përdoruesve përfundimtar për amvisëri si masë për mbrojtjen e kësaj kategorie të konsumatorëve prej rritjes tepër të madhe të çmimeve. Kjo rregullore duhet t’i marrë parasysh dhe t’i reflektojë shpenzimet. Nuk mundet vetëm të ndiqen dëshirat e disa politikanëve”, komentoi reagimet ndaj çmimit të energjisë në vend.

Sot në orën 18:00 VMRO-DPMNE do të mbajë protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Ndryshe,pas pesë protestave të organizuara në rrugë të qyteteve të ndryshme, në mënyra të ndryshme, për arsye të njëjtë, Këshilli organizativ i protestave kundër rritjes së çmimit të rrymës elektrike kërkoi takim me grupet parlamentare dhe deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Javën e kaluar për herë të pestë me radhë mijëra banorë të Tetovës janë mbledhur të protestojnë kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike. Marshi protestues filloi nga “Sheshi Iliria” dhe u ndal para ndërtesës së EVN-së. Protestuesit ngritën telefonat me dritën e lëshuar duke bërtitur “HAJDUTË” dhe “EVN Mafia”. Protesta gjithashtu u mbajtën në Gostivar, Shkup dhe në qytetet tjera.

Vendimi i KRRE-së për të rritur çmimin e energjisë elektrike ishte skandaloz, bile ende më skandaloze ishte përpjekja e vendimmarrësve për të bindur banorët se Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në Evropë. Çmimi i energjisë elektrike duhet të krahasohet me pagën mesatare mujore, kur bëhet ky krahasim, rezulton se kemi një ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë. Gjithashtu, mbetet e paqartë metodologjia se si kalkulohet çmimi dhe në çfarë mënyre kontrollohet implementimi i saj ashtu që të sigurojë çmim sa më real i cili njëkohësisht merr parasysh edhe atë se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimin që marrin nga kompanitë distributore të rrymës elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button