Ka 16 vjet që Matka pret të shpallet sërish zonë e mbrojtur

Kanioni i Matkës qysh nga viti 2004 është duke pritur që të shpallet sërish zonë e mbrojtur si monument i natyrës. Një nga raritetet më të bukura natyrore në vend, që është shtëpi e shumë specieve të rralla dhe endemike të bimëve e kafshëve, duke përfshirë shkabën egjiptiane dhe shkabën me kokë të bardhë (grifon), të cilat janë në listat e kuqe të specieve të rrezikuara, ka mbetur e pambrojtur për gati dy dekada para sulmeve të ndërtimeve të paligjshme dhe pa menaxhim të duhur që do të sigurojë ruajtje të vlerave natyrore të këtij kanioni, njofton  Portalb.mk.

Megjithëse ligji për mbrojtjen e natyrës, i miratuar 16 vjet më parë, kishte paraparë që të gjitha pjesët e vendit, të mbrojtura sipas ligjeve të vjetra të ri-shpallen, duke i përcaktuar kufijtë dhe  menaxhuesin me ato zona, ndërsa këto procedura po vazhdojnë me një ritëm shumë të ngadalshëm që është i papranueshëm. Ligji nuk parashikon afate kohore për këto aktivitete, kështu që Matka, si dhe shumë zona tjera, janë lënë në mëshirën e uzurpatorëve të ndryshëm. Megjithëse Vendimi i vjetër për shpalljen e Matkës si monument natyror, i miratuar në vitin 1994 nga Kuvendi i atëhershëm i Qytetit të Shkupit, në bazë të Ligjit për Mbrojtje të rariteteve natyrore të vitit 1973, është ende në fuqi, kanioni mbeti pa menaxhues, pasi shoqata speleologjike “Peoni” nuk e kryen këtë funksion dhe Matka është plotësisht e pambrojtur.

Për këto 16 vjet, përmes granteve nga institucione ndërkombëtare, janë përgatitur dy dokumente të domosdoshme, por versionet e tyre përfundimtare nuk janë gati, në mënyrë që të përfundojë procedura e ri-shpalljes. Në vitin 2010, u përgatit Studimi për rivlerësimin e vlerave natyrore të zonës së mbrojtur, monument natyror, “Kanioni i Matkës” në kuadër të projektit të UNDP “Forcimi i qëndrueshmërisë ekologjike, institucionale dhe financiare të sistemit të zonave të mbrojtura kombëtare të Maqedonisë” me fonde nga Bashkimi Evropian. Vitin e kaluar, gjithashtu përmes UNDP, një projekt u financua për të rishikuar kufijtë e zonës së mbrojtur, i nevojshëm për të miratuar Ligjin për shpalljen e lokalitetit Matka monument natyror.

Nga Ministria e mjedisit jetësor thonë që, në përputhje me ligjin për mbrojtje të natyrës, në vitin 2014 kanë hartuar një projekt-ligj për të shpallur Matkën monument natyror me propozim për kufijtë e jashtëm. Por, që propozimi të vijë në procedurë qeveritare, për shpalljen e Matkës një zonë të mbrojtur në kategorinë III – një monument natyre, duhet që Qyteti i Shkupit të përcaktojë përfundimisht kufijtë e zonës së mbrojtur.

“Që Ministria e mjedisit jetësor të paraqesë Projektligjin për shpallje të Kanionit të Matkës monument natyror në procedurë qeveritare, si aktivitete prioritare që duhet të përfundojnë janë rishikimi i kufijve të jashtëm të propozuar dhe zonat e brendshme në rajonin e mbrojtur me GIS të dhëna dhe përshkrime narrative”, thonë nga ministria.

Ata theksojnë se Qyteti i Shkupit, në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian dhe UNDP për zonat e mbrojtura “Përmirësimi i menaxhimit të zonave të mbrojtura” në bashkëpunim me UNDP dhe ekspertët kombëtarë ka përgatitur një draft raport me zonat e propozuara, por jo edhe versionin përfundimtar.

“Në Ministri duhet të parashtrohet versioni përfundimtar i raportit dhe Studimi i rishikuar për rivlerësimin e vlerave natyrore në zonën e mbrojtur – Monumenti natyror Kanioni i Matkës me qëndrim të harmonizuar të palëve të interesuara, përkatësisht Qyteti i Shkupit, NP për menaxhim dhe mbrojtjen e Zonës për shumë dedikime “Jasen”, Ministria e Mbrojtjes dhe Komuna e Sarajit. Pëlqimi është i domosdoshëm si për kufijtë dhe zonat, ashtu dhe për menaxhimin, në mënyrë që procedura e shpalljes të vazhdojë”, theksojnë nga ministria.

Nga Qyteti i Shkupit, nga ana tjetër, thonë se po presin dokumentin përfundimtar nga Studimi për rivlerësimin e vlerave natyrore të kanionit Matkë, por ata nuk specifikojnë në cilën periudhë kohore do të përfundojë.

“Pas pranimit të këtij dokumenti, Qyteti do të paraqesë iniciativë në ministri për ri-shpalljen e lokalitetit në fjalë, duke dorëzuar Propozim për ri-shpallje të lokalitetit të mbrojtur Kanioni Matka, i miratuar më parë nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. Pas përfundimit të procedurës së parashikuar me Ligjin për Mbrojtjen e natyrës, Kuvendi duhet të miratojë një Ligj për ri-shpalljen e Matkë”, informojnë nga Qyteti i Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button