RMV, Organizatorët e protestave kundër rritjes së çmimi të rrymës kërkojnë takim me grupet parlamentare

Pas pesë protestave të organizuara në rrugë të qyteteve të ndryshme, në mënyra të ndryshme, për arsye të njëjtë, Këshilli organizativ i protestave kundër rritjes së çmimit të rrymës elektrike kërkoi takim me grupet parlamentare dhe deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi i takimit është për të biseduar rreth kërkesave të dala nga protestat qytetare të organizuara në më shumë qytete të vendit gjatë muajit Gusht dhe Shtator 2020”, sqarojnë nga Këshilli.

Ata gjithashtu sqarojnë se kërkesa i është drejtuar grupeve parlamentare të LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, BDI-së, ASH/AAA, si dhe deputetëve pa grupe parlamentare, si ata të Lëvizjes BESA, PDSH-së dhe partisë LEVICA.

“Konsiderojmë që takimi me ju, të zgjedhurit tanë, do i shërbejë zgjidhjes së problemeve të shkaktuara nga vendimi i KRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike në kohë kur, për shkak të pandemisë globale, shumë familje kanë humbur burimet e ekzistencës dhe të ekonomisë së varfër familjare, si dhe do të ndikojë në lehtësimin e vështirësive ekonomike të shkaktuara nga faturat e larta me të cilat përballen qytetarët e vendit tonë” – thuhet në lajmërimin e Këshillit.
Këshilli gjithashtu ka artikuluar edhe kërkesat e protestuesve:

1) Komisioni rregullator energjetik të shfuqizojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 7.4% dhe ta ulë çmimin e rrymës për konsumatorët për 46% (duke hequr 33% e fuqisë së angazhuar nga çmimi bazë, dhe uljen e tvsh-se nga 18% në 5%).
2) Qeveria të eliminojë monopolin e shërbimeve të kompanisë EVN duke i shkëputur kontratën, për t’i dhënë fund sjelljes së tyre jokorrekte dhe jonjerëzore ndaj konsumatorëve, të nacionalizojë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, dhe të krijojë politika lehtësuese për të falur borxhin e rasteve sociale në vend ndaj kompanive energjetike.
3) Kuvendi i Republikës të suprimojë Komisionin Rregullator Energjetik, si organ që i shërben vetëm apetiteteve të larta të grupeve të biznesit dhe korporatave që dëmtojnë mjaft rëndë xhepin e qytetarëve të varfër të vendit tonë.
4) Kuvendi i Republikës të krijojë një trup të pavarur, në shërbim të qytetarëve që do ketë si mision të verifikojë cilësinë e shërbimeve të kompanive energjetike, të hetojë e të adresojë të gjitha ankesat e qytetarëve ndaj këtyre dhe korporatave të ngjashme zhvatëse si këto, të anulojë kamatat e qytetarëve, t’i mbrojë konsumatorët nga skemat e kamatave që i ngarkohen qytetarëve, të paraqesë tarifë të tretë komerciale për bizneset e vogla, etj.

Ndryshe, javën e kaluar për herë të pestë me radhë mijëra banorë të Tetovës janë mbledhur të protestojnë kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike. Marshi protestues filloi nga “Sheshi Iliria” dhe u ndal para ndërtesës së EVN-së. Protestuesit ngritën telefonat me dritën e lëshuar duke bërtitur “HAJDUTË” dhe “EVN Mafia”. Protesta gjithashtu u mbajtën në Gostivar, Shkup dhe në qytetet tjera.

Vendimi i KRRE-së për të rritur çmimin e energjisë elektrike ishte skandaloz, bile ende më skandaloze ishte përpjekja e vendimmarrësve për të bindur banorët se Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në Evropë. Çmimi i energjisë elektrike duhet të krahasohet me pagën mesatare mujore, kur bëhet ky krahasim, rezulton se kemi një ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë. Gjithashtu, mbetet e paqartë metodologjia se si kalkulohet çmimi dhe në çfarë mënyre kontrollohet implementimi i saj ashtu që të sigurojë çmim sa më real i cili njëkohësisht merr parasysh edhe atë se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimin që marrin nga kompanitë distributore të rrymës elektrike.

Lexo edhe këtu:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button