RMV, U formua Komisioni që do të vendos për ndjekjen e mësimit me prani fizike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot në seancën e parë formoi Komisionin që do të vendosë për ndonjë shkollë të caktuar se a do të ndjekë mësimin me prani fizike apo online, nëse paraprakisht parashtrohet një kërkesë e tillë, transmeton Portalb.mk.

“Për anëtarë të Komisionit për shqyrtimin e kërkesave të dorëzuara nga ana e themeluesit të shkollës për organizimin e mësimit me prani fizike, Qeveria e emëroi Elena Ivanovskën nga Ministria e arsimit dhe shkencës, Gjorgi Tasevin nga Zyra e kryeministrit dhe Gordana Kuzmanovska nga Ministria e Shëndetësisë”, raportojnë nga Qeveria.

Qeveria sqaroi se ka miratuar Protokollin që mundësojnë zhvillimin e mësimit me prani fizike në shkollat fillore dhe të mesme, duke miratuar edhe Algoritmin në rast se në shkolla paraqiten raste të infektimin me Kovid-19 .

“Qeveria sot, me propozimin e Ministrisë së arsimit dhe shkencës, e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për realizimin e mësimit në shkollat fillore dhe të mesme për vitin shkollor 2020/21 dhe e miratoi Planin për mbajtjen e mësimit në shkollat fillore dhe të mesme”, njoftojnë nga Qeveria.

MASH dje njoftoi se po punohet për përgatitjen e një platforme për zhvillimin e procesit arsimor online.

Ndryshe, gjatë javës së kaluar nxënësit e shkollave të mesme protestuan në Shkup, duke filluar nga objekti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës deri te objekti i Qeverisë së RMV-së, kundër propozimit që mësimi të zhvillohet online. Ata në protestë theksuan se do të ketë bojkot e protesta tjera, nëse nuk do të kemi mësim të kombinuar. Gjithashtu,  protestuan edhe nxënësit gjimnazistët e Strumicës, ndërsa për të hënën janë paralajmëruar protesta tjera. Kërkesa e nxënësve të shkollave të mesme ishte kthimi i tyre në shkollë dhe vazhdimi i mësimit, qoftë edhe në formë të kombinuar. Këto iniciativa janë përkrahur edhe nga Megjashi.

Sipas ligjeve në fuqi, shkollat duhet të fillojnë mësimin më 1 shtator në shkolla, ndërsa propozimi i Qeverisë në seancën e 82-të qeveritare është që mësimi të fillojë më 1 tetor dhe mësimi të jetë në shkolla për nxënësit nga klasa e parë në të tretën, me disa përjashtime, duke respektuar Protokollin e miratuar. Pikërisht, një propozim të tillë për fillimin e mësimit nga 1 tetori, e propozoi edhe kryetari i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev.

Por të gjitha propozimet e Qeverisë duhet të kalojnë patjetër në Kuvend, kuvend i cili akoma nuk ka caktuar seancë për votimin e ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore në arsim, si shembull Ligji për arsimin fillor, neni 50  që tregon se se “Viti shkollor në shkollë fillore, sipas rregullit, fillon më 1 shtator, ndërsa përfundon më 31 gusht vitin e ardhshëm”.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button