Hulumtimi i “Megjashi-t”: 60,62 për qind e fëmijëve konsiderojnë se nuk i kushtohet kujdes i mjaftueshëm higjienës në shkollë

Ambasada e Parë për Fëmijë në botë “Megjashi” sot prezantoi të dhënat e hulumtimit për gjendjen me të drejtat e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Jordanka Çerepnallkova-Trajkovska, koordinatore e SOS telefonit për fëmijë dhe të rinjë nga “Megjashi”, theksoi se hulumtimi për gjendjen me të drejtat e fëmijëve është zbatuar së bashku me 30 fëmijë në sferën e mjedisit shkollor, kohës së lirë, shëndetit dhe cilësisë së jetës, mjedisit jetësor, sigurisë dhe diskriminimit.

“Ka të dhëna interesante se një numër i madh i fëmijëve janë të njoftuar me të drejtat, megjithatë konsiderojë se duhet të edukohen për të drejtat e fëmijëve dhe vetë fëmijët dhe të rriturit që të mund të respetohen në pjesë më të madhe”, tha Çerepnallkova.

“Në hulumtimin për temën ‘Mjedisi shkollor’, një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve (60,62 për qind) konsiderojnë se nuk i kushtohet kujdes i mjaftueshëm mbajtjes së higjienës në shkollë, përfshirë edhe higjienës në tualete, për shkak të së cilës disa nga fëmijët shmangin t’i përdorin (68,23 për qind)”, shtoi ajo.

Në temën “Koha e lirë”, fëmijët theksuan se ata zakonisht e kalojnë kohën e tyre të lirë duke u shoqëruar me miqtë jashtë shtëpisë, duke dëgjuar muzikë ose në media sociale. Numri i fëmijëve që marrin pjesë në ngjarje kulturore, filma ose shëtisin kafshët e tyre shtëpiake është shumë i vogël.

“Shumica e fëmijëve (51,88 për qind) kanë një vakt ditor në shkolla”, thuhet në përmbledhjen e hulumtimit mbi “Shëndetin dhe cilësinë e jetës”.

Hulumtimi i Megjashit për temën “Mjedisi” tregon se dy të tretat e fëmijëve kanë problem me ajrin e ndotur, veçanërisht në periudhën e dimrit dhe se kjo ndikon shumë në shëndetin e tyre fizik dhe mendor.

Në temën e “Siguri”, hulumtimi i Ambasadës së Parë të Fëmijëve zbuloi se 10 për qind e fëmijëve theksojnë se ndonjëherë kanë qenë viktimë e dhunës, ndërsa 21,85 për qind njohin dikë që ka qenë viktimë e dhunës.

Nga ana tjetër, pothuajse një e katërta e fëmijëve të anketuar deklaruan se njohin një bashkëmoshatar/re, ku të dhënat, fotografitë ose videot e tyre janë ndarë në internet pa pëlqimin e tij/saj.

Përmbledhja e hulumtimit mbi temën “Diskriminimi” thekson se 42,24 për qind e fëmijëve janë ndjerë të diskriminuar në një situatë të caktuar, ndërsa ndër arsyet më të zakonshme për këtë janë mosha, gjinia dhe statusi financiar i familjes së tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button